Gjyqtarja e Apelit të Vlorës Margarita Buhali, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të bëjë renditjen e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjyqtarja e Apelit të Vlorës Margarita Buhali, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të bëjë renditjen e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, u konfirmua të mërkurën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Buhali, e cila u hetua në të tre kriteret e vetingut, rezultoi pa probleme të pasurisë, e aftë profesionalisht dhe e përshtatshme në kriterin e figurës.
Gjatë seancës dëgjimore Buhalit iu vu në dukje se një denoncim për një aferë korruptive ndaj ish-bashkëshortit të gjyqtares Gertmond Koroveshi, ishte hetuar nga KPK.
Buhali i tha Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se ajo ishte distancuar nga ish-bashkëshortit, duke patur parasysh divorcin, ndërsa po ashtu tha se pavarësisht kësaj rrethane duhej të mbahej parasysh prezumimi i “pafajësisë së tij”, duke pretenduar se ai nuk mund të konsiderohej si “kontakt i papërshtatshëm” pa pasur ndaj tij një vendim gjykate.
Trupa gjykuese që po kreun procesin e vetingut për Buhalin përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari.
Margarita Buhali ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2013, me dekret të Presidentit të Republikës, Buhali është emëruar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, ku punon aktualisht. Margarita Buhali u zgjodh përmes shortit elektronik anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019.