Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Valbona Vata gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja e Apelit Shkodër, Valbona Vata përballet me vetingun

Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa burimesh financiare për pagesën e një kësti të një apartamenti në Tiranë dhe vonesa në arsyetimin e vendimeve. Gjyqtarja Valbona Vata kërkoi që analiza financiare të kryhej së bashku me anëtarët e familjes së origjinës dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Valbona Vata gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Valbona Vata u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për Vatën kryesohet nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Valbona Vata ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe është emëruar fillimisht në Gjykatën e Korçës. Në vitin 2003, Vata e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Rrethit Shkodër, ndërsa në vitin 2007 është emëruar kryeinspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vata punon si gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Shkodrës prej vitit 2012. Paralelisht me funksionin si gjyqtare, ajo është angazhuar në mësimdhënie në institucione private si dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni evidentoi pamundësi financiare për një pjesë të vlerës së këstit të parë të një apartamenti në Tiranë, të porositur në vitin 2010.

Relatorja Çiftja shpjegoi se gjyqtarja Vata e kishte porositur apartamentin në Tiranë në vitin 2010 kundrejt vlerës 6.3 milionë lekë që ishte shlyer me dy këste, i pari në shumën 1.3 milionë lekë në momentin e nënshkrimit të kontratës dhe vlera 5 milionë lekë në 2011-ën.

Komisioni i ka gjetur të sakta deklarimet e gjyqtares Vata për këtë pasuri, por konstaton pamundësi për shlyerjen e këstit të parë. Çiftja pohoi se gjyqtarja Vata ka deklaruar si burim për këstin e parë kursimet, por se në deklaratat periodike nuk e ka pasqyruar kursime në  cash. Sipas Komisionit, nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 389 mijë lekë për shlyerjen e këstit të parë.

Për pagesën e këstit të dytë, gjyqtarja Vata ka deklaruar si burim një kredi në shumën 5 milionë lekë. Çiftja tha se ka rezultuar se subjekti e ka shlyer rregullisht kredinë dhe se ka pasur burime financiare të mjaftueshme.

Gjyqtarja Valbona Vata shpjegoi gjatë seancës dëgjimore se ajo kishte jetuar së bashku me familjen e origjinës dhe se llogaria kishte qenë e përbashkët. Ajo kërkoi që analiza financiare të kryhej edhe bazuar në të ardhurat e krijuara nga prindërit dhe motra e saj dhe këmbënguli se kishte pasur burime të mjafuteshme për pagesën e këstit të parë.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e një autoveture në vitin 2010 kundrejt shumës 320 mijë lekë. Gjithashtu, ka rezultuar se ajo ka pasur burime të mjaftueshme edhe për blerjen e e një autoveture tip Benz në vitin 2009, që ia ka dhuruar po atë vit motrës së saj.

Relatorja Çiftja tha se Komisioni kishte hetuar pasuritë e bashkëshortit para martesës, por nuk ishin gjetur indicie për pasuri të fshehura. Ajo shtoi se analiza financiare e përgjithshme që përfshinte periudhën 2001-2018 kishte rezultuar në përgjithësi pa probleme, veç balancës negative në vitin në vlerën 389 mijë lekë dhe një pamundësi në shumën 92 mijë lekë në vitin 2008.

Gjyqtarja Vata mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Ndërsa për profesionalizmin u evidentuan disa gjetje që kishin të bënin me vonesa në arsyetimin e vendimeve, mospasqyrimin e shpenzimeve gjyqësore, si dhe të drejtës dhe afatit për ankim në vendimet e zbardhura.

Relatorja Çiftja sqaroi se për të njëjtat probleme ishin kryer disa ankesa pranë inspektoriatit të ish-këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe se ndaj subjektit ishte tërhequr vëmendje me shkrim lidhur me mosrespektimin e afateve të arsyetimit të vendimeve. Çiftja evidentoi edhe verifikimin e artikujve në media lidhur me vendimin e Vatës për mospezullimin e punës së tre hidrocentraleve në lumin Valbonë.

Sipas relatores Çiftja, edhe në denoncimet nga publiku janë paraqitur ankime për vonesa të zbardhjes së vendimeve, zvarritje të procesit, për vendime të padrejta dhe mospërputhje në pjesën arsyetuese. “Në denoncimet e kryera nga publiku nuk janë konstatuar prova që mund të jenë penalizuese për subjektin e rivlerësimit,”sqaroi relatorja.

Gjyqtarja Vata shpjegoi gjatë seancës dëgjimore se legjislacioni nuk përcakton që gjykatat e Apelit duhet të pasqyrojnë shpenzimet procedurale. Ajo shtoi se pasqyrimi i këtyre shpenzimeve në Apel kryhet vetëm me kërkesë të palës ndërgjyqëse. Të njëjtin argument ajo dha edhe lidhur me rastet e konstatuara për mospasqyrim të së drejtës dhe afatit të rekursit. Vata pohoi se afati për ushtrimin e rekursit niste në momentin e njohjes me vendimin. Lidhur me vonesat për arsyetimet e vendimeve, Vata fajësoi kohën që kërkonin veprimet procedurale.

Në përfundim të seancës dëgjimore, gjyqtarja Valbona Vata tha se e vlerësonte hetimin adminsitrativ të kryer nga Komisioni dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 23 dhjetor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *