Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ
Lajme

KLGJ pezullon procedimin disiplinor për dy gjyqtarë të shkarkuar

Këshilli i Lartë Gjqësor, KLGJ vendosi të enjten më 11 maj të rrëzojë kërkesën e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për vijimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve të Elbasanit, Bujar Musta dhe Ramazan Avdiu, të dy të shkarkuar nga Komisionit i Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim u vendos pezullimi i procesit disiplinor derisa Kolegji i Posaçëm i Apelimit të japë vendimin përfundimtar lidhur me procesin e vetingut për këta dy magjistratë.

Hetimi administrativ ndaj Mustës dhe Avdiut ka filluar për zvarritje gjykimi nga ish-inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2017 dhe është transferuar pranë ILD-së në shkurt 2021. ILD konstaton shkelje të gjyqtarëve dhe i kërkoi KLGJ-së që të caktojë ndaj Mustës masën disiplinore “ulje e pagës, deri në 40%, për një periudhë jo më gjatë se një vit” dhe “vërejtje publike” për Avdiun.

Musta parashtroi ndër të tjera se masa për uljen e pagës ka të bëjë me masën e rrogës neto dhe jo ndaj pagës së tij të reduktuar për shkak të pezullimit nga detyra të ardhur si rrjedhojë e shkarkimit në KPK.

Ai theksoi se kishte kërkuar me shkrim pezullimin e procedimit deri në vendimin e KPA-së. Po ashtu, solli në vëmendje se në raportin e ILD-së mundojnë dokumente që janë në dosjet e gjykuara prej tij.

Gjyqtari Avdiu pretendoi se hetimi i ILD-së mbi një çështje pas vitit 2016, nuk ishte i bazuar në vendimarrje për të shtuar objektin e hetimit administrativ dhe për rrjedhojë nuk duhet të konsiderohet. Ai pretendoi se nuk kishte kryer shkelje. Sipas, Avdiut, edhe nëse do të konkludohej se ka bërë shkelje, nuk gjendet në rastin e “vërejtjes publike”. Ai argumentoi se “vërejtje publike” jepet në rastet kur shkelja është publike. “Dhe po të konsiderohet, nuk ka vend për masë disiplinore pasi nuk ka ardhur asnjë pasojë pasi palëve nuk u është cënuar e drejta për një proces të rregullt”, pretendoi Avdiu.

Megjithëse ILD pretendoi se nuk egzistojnë kushtet e pezullimit, duke argumentuar se procesi i tyre nuk ka lidhje me atë të vetingut, Kolegji vendosi të pezullojë këtë proces disiplinor deri në përfundimin e shqyrtimit të ankimeve të Mustës dhe Avdiut në KPA.

Bujar Musta u shkarkua nga detyra prej Komisionit më 17 shtator 2021, pasi u konkludua se me veprimet dhe mosveprimet e tij kishte cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Në vendimin e KPK arsyetohet se ai ka kyer veprime fiktive për të fshehur një apartament, si dhe ka favorizuar të pandehurit me veprime të kundërligjshme në ushtrimin e detyrës.

Ramazan Avdiu u shkarkua me 6 maj 2021 me shumicë votash. Shumica e trupës së KPK konkludoi se gjyqtari i Elbasanit, Ramazan Avdiu ka vepruar si tregtar në disa huadhënie ndër vite dhe ngriti dyshime se me këto veprime kishte krijuar një skemë për justifikimin e të ardhurave duke cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Pakica çmoi se Avdiut nuk iu dha mundësia për një mbrojtje objektive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *