Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Altina Nasufi | Foto : Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Probleme me pasurinë, KPK përmbys DSIK-në për gjyqtaren Altina Nasufi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka hedhur poshtë si të pabazuar në prova raportin e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar se gjyqtarja Altina Nasufi ishte përfshirë në veprime të paligjshme.

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Altina Nasufi | Foto : Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja Altina Nasufi është përballur me konstatime negative për kriterin e pasurisë gjatë seancës dëgjimore në KPK, ndërkohë që Komisioni ka hedhur poshtë konstatimin e DSIK-së se e ajo ishte e papërshtatshme për të vazhduar detyrën si gjyqtare, për shkak të përfshirjes në veprime të paligjshme.

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të hënën me 27 korrik, gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit u përball me pyetje për një hua 27 mijë euro marrë nga motra e bashkëshortit për blerjen e një apartamenti dhe për mosdeklarim të burimeve financiare për këtë aset.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Nasufi përbëhet nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonçi Petkoviç.

Subjekti i është nënshtruar procesit të rivlerësimit për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Altina Nasufi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua fillimisht gjyqtare në Gjykatën e Dibrës, ku e ushtroi funksionin për një dekadë. Në vitin 2013, ajo u dekretua nga Presidenti i Republikës si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.

Gjetjet për pasurinë

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar se deklarimet e kryera nga gjyqtarja Nasufi nuk ishin të sakta – si dhe nuk kishte pasqyruar ndër vite burimet e krijimit të pasurisë.

Relatori Hamitaj u ndal gjatë në hetimin administrativ të kryer për një apartament 84 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2006 në shumën 7.4 milionë lekë.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Nasufi ka deklaruar bono thesari në shumën 3.5 milionë lekë të dhuruara vjehrri; një hua në vlerën 27 mijë euro nga motra e bashkëshortit; kursime nga ky i fundit në shumën 400 mijë lekë dhe kursime nga paga e saj si gjyqtare, por pa përcaktuar vlerë konkrete.

Hamitaj tha se çmimi i kontratës së shitjes së vitit 2009, ndryshon nga vlera e përcaktuar në kontratën e sipërmarrjes në vitin 2005. Sipas Komisionit, vlera e pasqyruar në kontratën e sipërmarrjes ishte 67 mijë e 500 euro dhe e konvertuar në monedhën shqiptare, në shumën 8.2 milionë lekë.

Kontrata e shitjes në vitin 2009 është 7.4 milionë lekë, me një diferencë prej 800 mijë lekësh me kontratën e sipërmarrjes.

“Ndonëse kontrata është e njëjta me atë të vitit 2005, rezulton se çmimi është ulur në kontratën e vitit 2009, në shumën e diferencës mes vlerës së përcaktuar në vitin 2005 me atë të përcaktuar në kontratën përfundimtare të shitjes”, shpjegoi Hamitaj.

Sipas relatorit, në deklarimin periodik të vitit 2005 subjekti nuk kishte deklaruar kontratën e sipërmarrjes dhe as pagesa e këstit të parë 28 mijë euro.

Hamitaj pohoi se edhe në vitin 2006, Nasufi nuk e ka deklaruar burimin e kësaj pasurie, ndërsa shtoi se më pas ka dorëzuar dokumente dhe shpjegime në ILDKPKI.

“Subjekti ka dhënë shpjegime për këto konstatime të cilat do të vlerësohen gjatë vendimmarrjes përfundimtare”, pohoi Hamitaj.

Në vitin 2007 subjekti ka deklaruar pagesën e këstit të fundit në vlerën 15 mijë euro. Si burim të kësaj pagese, Nasufi ka deklaruar bonot e thesarit të dhuruara bashkëshortit nga babai i tij dhe të ardhura nga pagat.

Komisioni konstaton se Nasufi nuk e ka deklaruar në vitin 2005 vlerën 3.5 milionë lekë të dhuruar nga vjehrri. Sipas Hamitajt, evidentohen mospërputhje me vlerën e dhuruar, pasi në vitin 2006 është deklaruar në shumën 3 milionë lekë; në deklaratën noteriale të dhurimit pasqyrohet në shumën 3.4 milionë lekë, ndërsa në deklaratën veting, 3.5 milionë lekë.

Në seancë u relatua pamundësi e vjehrrit për të kursyer shumën e dhuruar në vlerën 71 mijë lekë.

Për shumën 27 mijë euro të marrë nga motra e bashkëshortit, Hamitaj tha se Nasufi nuk e ka deklaruar këtë hua në vitet 2005 dhe 2006, si edhe detyrimin për kthimin e kësaj vlere. Sipas Hamitajt, ka mospërputhje në deklarimin e vlerës së huasë, si dhe deklarime të paplota për kthimin e kësaj shume. Ai shtoi se subjekti nuk e ka deklaruar një diferencë në shumën 5000 euro në vitin 2011.

Sipas Komisionit në vitin 2005, subjekti nuk ka deklaruar edhe një shumë 397 mijë lekë të përfituar prej bashkëshortit nga bonot e thesarit. Për arsye të mosdeklarimit të kësaj vlere, nuk është marrë në konsideratë në kryerjen e analizës financiare gjendja cash në vlerën 400 mijë lekë e pasqyruar në vitin 2006.

“Nëse konsiderohet gjendja cash, atëherë duket se në vitet 2005 dhe 2006 subjekti ka kryer deklarim të paplotë”, tha Hamitaj.

Komisioni evidenton pamundësi për krijimin e kursimeve të deklaruara në vlerën negative 112 mijë lekë në vitin 2005 dhe në shumën 512 mijë lekë në vitin 2006.

Nga analiza financiare e kryer nga Komisioni për periudhën 2003-2016, ka rezultuar një balancë negative në vlerën totale 512 mijë lekë. Hamitaj tha se kjo balancë negative konstatohet duke marrë në konsideratë si “burim të ligjshëm” huanë e marrë nga motra e bashkëshortit në shumën 27 mijë euro.

Gjyqtarja Altina Nasufi vlerësoi punën e KPK në fillim të fjalës së saj.

Ajo shpjegoi se pasuria e krijuar gjatë martesës ishte apartamenti i vetëm ku jeton që sipas saj është diktuar nga të ardhurat dhe shpenzimet modeste.

“Kursimet e një jete të familjarëve të bashkëshortit janë investuar për të siguruar strehimin e familjes së djalit të tyre,” tha ajo.

“Ka pasaktësi në deklarime të cilat kanë ndodhur në vitet e para kur kishte mangësi informacionesh për plotësimin e formularëve”, pohoi ndër të tjera gjyqtarja Altina Nasufi.

E pyetur nga Hamitaj për mundësitë konkrete të motrës së bashkëshortit për të kursyer vlerën 27 mijë euro që u ka dhënë hua, Nasufi shpjegoi se një pjesë e kontributit ishte krijuar nga puna e pjesëtareve të familjes së kunatës para emigracionit.

“Kemi sjellë dokumente edhe nga shteti grek që vërtetojnë se burimi i shumës 27 mijë euro është i ligjshëm dhe se familja e motrës së bashkëshortit ka pasur mundësi për krijimin e kësaj vlere,” tha Nasufi. “Ka pasur mundësi, edhe pse është e vështirë të provohen të gjitha të ardhurat reale”,  shtoi ajo.

Hamitaj e pyeti gjithashtu edhe lidhur me llogarinë dyemërore të depozitës bankare në emër të bashkëshortit dhe motrës së tij, që ishte përdorur për depozitimin e vlerës 27 mijë euro të huasë. Relatori vuri në dukje se motra e bashkëshortit kishte kryer vetëm një depozitim në këtë llogari në shumën 11 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër nuk ishte kryer prej saj.

Gjyqtarja Nasufi tha se llogaria dyemërore ishte çelur në vitin 2003, dy vite para martesës. Sipas Nasufit, motra e bashkëshortit jetonte dhe punonte si emigrante në Greqi dhe se në atë kohë e kishte vështirë të vinte shpesh në Shqipëri.

“Është menduar që kur ajo të mos vinte dot në Shqipëri, vlerat do t’i depozitonte i vëllai”, shpjegoi Nasufi.

Më pas ajo u pyet edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar Tonçi Petkoviç lidhur me llogarinë dyemërore. Petkoviç kërkoi shpjegime se cili i kishte kryer depozitimet e vlerave të tjera veç asaj në shumën 11 mijë euro.

“Mund të them se një pjesë e derdhjeve janë kryer nga bashkëshorti, pasi mota e tij nuk vinte dot ti kryente vetë këto veprime. Ka qenë në interesin e saj që të krijonte depozitën në Shqipëri”, pohoi Nasufi.

Petkoviç e pyeti Nasufin nëse ishte e sigurt se depozitimet e kryera prej bashkëshortit në llogarinë dyemërore ishin të ardhura të siguruara nga motra e tij. Nasufi shpjegoi se në gusht të vitit 2005 kishin kryer ceremoninë martesore dhe se kunata kishte ardhur në Shqipëri për të qenë e pranishme. Sipas Nasufit, e motra i kishte dhënë një shumë parash bashkëshortit në muajin shtator.

Vëzhguesi ndërkombëtar e pyeti Nasufin edhe lidhur me çmimin e ndryshëm të apartamentit në kontratën e shit-blerjes nga ajo e pasqyruar në kontratën e sipërmarrjes. Nasufi shpjegoi se ajo dhe bashkëshorti në atë periudhë jetonin dhe punonin jashtë Tiranës dhe se kishin rëndë dakord që të gjitha veprimet t’i kryente shoqëria, si pagesën e taksës së objektit, etj. . Sipas saj, më pas është bërë zbritja. Nasufi këmbënguli se vlera reale e paguar për apartamenti ishte 67 500 euro.

Komisioni nuk identifikoi probleme për dy apartamente në Bulqizë të përfituara nëpërmjet privatizimit, ku subjekti dhe bashkëshorti rezultonin bashkëpronarë me familjarët e tyre.

KPK kundër DSIK për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar dy raporte në Komision për gjyqtaren Nasufi. Në raportin e parë të vitit 2017, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e gjyqtares Altina Nasufi për vazhdimin e detyrës. Pasi KPK i ka kërkuar përditësim të raportit, DSIK ka ndryshuar qëndrim duke ngritur dyshime për përfshirje të gjyqtares Nasufi në veprime jo ligjore dhe ka konluduar papërshtatshmërinë e saj.

Relatori Hamitaj tha se dyshimet e DSIK ngrihen mbi dy çështje që janë trajtuar edhe në kriterin e profesionalizimit. “Nga analizimi i dy dosjeve profesionale nuk janë evidentuar indicie apo prova për konkluzionet e DSIK”, pohoi Hamitaj.

Nasufi e konsideroi raportin e dytë të DSIK të pabazuar në prova.

“Kam mbetur pa fjalë”, tha ajo.

Lidhur me profesionalizmin Hamitaj tha se në disa raste ka pasur zgjatje të shqyrtimit të çështjeve jashtë afateve.

Të 12 ankesat e depozituara pranë Inspektoriatit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë arkivuar nga ky i fundit dhe nuk ka rezultuar që ndaj Nasufit të jetë nisur ndonjë procedim disiplinor.

Ndaj gjyqtares Altina Nasufi janë depozituar gjithsej 34 denoncime nga publiku. KPK konstaton se në pjesën më të madhe të denoncimeve nuk janë gjetur probleme.

Relatori Hamitaj evidentoi dy denoncime, ku në një rast pretendohet se Nasufi ka dhënë vendim të padrejtë dhe se nuk ka zhvilluar proces të rregullt. Nga verifikimi i KPK ka rezultuar se kërkesë padia e denoncuesit është pranuar pjesërisht. Sipas tij, nuk është marrë parasysh kërkesa për dëmshpërblimin e tij, edhe pse gjykata e ka pranuar se largimi nga detyra nga qenë i paligjshëm. Denoncuesi pretendon gjithashtu se nuk është njoftuar për zhvillimin e seancës.

Hamitaj evidentoi si kontradiktë të vendimit të dhënë nga gjyqtarja Nasufi, faktin se në një prej faqeve të vendimit përshkruhet kërkesa e dëmshpërblimit, ndërkohë që subjekti ka shpjeguar para Komisionit se kjo kërkesë nuk ka ekzistuar.

Gjatë fjalës së saj, Nasufi shpjegoi se në ndryshim nga shqyrtimi në shkallën e parë, nëse ato që janë paraqitur në padi nuk kërkohen nga paditësi në Apel, atëherë konsiderohet heqje dorë. “U qëndroj të gjithë parashtrimeve me shkrim”, tha ajo.

Ndërsa për një çështje penale të gjykuar nga Nasufi në Gjykatën e Dibrës, Hamitaj tha se Komisioni nuk ka gjetur parregullsi domethënëse dhe se dënimi është bazuar në kërkesën e prokurorit.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Altina Nasufi deklaroi se gjatë gjithë karrierës së saj kishte dhënë drejtësi sipas ligjit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 29 korrik, ora 10:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *