Nga një seancë gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Ish-gjyqtarit Astrit Haxhialushi i ndalohet rikthimi në drejtësi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerësoi se kur ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës dha dorëheqjen nga detyra, duhej të kishte konsideruar edhe pasojat juridike që do t’i sillte në vijimësinë e karrierës.  

Nga një seancë gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ish-gjyqtarin e Apelit Tiranë, Astrit Haxhialushi. KPK kishte vendosur ndëprerjen e procesit të vetingut pas dorëheqjes së tij, si dhe heqjen e të drejtës për të mbajtur një pozicion në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Trupa gjykuese e përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore dhe Ardian Hajdari, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz anëtarë, vendosi të hënën në unanimitet të rrëzojë shkaqet e ankimit të Haxhialushit, i cili kërkonte shfyqizimin e pikës 2 të vendimit të KPK, që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë.

“Kur subjekti ka vendosur me vullnetin e tij të lirë të hiqte dorë nga detyra funksionale, duhej të merrte parasysh pasojat juridike që sillte dorëheqja, pavarësisht arsyeve të saj, jo vetëm në drejtim të ecurisë së procesit të rivlerësimit, por edhe në vijimësinë e karrierës së tij”, tha kryesuesja Albana Shtylla gjatë shpalljes së vendimit, duke e vlerësuar vendimarrjen e KPK të bazuar në përcaktimet Kushtetuese. Lidhur me pretendimin e Haxhialushit se sanksioni nuk ishte propocional, Kolegji vlerësoi se ky shkak nuk është objekt i këtij gjykimi.

Ish-gjyqtari Haxhialushi nuk ishte i pranishëm në seancën publike të hënën. Kryesuesja Shtylla tha se dy trupa gjykuese të shortuara për shqyrtimin e kërkesave të subjektit për përjashtimin e relatores Ina Rama dhe anëtares Natasha Mulaj, ishin rrëzuar.

KPK filloi procesin e rivlerësimit për Haxhialushin në fund të shtatorit të 2018-ës. Një vit më vonë, më 10 tetor 2019, ish-gjyqtari paraqiti në Këshillin e Lartë Gjyqësor dorëheqjen nga detyra. Bazuar në dorëheqjen e Haxhialushit, KLGJ ka vendosur në dhjetor të 2019-ës të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt rivlerësimi.

Nga verifikimet e kryera, Komisioni ka konstatuar se Haxhialushi nuk ka kryer ankim ndaj vendimit të KLGj dhe më datë 7 janar, vendosi të ndëpresë procesin e rivlerësimit dhe të deklarojë humbjen e së drejtës së tij për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *