Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kandidati për gjyqtar akuzon KPK-në për standard të dyfishtë pas shkarkimit

Ndihmësi ligjor Artor Ylli e cilëson të padrejtë dhe të influencuar politikisht vendimin e KPK-së për shkarkimin e tij nga detyra dhe ndërprerjen e studimeve në Shkollën e Magjistraturës.

Ndihmësi ligjorë pranë Gjykatës Administrative Artor Ylli, gjatë seancës së KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Kandidati për gjyqtar dhe njëherazi ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Artor Ylli, i cili u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka reaguar me anë të një deklarate, ku e cilëson këtë vendim si një përpjekje për të vënë gjyqësorin nën kontrollin e ekzekutivit.

Në deklaratën e tij, Ylli i cilëson konstatimet e KPK-së lidhur me mungesën e integritetit gjatë punës si avokat si të pavërteta dhe të influencuara politikisht.

“Integritet nuk kanë dy anëtarët e KPK-së, që kanë konfirmuar gjyqtarë të diktaturës komuniste, gjyqtarë të korruptuar që figurojnë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me shumë denoncime nga qytetarët,” shprehet Ylli.

Më datë 2 nëntor 2018, trupa gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja si kryesuese, Roland Ilia relator dhe Brunilda Bekteshi, anëtare, shkarkoi me shumicë votash nga detyra Yllin.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar dy ditë më parë, më datë 31 tetor,  relatori Roland Ilia u shpreh se vlerësimi i subjektit është bazuar në të tre komponentët; në kriterin e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe aspektin profesional.

Nga hetimi administrativ i KPK-së rezultoi se subjekti rivlerësimit kishte kryer tre transferta valute për llogari të një shtetasi kinez, konkretisht në vlerat 16 mijë dhe 10 mijë USD në vitin 2010 dhe 30 mijë USD në vitin 2012. Ylli paraqiti para komisionit deklaratën e një shtetasi, në zyrën e të cilit kishte kryer stazhin si avokat, ku citohej se këto transferta ishin kryer për llogari të personit në fjalë. Gjithashtu, komisioni konstatoi se ai kishte detyrime të pashlyera kundrejt Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe njësisë administrative Kashar.

Në deklaratën e tij Ylli i kundërshton gjetjet e KPK-së përsa i përket transfertave, ndërkohë që shprehet që detyrimet tatimore janë paguar, edhe pse jo të plota.

“Avokati ku kam punuar në atë kohë, ishte aksioner në një shoqëri tregtare dhe rektor në një universitet privat dhe e kam njohur gjatë kohës që kam qënë student në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, pasi ai ishte i angazhuar si pedagog per lëndën e drejta penale,” shpjegoi juristi.

“Detyrimet tatimore janë paguar, por për pamundësi financiare nuk kam mundur t’i paguaj plotësisht ato dhe se transferta është kryer për llogari të avokatit tim, gjatë kohës që punoja në zyrën e tij të avokatisë,” shton ai.

Ylli shkruan se gjatë pesë viteve si avokat dhe tre viteve si ndihmës ligjor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, u ka shërbyer me devocion interesave të qytetarëve shqiptarë. Ai sqaron se shkarkimi i tij për kriterin e pasurisë është i pabazuar.

“Më shkarkuan për kriterin e pasurisë, kur unë banoj akoma në shtëpinë e prindërve dhe nuk kam asnjë pasuri, as makinë, as llogari bankare, por jetoja vetëm me rrogën e ndihmësit ligjor, e cila e shumta shkonte për blerjen e librave,”thotë ai.

Ndërkohë, Ylli aludon se një prej anëtareve të KPK që ka votuar në favorin e tij dukej e kërcënuar ndërsa paralajmëron se do t’u drejtohet institucioneve ndërkombëtare pas vendimit të arsyetuar.

“Anëtarja e KPK-së që votoi në favorin tim, dukej e kërcënuar gjatë zhvillimit të seancës dëgjimore të datës 2.11.2018 dhe po aq e emocionuar sa edhe une. Falënderoj antëtaren e KPK-së që votoi në favorin tim dhe përfaqësuesin e OMN-së dhe u jam atyre mirënjohës përjetësisht”, shprehet ai.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *