Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji i Apelimit administron provat për rihetimin e Edmond Islamajt

Kolegji i Posaçëm i Apelimit administroi të martën prova të reja nga institucionet publike, si pjesë së procesit të rihetimit të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dalë pas një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, | Foto nga : LSA

Kryesuesi i trupës gjykuese Luan Daci e hapi seancën e të martës në Kolegjin e Apelimit, pa e fshehur kënaqësinë që një numër institucionesh publike i ishin përgjigjur pozitivisht kërkesës për dokumente mbi gjyqtarin Islamaj dhe partneren e tij Sonila Toska.

Ai sqaroi se në Kolegjin e Apelimit kanë ardhur disa përgjigje nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Kavajë, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Durrës, Prokuroria e Përgjithshme, si dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të lidhura me të ardhurat e babait të subjektit, një pasuri në fshatin Karpen të Kavajës dhe pasuri të paluajtshme në Durrës të partneres së subjektit.

Më tej trupa gjykuese – e cila përveç Dacit përfshin gjyqtarët Sokol Çomo, Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla, mori nga Islamaj një listë me adresat e të afërmeve më banim jashtë shtetit, e cila ka për qëllim të hedh dritë mbi destinacionin dhe kostot e udhëtimit të gjyqtarit ndër vite. Me tej trupa gjykuese i shpërndau palëve një denoncim të ri të ardhur në adresë të subjektit në Kolegjin e Apelimit.

Pas shpërndarjes së kopjes së denoncimit, kryesuesi Daci i kërkoi Komisionerit Publik Ballhysa të shprehej mbi vlefshmërinë e provave të paraqitura nga subjekti gjatë seancës së parë si dhe të listës së adresave të të afërmeve me banim jashtë shtetit të paraqitur në seancën e të martës.

Ballhysa refuzoi të shprehej mbi vlefshmërinë e provave duke nënvizuar, se në gjykimin e tij nuk ishte e qartë nëse ‘marrja e disa akteve nga gjyqtarët,’ ishte pjesë e një vendimi të ndërmjetëm për çeljen e hetimit gjyqësor ‘ex oficio’ ose si pasojë të kërkesës së Komisionerit Publik. Ai argumentoi se nëse kjo çelje hetimi ishte bazuar në kërkesën e Komisionerit Publik ajo ishte e paplotë. I pyetur nga gjyqtarët, Islamaj u shpreh se e konsideronte të rihapur hetimin me anë të vendimit të ndërmjetëm të marrë gjatë seancës së kaluar, duke nënvizuar se kështu e kishin kuptuar dhe ‘palët, publiku dhe media.”

Seanca u ndërpre për disa minuta pas kërkesës së Komisionerit Ballhysa. Pasi trupa gjykuese u rishfaq, kryesuesi Daci njoftoi Komisionerin se gjyqtarët vlerësonin se vendimi i ndërmjetëm ishte i bazuar në ligj. Më tej Kolegji i dha kohë palëve për tu njohur me provat deri ditën e hënë më datë 17 dhjetor.

Seanca e të martës ishte seanca e tretë e mbajtur në Kolegjin e Posaccëm të Apelimit ndaj gjyqtarit Edmond Islamaj.

Me 16 nëntor Kolegji i Apelimit vendosi të rihapë hetimin ndaj Islamajt – duke pranuar pjesërisht një kërkesë të Komisionerit Publik, për disa elementë të pasurisë familjare të gjyqtarit. Seanca e të martës ishte e treta e mbajtur në KPA, pas ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin Islamaj.

Islamaj ka një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.

Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të funksioni dhe hetimi administrativ i udhëhequr nga relatorja Genta Tafa Bungo, arriti në përfundimin se i përmbushte të tre kriteret e vetingut, përfshirë integritetin e figurës, profesionalizmin dhe kontrollin e pasurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *