Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Kolegji i Apelimit pranon dokumentet e dorëzuara nga gjyqtari Edmond Islamaj

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj kundërshtoi analizën financiare të KPA-së dhe dorëzoi dokumente mbi udhëtimet e tij jashtë shtetit. Pavarësisht kundërshtimeve të Komisionerit Publik, trupa gjykuese vendosi të pranojë një pjesë të deklaratave, ndërsa kërkoi dokumente shtesë.  

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dale pas nje seance te Kolegjit të Posaçëm te Apelimit, | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën të pranojë si prova një pjesë të dokumenteve të dorëzuara nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj dhe kërkoi dokumente shtesë për pretendimet e tjera që lidhen me shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit.

Procesi i rivlerësimit për Islamajn po kryhet në Kolegj nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Luan Daci, me relator Sokol Çomo  dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuez dhe Albana Shtylla.

Përgjatë gjysmë ore, gjyqtari Islamaj kundërshtoi para Kolegjit analizën financiare të kryer nga njësia ligjore, duke pretenduar se nuk gjendej në kushtet e fshehjes së pasurisë.

Islamaj pretendoi se njësia ligjore e KPA kishte shtrirë pa të drejtë vlerësimin në periudhën 2004-2006, pasi nuk është bazuar në anketimet e viteve 2002 dhe 2005 të Institutit të Statistikave lidhur me koston e jetesës.

Ndërsa për udhëtimet e kryera prej tij, familjarëve apo personave të lidhur me të në periudhën 2004-2016, u shpreh se është e vështirë të provohen të gjitha dhe të sigurohen dokumentacione nga institucionet, pasi ka kaluar një kohë e gjatë.

Islamaj shpjegoi se kishte udhëtuar dy herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte vizituar vëllanë dhe kunatin e tij, të cilët jetojnë atje prej vitesh. Ai shtoi  se udhëtimet e tij dhe të familjarëve kishin qenë kryesisht në vendet fqinje me qëllim minimizimin e shpenzimeve.

“Në një rast në një vend fqinj kam fjetur me 10 euro, është një gjë që të mbetet në mendje, por këto janë pjesë e jetës sonë informale,” u shpreh Islamaj. “Më janë quajtur shpenzim edhe kur kam udhëtuar me mjete të të tretëve e nuk kam shpenzuar asgjë,”u ankua ai.

Islamaj depozitoi pranë KPA-së deklarata noteriale të nënshkruara kryesisht gjatë muajit shkurt 2019 nga të afërm dhe miq të tij, ku pretendon se ka qenë për vizitë dhe është akomoduar në vendet fqinje. Mes tyre, depozitoi edhe deklarata të dy shoqatave për udhëtime të kryera me ftesë të tyre, deri në vitin 2015, urdhërat e kryetarit të KQZ-së për udhëtimet e bashkëjetueses së tij si dhe një korrespondencë me email për një aktivitet të zhvilluar nga USAID në Luksemburg.

Kryesuesi i trupës gjykuese, Luan Daci renditi gjithë dokumentet e depozituara nga Islamaj në cilësinë e provës për të kundërshtuar gjetjet e analizës financiare të KPA dhe më pas i dha fjalën Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për t’u shprehur mbi analizën.

Ballhysa deklaroi se gjyqtari Islamaj nuk ka mbuluar me burime të ligjshme 13 nga 14 vitet e analizuara dhe ka një diferencë negative prej 5 milionë lekësh. Ai u ndal te të ardhurat e përfituara nga shitja e tre makinave, që sipas tij duhej të ishin konsideruar fiktive.

“Pasi e ka përdorur, e ka shitur për më shumë se dyfishin,” tha Ballhysa për njërën prej automjeteve.

Ballhysa mbrojti qëndrimin se Kolegji nuk duhej t’i kishte llogaritur këto të ardhura, ku transaksionet sipas tij nuk përputhen me rregullat e tregut. Ai iu referua gjithashtu dy vendimeve të mëparshme, ku KPA nuk kishte marrë në konsideratë deklaratat e subjekteve që nuk përputheshin me provat.

Pasi dëgjoi pretendimet e Islamajt dhe komisionerit Ballhysa, trupa gjykuese u tërhoq një orë

për të marrë vendim lidhur me procedurën që do të ndiqte për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Rreth një orë e gjysmë me vonesë, trupa gjyqësore e KPA mbërriti në sallë dhe shpalli vendimin për të pranuar si prova një pjesë të dokumenteve të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit.

Kryesuesi Luan Daci tha gjithashtu se për të pranuar deklaratat e dy shoqatave italiane, gjyqtari Islamaj duhet të paraqesë dokumente provuese që tregojnë se ato janë të regjistruara në Itali.

Edhe për deklaratat noteriale të të afërmve dhe miqve të gjyqtarit Islamaj, lidhur me akomodimin e tij në shtëpitë e tyre, KPA kërkoi që të vihen në dispozicion dokumente provuese që vërtetojnë se ata kanë qenë rezidentë në shtetet përkatëse në kohën kur janë vizituar nga Islamaj.

Pas këtij vendimi, trupa gjykuese deklaroi se seanca e radhës do të zhvillohet më 26 mars, në orën 11.00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *