Prokurori Julian Zonja pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
KPK Lajme Veting

Prokurori Julian Zonja konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 21 qershor vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Julian Zonja. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Firdes Shulin.

Vendimi për Zonjën u mor pas dy seancave dëgjimore. Në seancën e parë të zhvilluar më 15 maj, prokurori Zonja dha shpjegime për bilancin negativ lidhur me pagesën e një pjese të vogël të çmimit të një apartamenti si dhe për dy çështje profesionale, përfshirë hetimet për vdekjen tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës në Tiranë në vitin 2016.

Komisioni vendosi riçeljen e hetimit administrativ dhe në seancën e dytë dëgjimore më 19 qershor, KPK i kërkoi shpjegime subjektit për rrëzimi në gjykatë të akuzës së tij ndaj dy punonjësve të landfillit të Sharrës për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, si dhe për pezullimin e çështjes për administratorin dhe Bashkinë e Tiranës. Prokurori këmbënguli se hetimet ishin të plota dhe vdekja kishte ndodhur në landfill, por se hetimet për administratorin dhe Bashkinë e Tiranës vareshin nga vendimi i Apelit.

Julian Zonja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Fier. Prej vitit 2008, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *