Gjyqtarja Ardiana Bera | Foto: Edmond Hoxhaj
KP Lajme

Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e gjyqtares Ardiana Bera

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të martën më 18 qershor vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Ardiana Bera. Megjithëse Komisioni i kaloi gjyqtares Bera, barra prove për disa bilance negative në disa vite dhe i kërkoi shpjegime për vendimin si pjesë e trupës që shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për vrasjet e protestuesve më 21 janar të vitit 2011 përpara kryeministrisë, në përfundim u konkludua se subjekti arriti të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë dhe se kishte arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.

Komisioneri Ballhysa, çmon se vendimi i KPK për Beran është i cënueshëm dhe se përmban shkaqe ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA.

Bera e ka filluar karrierën në vitin 1997 dhe deri në vitin 2010 ka ushtruar funksionin si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Në vitin 2010 ajo është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Bera njihet nga opinioni publik për gjykimin e çështjes kundër oficerëve të gardës, Ndrea Prendi dhe Agim Llupi, të akuzuar për vrasjen e protestuesve gjatë tubimit të 21 Janarit, 2011.

Shkaqet e ankimit  

Si burime krijimi të një apartamenti me sipërfaqe totale 136.7 m2 në Tiranë, pasuri e krijuar në vitet 2002-2011, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një banese në qytetin e Krujës në vitin 1999; kursimet familjare në vite të familjes së bashkëshortit; të ardhurat dhe shpërblimet nga puna e saj dhe e bashkëshortit; kursimet familjare dhe ndihmë nga familjarët e tsaj, të deklaruara në vite.

Në përfundim të hetimit administrativ, Komisioni i ka kaluar Beras barrën e provës për pamundësi financiare për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve për periudhën kur është shlyer çmimi apartamentit.

Komisioni, fillimisht, ka analizuar mundësinë e mbulimit me burime të ligjshme të gjendjes cash të deklaruar nga subjekti në deklaratën e parë të pasurisë, prej nga ka rezultuar pamundësi në shumën 2.6 milionë lekë për kursimin e vlerës 5 milionë lekë si kursim cash.

Subjekti ka pretenduar se analiza financiare duhet të përfshijë vlerën totale të përfituar nga shitja e apartamentit në qytetin e Krujës, gjendjen cash të deklaruar në vitin 2003 dhe një hua të marrë nga vëllezërit e saj. Ajo ka shtuar se nuk është konsideruar në analizë shuma 600 mijë lekë e paguar në vitin 2003 dhe e kthyer në 2005-ën nga shoqëria ndërtuese.

Komisioni i ka gjetur bindëse shpjegimet e subjektit duke konkluduar se ajo ka arritur të kundërshtojë barrat e provës për këtë pasuri.

Por, Komisioneri Publik vëren se, vetë subjekti ka deklaruar si burim një hua në shumën 2 milion lekë të marrë nga vëllezërit, ndërkohë që nuk është provuar ligjshmëria e burimit të krijimit të kësaj vlere nga huadhënësit.

Po ashtu, Ballhysa vlerëson se nuk është provuar mundësia financiare e subjektit dhe bashkëshortit për të mbuluar me burime të ligjshme kursimet cash në vlerën 5 milionë lekë, të deklaruara në deklaratën e parë të pasurisë, shumë që është deklaruar si burim për këstet e apartamentit.

“[…]Në kushtet kur: (i) nuk u provua mbulimi me burime të ligjshme i huas në shumën 2.000.000 lekë nga personat e tjerë të lidhur; dhe (ii) nuk u provua krijimi me burime të ligjshme i kursimeve cash të deklaruara si burim krijimi për këstet e paguara për blerjen e pasurisë ‘Apartament me sipërfaqe totale 136,7 m2 ‘, në vitin 2004, vlerësojmë se këto rrethana që lidhen me burimet e deklaruara, afektojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mundësinë e subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur për të mbuluar me burime të ligjshme këstet e blerjes së pasurisë ‘Apartamentit me sipërfaqe 136.7 m2’”, vlerëson Ballhysa.

Ai ndan qëndrim të ndryshëm dhe lidhur me shumën prej 600 mijë lekësh të pretenduar nga subjekti se është kthyer në 2005-ën nga shoqëria ndërtuese, duke sjellë në vëmendje të Kolegjit se ky pretendim bie ndesh me aktet në dosje.

Në përfundim të këtij shkaku, Komisioneri vlerëson se Bera nuk mbulon me burime të ligjshme pagesat e kryera për apartamentin me sipërfaqe 136.7 m2 në Tiranë.

Komisioneri ka përfshirë në ankim edhe gjetjet për një automjet të llojit Mercedes Benz, të blerë në vitin 2007. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Bera ka deklaruar kursimet familjare nga pagat, të ardhurat nga shitja e një automjeti të blerë në vitin 2005 për 300 mijë lekë dhe të shitur në 2007-ën në çmimin 400 mijë lekë. Nga analiza paraprake e kryer në KPK është konstatuar pamjaftueshmëri në shumën 187 mijë lekë, gjetje për të cilën subjektit i është kaluar barra e provës.

Pas shpjegimeve të Beras, Komisioni ka vlerësuar se qëndron pretendimi i saj mbi marrjen në konsideratë të një llogarie bankare të tërhequr në vitin 2007, prej nga ka rezultuar me burime të ligjshme vlera prej 7490 euro, që sipas KPK e mbulon blerjen e makinës.

Komisioneri Ballhysa vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me burimet e automjetit, pasi në 2007-ën nuk ka shënuar burim krijimi, ndërsa në deklaratën “veting” ka sqarur se një nga burimet që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie janë dhe të ardhurat nga shitja e makinës së mëparshme, por që rezulton të jetë shitur disa muaj më vonë.

Në vijim, Ballhysa konstaton se subjekti rezulton me mungesë burimesh për krijimin e depozitës, në të gjitha variantet e analizës financiare, përfshirë dhe atë të depozituar nga vetë gjyqtarja Bera.

Komisioneri Publik vlerëson se rrethanat e konstatuara për këtë pasuri duhen marrë në konsideratë nga Kolegji në vlerësimin tërësor të kriterit të pasurisë.

Në deklaratën “veting”, Bera ka deklaruar një llogari në emër të vajzës në shumën 2.1 milionë lekë. Në të njëjtën deklaratë, në rubrikën “të dhëna konfidenciale”, subjekti ka deklaruar se kishte marrë hua shumën 2 milionë lekë nga vëllezërit, të cilët 1 milion lekë ia kanë bërë dhuratë vajzës së saj. Këtë dhurim nga vëllezërit dhe prindërit, Bera e ka deklaruar dhe në vitin 2006. Në vitin 2007 ajo ka çelur fondin në emër të vajzës në shumën 1 milion lekë, që është shtuar me depozitime cash dhe nga interesa në vite duke arritur në vlerën 2.1 milionë lekë në dhjetor të vitit 2016.

Gjatë hetimit paraprak, Komisioni ka konstatuar se mbetej i paprovuar burimi i ligjshëm i huasë së marrë nga vëllezërit dhe i ka kaluar subjektit barrë prove për mungesë të burimeve financiare për krijimin e depozitës në emër të vajzës në vitin 2007.

Bera ka prapësuar se analiza financiare e bërë për depozitën e vajzës shkëput të ardhurat e siguruara gjatë muajit janar dhe gjendjen cash në banesë në fillim të vitit 2007, si dhe mundësinë e plotësimit të kësaj gjendjeje gjatë të njëjtit vit. Këto shpjegime janë gjetur bindëse nga KPK që ka përmbysur analizën financiare duke konkluduar se Bera kishte pasur mundësi për krijimin e depozitës.

Por, Komisioneri Publik shprehet se nga analizimi i akteve të administruara në dosjen e Komisionit, edhe duke marrë në konsideratë pretendimet e subjektit, se si burim krijimi kanë shërbyer kursimet cash të disponuara në fillim të vitit, të cilat më pas janë zëvendësuar përsëri me të ardhurat e vitit respektiv, rezulton sërish bilanc negativ. Për rrjedhojë, ai vlerëson se Bera gjendet në pamundësi dhe për krijimin e llogarisë në emër të vajzës në vitin 2007.

Komisioni ka aplikuar parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit në vendimarrjen e tij në kriterin e pasurisë për Beran, duke i konsideruar jopenalizuese mospërputhjet e reflektuara në dokumentacionin ligjor për apartamentin.

Ballhysa shprehet se ky arsyetim i Komisionit nuk qëndron. Sipas tij, dhe vetë rezultati financiar negativ i konstatuar nga KPK për vitet 2003, 2005, 2006 dhe 2007, në vlerën rreth 2.2 milionë lekë, tejkalon dhe nuk justifikon në mënyrë objektive masën e proporcionalitetit të zbatuar deri tani nga Kolegji në raste të ngjashme.

Në përfundim, Komisioneri Publik vlerëson se gjyqtarja Ardiana Bera ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe se ka mungesë të burimeve të ligjshme.

Komisioneri trajton dhe vendimarrjen për çështjen e 21 janar, ku subjekti ka qenë në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues.

Komisioni, pas administrimit të shpjegimeve të paraqitura nga Bera, ka vlerësuar se, referuar burimeve të hapura në media, Gjykata e Lartë ka vendosur në mars 2024 transferimin e kësaj çështjeje në SPAK, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi në nëntor të vitit 2023 se hetimet e papërfunduara kishin shkelur të drejtën e jetës së viktimave. Në përfundim, Komisioni ka konkluduar se çështja është ende në gjykim dhe nuk mund të jetë pjesë e vlerësimit profesional për subjektin.

Komisioneri vëren se edhe pse vendimi i referuar, marrë nga GJEDNJ, lidhet me të njëjtën ngjarje, ka të bëjë me një procedim të pezulluar e të ndarë, të ndryshëm nga ai që është objekt i gjykimit të konkluduar me vendimin e shkurtit 2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, ku pjesë e trupës ishte dhe Bera.

Sipas Ballhysës, kjo çështje duhej të ishte trajtuar dhe kërkon që të konsiderohet në vlerësimin tërësor dhe përfundimtar nga ana e Kolegjit.

Në përfundim, Ballhysa kërkon ndryshimin e vendimarrjes së Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares Ardiana Bera.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *