Ndihmësja ligjore e PP, Klerona Meçi | Foto: Edmond Hoxhaj
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e ndihmëses ligjore Klerona Meçi

Ndihmësja ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Klerona Meçi u konfirmua në detyrë më 9 prill me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, komisionereve Alma Faskaj dhe Pamela Qirko, të cilat konkluduan se ky subjekt rivlerësimi kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën, si dhe kualifikues për profeisonalizmin. Relatorja e Pine dali në pakicë, duke çmuar se Meçi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurisë dhe se për gjetje në kriterin e figurës të konsideruara në vlerësimin tërësor, ka cënuar besimin të publikut tek drejtësia pasi ka kryer deklarime të pasakta në kriterin e figurës.

Gjatë seancës dëgjimore më 5 prill, Meçi dha shpjegime për mungesat financiare të babait për blerjen e një apartamenti të përdorur prej saj, si dhe lidhur me mos deklarimin në formularin e kontrollit të figurës të një hetimi ndaj të atit për “Pastrim të produkteve të veprës penale…”.

Pas kalimit të barrës së provës, shumica vlerësoi se subjekti kishte arritur të shpjegonte bindshëm burimin e apartamentit të përdorur. Mospasqyrimi në deklaratën “veting” i pasurive të familjarëve nga ana e subjektit, është konsideruar si një pasaktësi që nuk mund të sjellë penalizim, pasi bilanci financiar ka rezultuar pozitiv.

Pine në pakicë argumenton se të ardhurat nga bujqësia të pretenduara nga Meçi se janë realizuar nga gjyshi si bujk, mbeten vetëm në kuadrin deklarativ e për rrjedhojë nuk arrihet të provohet mundësia financiare për pasurinë që subjekti ka pasur në përdorim.

Lidhur me mosdeklarimin e hetimit ndaj të atit, shumica çmoi se, pavarësisht dijenisë ose jo të saj lidhur me këtë fakt, babai nuk ka figuruar si person i regjistruar në regjistrin e veprave penale si autor i veprës penale dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm.

Pine vëren se subjekti ka punuar si jurist në një shoqëri ku babai ishte ortak, ndërkohë që për një periudhë të konsiderueshme kohe nuk i është kredituar paga, për shkak se llogaritë kanë qenë të bllokuara nga prokuroria. Sipas pakicës, këto të dhëna rrëzojnë pretendimet e subjektit për padijeninë lidhur me procedimin penal të babait dhe shoqërisë ku ajo ishte e punësuar. Pine konkludon se subjekti ka kryer deklarime të pasakta lidhur me komponentin e figurës që cënon besueshmërinë e saj.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa nuk ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin lidhur me ligjshmërinë e pasurive në përdorim. Sipas Komisionerit, mospërmbushja e detyrimit ligjor për të deklaruar burimin e krijimit të pasurive sipas përcaktimeve ligjore, të personave të lidhur dhe pasurive të tyre ka çuar më së paku në pamundësi të kontrollit nga organet e rivlerësimit. Për rrjedhojë, ai e vlerëson deklarimin e subjektit të paplotë e të pavërtetë, duke konsideruar dhe faktin se Meçi nuk arriti të përmbysë barrën e provës, për të provuar bindshëm burimet ligjore të pasurive në përdorim dhe në pronësi.

Sipas Komisionerit, gjendet i pambështetur vlerësimi i Komisionit mbi konsiderimin në mesin e burimeve të ligjshme të babait të subjektit dhe të ardhurat neto nga interesat bankarë, duke argumentuar se nuk duket që transaksioni i pagesës të këstit të parë të apartamentit të ketë të bëjë vetëm me interesat e akumuluara, duke qenë se janë kryer disa transaksione të ndryshme.

Po ashtu, Ballhysa vlerëson se nuk mund të konsiderohen si burim të tjera të ardhura të pretenduara për të cilat nuk janë paguar detyrimet tatimore. Në vijim, Komisioneri vëren se investimet e kryera në pasuri të luajtshme e të paluajtshme të personave të lidhur me subjektin, tejkalojnë ndjeshëm edhe tepricën pozitive të pretenduar nga vetë Meçi.

Pretendimet e subjektit për përfshirje të të ardhurave nga aktiviteti blegtoral i gjyshërve, përveçse konsiderohet nga Ballhysa si një burim i ri i shtuar vetëm në përfundim të hetimit administrativ shtesë, ato mbeten të paprovuara.

Komisioneri vlerëson në përfundim se sjellja e subjektit të rivlerësimit me mosdeklarimin e personave të lidhur në deklaratën “veting”, veprimi i shkëputjes nga certifikata familjare në momentin kur ligji për vetingun e magjistratëve ishte në fuqi, si dhe mungesa e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive, janë rrethana që tregojnë për një qasje që e vendosin Meçin në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe cenimit të besimit.

Në përfundim, Ballhysa kërkon ndryshimin e vendimarrjes së Komisionit për këshilltaren ligjore Klerona Meçi dhe shkarkimin e saj nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *