Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Rreshka akuzon ILDKPKI për manipulim të raportit të vetingut

Gjatë seancës dëgjimore të vetingut, prokurori Dritan Rreshka akuzoi ILDKPKI-në se kishte fshehur prova dhe fakte në raportin e përgatitur për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë që pas një rezumeje të gjatë të karrierës dhe jetës së tij ai i kërkoi KPK-së rikonfirmimin në detyrë.

Prokurori i Prokurorisë së Tiranes, Dritan Rreshka, duke dale nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Kreu i komanduar i prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dritan Rreshka u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përballja me trupën e KPK-së, të përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Xhensila Pine anëtare, nuk ishte e lehtë për prokurorin Rreshka për shkak se Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konflikt të Interesit kishte dërguar në KPK një raport negativ për subjektin.

Sipas ILDKPKI subjekti nuk kishte bërë deklarim të saktë, kishte mungesë burimesh financiare, kishte bërë fshehje pasurie dhe deklarim të rremë.

Indicjet e prodhuara nga raporti i ILDKPKI, janë bërë gjithashtu pjesë e hetimit administrativ të KPK-së, i cili është përqendruar në një shtëpi katërkatëshe – të përfunduar pjesërisht, që prokurori kishte ngritur sipër Qytetit Studenti në Tiranë me të vëllanë e tij duke filluar nga vitet 2003-2004. Ai disponon edhe një investim në bono thesari me vlerë 7.9 milionë lekë ndërsa KPK argumentoi se ai kishte një mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti me vlerë 1.25 milionë lekë në vitin 2011, ndërsa ka pikëpyetje mbi ligjshmërinë e të ardhurave nga qiraja në vitet 2009-2016 dhe të ardhurave nga emigracioni në vlerën 2.8 milionë lekë.

KPK gjithashtu i ka ngarkuar barrën e provës personave të lidhur të prokurorit, në mënyrë te veçantë vëllait dhe kunatës për një kredi 46.9 milionë lekë dhënë kompanisë ‘Il bano’ dhe mamasë së subjektit për një depozitë me vlerë 3.8 milionë lekë në Raiffeisen Bank.

Për sa i përket shtëpisë së ngritur në vitet 2003-2004 tek Qyteti Studenti në Tiranë, ku prokurori zotëron 2 kate me sipërfaqe 134 m2 dhe 166 m2 secili, subjekti ka deklaruar se ka investuar fillimit 2.5 milionë lekë me burim të ardhura nge emigracioni në Greqi dhe organizatën CRS Albania, si dhe ka investuar prej 600,000 lekë për katin karabina në vitin 2009. Sipas KPK-së për këtë aset ka mospërputhje për vitin e ndërtimit, vlerën dhe koston e materialeve të ndërtimit, deklaratave periodike dhe të legalizimit, numrit të kateve të deklaruara dhe ka mungesë burimesh financiare.

KPK gjithashtu deklaroi se subjekti ka mungesë burimesh financiare për investimet në bono thesari në vlerë 7.9 milion lekë në vitin 2015 dhe 2016. Relatorja Çiftja gjithashtu shtoi se kishte mospërputhje në deklaratat për kredinë e butë dhe mungesë burimesh financiare për apartamentin e porositur ne vitin 2011 në vlerë 1.2 milionë lekë nëpërmjet bankës NBG. Ajo shtoi se kishte mungesë dokumentacion për të ardhurat nga qiratë dhe të emigracionit, si dhe personat e lidhur nuk i justifikonin likuiditet e krijuara.

Prokurori Rreshka ishte prezent gjatë seancës dëgjimore dhe gjithashtu asistohej nga avokati Arben Rakipi, njëherazi ish Prokuror i Përgjithshëm dhe një nga autorët e reformës në drejtësi.

Rreshka e filloi mbrojtjen e tij duke u shprehur se ishte në ‘konflikt interesi’ me ILDKPKI dhe se raporti i përgatitur mbi të nga Inspektorati arrinte në konkluzione të “pabaza dhe të njëanshme.” Duke e konsideruar që në momentin e marrjes së barrës së provës këtë raport si të pabazë, subjekti i ka kërkuar KPK-së që mos ta marrë në konsideratë, por me një vendim të ndërmjetëm kërkesa e tij procedurale është hedhur poshtë.

Ne fjalën e tij të gjatë para Komisionit prokurori Rreshka tregoi se kishte filluar të punonte në moshë të njomë- që nga vitet 1994-1995 në Greqi gjatë periudhës së verës për periudha të shkurtra dhe për arsye ekonomike ishte shkëputur nga universiteti ne periudhën mars 1997 deri në tetor 1998 për të punuar në shtetin helen. I ndihmuar dhe nga njohuritë e gjuhës angleze dhe greke kishte punuar në zonën ishullore të ‘Naxos’ në industrinë e turizmit dhe deri në vitin 1998 ka kursyer 2.8 milionë lekë. Prokurori tha se ndryshe nga se pretendon ILDKPKI ai i kishte të dokumentuara këto të ardhura, prova që kanë qenë edhe në dosjen e Inspektoriatit. Rreshka deklaroi se në 23.10.1998 kishte të dokumentuar një depozitë bankare në Raiffeisen Bank me vlerë 1.6 milionë, e cila kishte akumuluar interes 350 mijë lekë deri në dhjetor 2000, kohë kur ka blerë dhe truallin e shtëpisë në Qytetin Studenti.

Gjithashtu ai shtoi se dokumentet e depozituara te sigurimeve shoqërore, tregonin punën e tij në shoqatën amerikane Christian Relief Services Albania nga qershori 1999 deri në vitin 2003, nga të cilat kishte 1.7 milionë të ardhura. Të gjitha këto prova insistoi prokurori kanë qenë të depozituara pranë ILDKPKI, por nuk janë marrë parasysh nga Inspektorati. Gjithashtu ai shtoi se edhe pagesat e tatimit në burim për të ardhurat nga qiratë ishin të depozituara, duke cituara faqet specifike të CD-së së depozituar me deklaratën veting në ILDKPKI. Pagesa e tatimit në burim është konfirmuar edhe me shkresë të Tatimeve për KPK-në.

Shpjegimi i ndërtimit katërkatësh të papërfunduar te Qytetit Studenti mori një kohë të gjatë. Prokurori shpjegoi se në vitin 2000 me kursimet nga emigracioni – kur ishte akoma student, kishte blerë një truall 293 m2, mbi godinën nr 19 me vlerë 800,000 lekë. Më tej nga tetori 2003 deri në Janar 2004 ka filluar bashkë me të vëllanë ndërtimin pa leje të ndërtesës, nga e cila në fillim janë ndërtuar tre kate – dy nga prokurori dhe një nga ai vëllai. Kosto e ndërtimit të këtij objekti ka qenë 2.5 milionë lekë dhe burimi kanë qenë të ardhurat e lartë-përmendura nga emigracioni dhe CRS Albania. Sipas Rreshkës i vëllai ka investuar diku midis 1.6 dhe 1.8 milionë lekë. Në vitin 2005, për shkak se trualli ishte në emër të tij, ai ka aplikuar i vetëm për legalizim për të tre katet, në vitin 2009 kanë shtuar një kat tjetër karabina me vlerë 600 mijë lekë dhe vetëm kur prona është regjistruar në vitin 2012 ai i ka dhuruar gjysmën të vëllait. Rreshka insistoi që ai kishte bërë deklarim të drejtë në deklaratën veting, ku kishte shkruar se kishte ne pronësi një kat 139m2, një kat 166m2 dhe katin e tretë karabina 166m2. Ai ia faturoi pasaktësitë formale të konstatuara nga KPK procesit të komplikuar të legalizimit dhe origjinës informale të pronës.

Megjithatë, prokurori pranoi se kishte bërë dhe një gabim në deklarimin fillestar të pasurisë së gjendjes cash në vitin 2003, kjo për shkak se ai tha se në atë periudhë ishte akoma stazhier në prokurorinë e Tiranës, dhe nuk e kishte akoma të qartë plotësimin e formularit të deklarimit të pasurisë, duke konsideruar që ligji sapo kishte kaluar.

Një tjetër çështje e komplikuar që prokurori sqaroi ishte dhe mungesa e burimeve financiare për apartamentin e porositur në vitin 2011 në vlerë 62.5 milionë lekë, të financuar nga një kredi e butë me vlerë 5 milionë lekë.

Rreshka tha se shuma prej 1.25 milionë lekë nuk ishte paguar në vitin 2011, por gjatë 2014, 2015 dhe 2016-të. Mbas gati 3 vite e gjysmë edhe kredia e butë i ishte kthyer bankës për shkak se kontrata me rezervë për shtëpinë nuk ishte realizuar, pasi pallati në Linzë nuk ishte ndërtuar për mungesë të lejes së ndërtimit.

Për sa i përket kredisë për kompaninë ‘Il bano,’ të dhënë nga vëllai dhe kunata në vitin 2014, Rreshka tregoi se kur të dy personat e lidhur e kishin blerë këtë kompani ajo kishte shumë kreditorë.

“Ajo që është keqinterpretuar si kredi ndaj kompanisë është lista e kreditorëve. Kjo kredi nuk ka ekzistuar kurrë,” tha ai.

Ndërkohë, për llogarinë e së ëmës me vlerë 3.5 milionë lekë në Bankën Raiffeisen, prokurori u shpreh se e ëma kishte punuar për 35 vjet si infermiere dhe kishte te ardhura mbi 5 milionë lekë. Ai shtoi se ky likuiditet bankar përfaqësonte dhe të ardhurat nga pensioni i të atit si ushtarak në vlerë 2.4 milionë lekë si dhe të ardhura nga puna e tij në Greqi.

“Kam dokumente origjinale që kanë pasur të ardhura mbi 8 milionë lekë,” u shpreh Rreshka.

Pas fjalës së gjatë të prokurorit, toni i relatores Çiftja ishte në disonancë me relacionin. Ajo u shpreh se ballafaqimi në seancë kishte qenë mëse i nevojshëm, duke i thënë prokurorit se nëse do kishte qenë në pozicionin e trupës, do ta kuptonte që ata kishin nevojë për sqarime, duke shtuar dhe një notë vlerësimi për kontributin e Rreshkës për reformën në drejtësi.

“Patjetër që dosja kishte nevojë për sqarime për shkak të informalitetit,” tha Rreshka.

Pas fjalës së Rreshkës, avokati Arben Rakipi kërkoi që kreu in prokurorisë së Tiranës mos të ndëshkohej për pasaktësi në deklarim, duke thurur nota pozitive për profesionalizmin e tij dhe duke u shprehur i bindur që dy komponentët e tjerë të rivlerësimit – figura dhe profesionalizmi, i mëshonin faktit që këto pasaktësi nuk përbënin korrupsion.

Në përfundim të procesit prokurori Dritan Rreshka i kërkoi KPK-së konfirmimin në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *