Problemet me pasurinë, gjyqtarja Hajrie Muçmata shtyn përballjen me KPK-në
Lajme

Problemet me pasurinë, gjyqtarja Hajrie Muçmata shtyn përballjen me KPK-në

Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës kundërshtoi analizën financiare dhe pretendoi “anshmëri” të trupës gjykuese, duke shtyrë në një kohë të pacaktuar përballjen me vetingun.

Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Hajrie Muçmata përballë KPK-së. Foto: E.Hoxhaj

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Hajrie Muçmata depozitoi dy kërkesa njëra pas tjetrës të hënën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, duke e detyruar trupën gjykuese të shtyjë seancën dëgjimore. Në çelje të seancës, kryesuesja e treshes gjykuese, Firdes Shuli deklaroi se procesi i vetingut të gjyqtares kishte përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë; çka u kundërshtua nga subjekti.

Në kërkesën e parë, gjyqtarja Muçmata, cila shoqërohej nga avokatja Irena Reso pretendoi se kishte dorëzuar prova që rrëzonin analizën financiare të KPK-së dhe kërkoi riçeljen e hetimeve për kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Alma Faskaj relatore dhe Pamela Qirko anëtare u tërhoqën për pak minuta dhe më pas njoftuan se e kishin rrëzuar kërkesën e gjyqtares Muçmata.

Por vendimi u pasua nga një kërkesë e dytë e Muçmatës, e cila pretendoi se në analizën financiare i ishin vendosur qëllimisht vlera të larta për kostot e jetesës.

“Ekspertët u pyesin ju ‘mos është pak’ ose ‘ta përfshijmë lokalin’. Kjo gjë tregon se ata e kanë pasur në dorë të vendosnin ose të hiqnin çfarë të donin në analizën financiare,” pretendoi gjyqtarja Muçamata.

Ajo shtoi se kishte dorëzuar 35 prova të reja që kërkonin kohë të analizoheshin dhe se në këto kushte, konstatonte anshmëri të trupës gjykuese. “Më është caktuar data pa u lexuar aktet dhe duket si një veprim administrativ. Duket që është e paragjykuar,” shtoi ajo, duke kërkuar tashmë përjashtimin e trupës gjykuese.

Pasi u njoh me kërkesën dhe pretendimet e Muçmatajt, kryesuesja Firdes Shuli u shpreh se seanca do të shtyhej derisa kërkesa e dytë e gjyqtares Muçmata të shqyrtohej nga një tjetër trupë gjykuese.

Muçmata nuk është zyrtarja e vetme e sistemit të drejtësisë që pretendon “anëshmëri” të trupit gjykues pasi përballet me konkluzionet e vetingut. Vetëm gjatë tetorit, KPK ka shtyrë seancat dëgjimore edhe me subjektet Elona Kana dhe Brunilda Malo, të cilat kërkuan gjithashtu përjashtim të relatores apo të trupës gjykuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *