Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Medi Bici-anëtar i Gjykatës së Lartë

Gjyqtari Medi Bici mbyll siparin e procesit të vetingut për Gjykatën e Lartë. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Medi Bici është anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë që përballet me procesin e vetingut. Ai është gjithashtu pjesë e listës prioritare për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Seanca dëgjimore me gjyqtarin Bici do të zhvillohet të hënën, ndërkohë që trupi gjykues që ka kryer hetimin administrativ drejtohet nga Xhensila Pine dhe anëtaret Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.

Gjyqtari Medi Bici e ka filluar karrierën në drejtësi në vitin 1994-kur ishte 37 vjeç, pasi është diplomuar jurist nga Fakulteti i Drejtësisë. Në vitin 1993, ai ka punuar si jurist në ndërmarrjen e Qymyrgurit në Valias dhe më pas ka filluar punën si ndihmës-gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Në vitet 1994-2004, Bici ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Tiranës, ndërsa gjatë viteve 2004-2010 në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Në maj të vitit 2013 ai u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë me dekret të Presidentit të Republikës, detyrë të cilën e mban edhe sot. Paralelisht me detyrën si gjyqtar, zoti Bici ka kryer studime pasuniversitare në degën “Shkenca Administrative” në universitetin U.F.O. Në tetor të vitit 2016 ka marrë gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike në të Drejtën Publike nga Fakulteti i Drejtësisë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Medi Bici nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF] 

Skeda e pasurisë së deklaruar e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Medi Bici për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Medi Bici zotëronte një pasuri familjare me vlerë 7.5 milionë lekë në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Referuar deklaratës së tij të vitit 2003, zoti Bici zotëronte një shtëpi dykatëshe të ndërtuar në vitet 1993-1996 në Tiranë në vlerën e 6 milionë lekëve dhe me burim të ardhurat e tij dhe ndihmën e vëllezërve emigrantë në Itali. Ai zotëronte gjithashtu një automjet “Golf 2”, letra me vlerë prej 75 mijë lekësh dhe 500 mijë lekë kursime.

Në fund të vitit 2017, pasuria e gjyqtarit Bici kap vlerën e 12.1 milionë lekëve-duke shënuar një rritje me 1.6 herë krahasuar me vitin fillestar.

Pasuria familjare e gjyqtarit Medi Bici ndahet në 3.2 milionë lekë likujditete në bankë, automjete në vlerën e 1.6 milionë lekëve si dhe 500 mijë lekë kursime në cash. Ai nuk ka shënuar ndryshime në kategorinë e pasurive të paluajtshme-e cila deklarohet sërish në vlerën e 6 milionë lekëve.

Për periudhën deklaruese 2003-2017, familja Bici ka siguruar të ardhura në vlerën e 24.6 milionë lekëve. 99 për qind e të ardhurave përbëhen nga paga e subjektit nga funksioni si gjyqtar dhe ajo e djalit të tij.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.

BIRN identifikoi megjithatë si “flamur të kuq” pasurinë fillestare të gjyqtarit Bici, ku për secilën prej aseteve ai deklaron si burim “të ardhurat nga puna dhe ndihma e vëllezërve emigrantë në Itali”, pa specifikuar kontributin e secilit prej tyre.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

 

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *