Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Dyshimet për konflikt interesi dhe pasuri të pajustifikuara rëndojnë Gjyqtarin Artan Broci

Broci, gjyqtar që nga viti 1996, mori raporte të mira nga ILDKPKI, DISK dhe KLD por hetimi administrativ i vetingut zbuloi disa raste të dyshuara konflikti interesi si dhe ngriti dyshime për pasurinë e tij me vlerë 44 milionë lekë krahas dyshimeve për një pasuri të fshehur në Rrugën e Dibrës në Tiranë.

Artan Broci pas seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve në Tiranë më 27 korrik 2017. Foto: BIRN

Gjyqtari Artan Broci u përball me një raport negativ nga hetimi administrativ i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në të cilën u ngritën pikëpyetje mbi mënyrën se si ai akumuloi pasurinë e përbërë nga disa apartamente e zyra dhe asete financiare me vlerë 10 milionë lekë të investuara në bono thesari.

Mbi Brocin, 45 vjeç, rënduan dyshime edhe për disa raste gjykimi në kushtet e konfliktit të interesit, raste kur ai gjykoi mosmarrëveshje civile të kompanive me të cilat kishte pasur më parë apo pati më pas gjykimit marrëdhënie biznesi dhe dhurimesh.

Broci i hodhi poshtë dyshimet e ngritura duke argumentuar se pasuria e tij ishte e ligjshme dhe se ai kishte paguar të gjitha detyrimet fiskale, por theksoi se ai nuk besonte se ishte detyrë e tij të ruante fatura të vjetra të pagesës së taksave ndërsa shtoi se administrata tatimore kishte refuzuar kërkesën e tij për informacion mbi tatimet e paguara në burim nga qiramarrësit.

Broci hodhi poshtë dyshimet mbi konflikt interesi në disa çështje gjyqësore duke argumentuar se mes vendimit të tij dhe marrëdhënies me palët nën gjykim kishte diferencë kohore, gjë që sipas tij, e zhbënte argumentin e konfliktit të interesit.

Raporti mbi pronat e Brocit dhe familjes së tij vuri në pah se gjyqtari kishte bërë një ndërtim pa leje në vitin 1997 në pallatin ku banonte në rrugën Don Bosko në Tiranë, për të cilin deklaroi se kishte paguar 500 mijë lekë për shtesën me sipërfaqe 65.7 metra katrorë. Komisioni i vetingut deklaroi se kostot e ndërtimit në atë kohë në Tiranë sugjeronin se ky ndërtim pa leje i legalizuar më vonë, mund të kushtonte rreth 1.2 milionë lekë dhe jo 500 mijë lekë. Po në të njëjtën zonë, Broci rezultoi se bleu një apartament të dytë prej 160 metrash katrorë, ku 67 metra ishin shtesë pa leje.

Komisioni deklaroi se shihte mungesë justifikimi të kësaj pasurie me të ardhura të ligjshme, por problemet më të mëdha të Brocit lidhen me një apartament papafingo të blerë prej tij në plazhin e Durrësit në vitin 2006, të cilin ai ka deklaruar se e ka blerë për 47 mijë euro dhe e ka shitur për 102 mijë euro katër vjet më vonë në vitin 2010. Komisioni vëren se ndërsa kontrata e shit-blerjes mes Brocit dhe shtetasit F.Gj., përshkruan shitjen e apartamentit nga Broci, paralelisht me të ekziston një kontratë tjetër, në të cilën, personi me inicialet F.Gj., rezulton se e ka blerë apartamentin drejtpërsëdrejti nga kompania e ndërtimit.

Gjatë seancës Broci bëri të ditur se shtetasi F.Gj., është Frrok Gjini, ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për një transaksion të rremë të përdorur për të justifikuar para me burime të panjohura. Broci e hodhi poshtë këtë dyshim duke argumentuar se në këtë rast, si shitësi, ashtu edhe blerësi, ishin Persona të Ekspozuar Politikisht dhe se sipas tij, transaksionet e këtyre personave janë në vëmendjen e Agjencisë Kundër Pastrimit të Parave dhe nëse do të ishte rast pastrimi parash, ai do të ishte dalluar nga ky institucion. Broci argumentoi më tej vërtetësinë e transaksionit duke argumentuar se ai kishte banuar në atë pallat dhe kishte paguar drita e ujë që në vitin 2008 dhe për rrjedhojë, kontrata e shit-blerjes mes tij dhe Gjinit ishte e vërtetë.

Por Komisioni zbuloi gjithashtu se disa vite më vonë, kompania që i shiti fillimisht apartamentin në Durrës, pati një çështje civile me palë të treta, ku pala e tretë kishte një pretendim në vlerën e 300 mijë eurove ndaj kësaj kompanie. Sipas komisionit, në kushtet e konfliktit të interesit, Broci i dha të drejtë kompanisë dhe rrëzoi pretendimin e palës tjetër. Broci deklaroi se marrëdhënia e tij me kompaninë ishte e vitit 2006 dhe se vite më vonë, nuk ishte më në kushtet e konfliktit të interesit. Për të theksuar situatën e konfliktit të interesit, komisioni vërejti se gjatë përballjeve me subjektin Broci në lidhje me historinë e blerjes së pronës në plazh, Broci kishte deklaruar se e kishte paguar me këste, ndërsa kompania i kishte bërë dhuratë në fund të zbatimit të kontratës një ulje prej 5100 eurosh.

Broci u përball me dyshime edhe për dy raste të tjera konflikti interesi, në njërën, kur një kompani tjetër ndërtimi i dha gjyqtarit materjale ndërtimi dhuratë për ndërtimin e një shtëpie në Shkodër ndërsa në tjetrën, kur ai gjykoi dy herë të njëjtën çështje, një herë si gjyqtar apeli dhe një herë të dytë si gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Edhe për këto dy raste, Broci u mbrojt duke argumentuar se marrëdhënia me kompaninë e ndërtimit që jep materjale ndërtimi dhuratë është disa vite më e vonë nga vendimi i tij mbi mosmarrëveshjet civile të kësaj kompanie ndërsa citoi një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që sipas tij, i jep të drejtë të gjykojë dy herë të njëjtën çështje.

Komisioni deklaroi gjithashtu se nga hetimi administrativ është zbuluar se nën emrin e Brocit gjenden kontratat e energjisë elektrike dhe ujit për një pallat në kompleksin Halili në Rrugën e Dibrës në Tiranë, të cilët Broci nuk e ka deklaruar kurrë. Ky i fundit deklaroi se nuk kishte dijeni për këtë fakt dhe sugjeroi se mund të kemi të bëjmë me një rast të vjedhjes së identitetit.

“As unë dhe as një person i lidhur me mua nuk ka banuar kurrë në atë shtëpi,’ tha Broci, i cili kërkoi rikonfirmimin në detyrë duke argumentuar se i ka pasuritë e ligjshme, ka paguar taksat dhe ka staturë profesionale, së fundmi, duke fituar edhe gradën Doktor nga Universiteti i Tiranës. Ai shtoi se në banesën e tij në katin e parë ishte detyruar në vitin 1997 të bënte rrethim me kangjella për efekte sigurie për shkak të çështjeve të rënda penale që ai shqyrtonte në atë kohë.

Broci u përball edhe me 34 denoncime nga publiku, një numër veçanërisht i lartë në krahasim me ankesat ndaj subjekteve të tjera që i janë nënshtruar vetingut, përfshirë ankesën e një personi të panjohur për të cilin Broci tha se gjendet aktualisht në kërkim policor. Broci i hodhi poshtë ankesat e publikut si palë të pakënaqura nga vendimet gjyqësore.

Broci është anëtar i Gjykatës së Lartë që nga viti 2013 ndërsa ai iu nënshtrua procesit të vetingut me prioritet për shkak se është anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucionit që do të duhet të bëjë renditjen paraprake të kandidatëve të posteve të rëndësishme në sistemin e ardhshëm të drejtësisë, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në rastin e Brocit përbëhej nga relatorja Valbona Sanxhaktari, kryesuesja Xhensila Pine dhe anëtarja Etleda Çiftja.

Vendimi për Brocin pritet të jepet më 31 korrik ora 14.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *