Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

KPA i jep dy javë kohë gjyqtarit Astrit Faqolli për të siguruar dokumente

Në seancën e parë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, komisioneri Florian Ballhysa kontestoi konfirmimin në detyrë, ndërsa gjyqtari Astrit Faqolli deklaroi se vendimi i KPK-së ishte i drejtë dhe se zotëronte burime të ligjshme.   

Gjyqtari Astrit Faqolli dhe avokati i tij në pritje të seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Gjyqtari Astrit Faqolli u përball të enjten me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pas ankimit të bërë nga Komisioneri Publik për konfirmimin e tij në detyrë në shkallën e parë të vetingut.

Shqyrtimi në Kolegj po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci dhe Sokol Çomo.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa deklaroi në seancë se gjyqtari Faqolli ka pasaktësi në deklarimet e pasurisë për vitet 2004 dhe 2005 dhe se sipas tij, vendimi i konfirmimit në detyrë ishte marrë vetëm mbi bazën e deklaratës “veting”.

“‘Deklarata vetting’ nuk ka mbivlerë, pra natyrë prevaluese mbi provat e tjera, sikurse janë edhe deklarimet e interesave private dhe pasurore, të dorëzuara më parë tek ILDKPKI-ja,” theksoi Ballhysa.

Komisioneri Publik kontestoi ligjshmërinë e burimeve për një apartament 83.3 m2 në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, të ardhurat e siguruara nga shitja e një makine, për të cilën gjyqtari nuk disponon kontratën si dhe burimet për blerjen e një trualli dhe ndërtimin e një godine 3-katëshe në Librazhd. Gjithashtu, pjesë e ankimit është bërë një hua prej 10 mijë eurosh nga kunati si dhe kursimet e deklaruara prej 5 milionë lekësh, të cilat shërbyen për blerjen e apartamentit në Tiranë.

“Deklarimet e subjektit kanë qenë në mënyrë të përsëritur kontradiktore për justifikimin e shpenzimeve dhe kursimeve të deklaruara,” tha Ballhysa.

Gjyqtari Astrit Faqolli dhe avokati i tij, Julian Mërtiri i kundërshtuan konstatimet e komisionerit duke u shprehur se pretendimet e këtij të fundit ishin të përgjithshme. Ata u shprehën se vendimi i KPK-së është i saktë dhe i bazuar në prova.

Lidhur me apartamentin, gjyqtari Faqolli dhe avokati i tij shpjeguan se si burim kishin shërbyer të ardhurat familjare ndër vite. Ndërsa huaja 10 mijë euro marrë kunatit, sipas tyre kishte shërbyer për mobilim si dhe për krijimin e një teprice prej 400 mijë lekësh cash në shtëpi.

Avokati i Faqollit sqaroi se huadhënësi ka pasur burime të ligjshme, pasi ka qenë një futbollist i njohur dhe ka pasur kontrata me sport-klube në Zvicër në vitet 1997, 1998 e në vazhdimësi, veç kontratave në Shqipëri. Sipas tij, ka qenë e pamundur të sigurohen gjithë dokumentacionet, por kontratat jashtë shtetit tregojnë se ka pasur burime të mjaftueshme financiare për blerjen e një  apartamenti në Tiranë, shitja e të cilit është deklaruar si burim për huanë 10 mijë euroshe.

“Vlera e tij në treg në vitin 2005 ka qenë 100 mijë euro,” tha avokati Mërtiri, ndërsa shtoi se kishin siguruar dokumentacion nga Federata Shqiptare e Futbollit se kunati i gjyqtarit ishte përzgjedhur si pjesë e kombëtares shqiptare në vitin 1998.

Lidhur me kontratën e shitjes së makinës në vitin 2006, mbrojtësi i Faqollit u shpreh se nuk kanë arritur ta gjejnë për shkak të kohës së gjatë dhe se dy javë më parë i kishin bërë kërkesë ILDKPKI, nëse kontrata e shitjes gjendej mes dokumenteve të dorëzuara më parë në këtë institucion.

Lidhur me ligjshmërinë e burimit të huasë prej 1 milion lekësh për blerjen e një trualli që shërbeu për ndërtimin e një godine në Librazhd, Mërtiri tha se huadhënësi kishte qenë në emigrim dhe më pas kishte hapur dy aktivitete në Shqipëri, duke pasur të ardhura të mjaftueshme.

“Deri më sot, gjithë pasuria e tij përbëhet nga një apartament në Tiranë, një objekt në Librazhd dhe një makinë me vlerë 9 milionë lekë. Ai ka qenë i drejtë dhe i ndershëm në ushtrimin e detyrës së tij,” tha avokati Mërtiri.

Mbrojtja kërkoi që të pranoheshin si prova dokumentet e reja, që sipas tij vërtetonin mjaftueshmërinë e të ardhurave të kunatit të Faqollit për blerjen një apartamenti në Tiranë, mes të cilave edhe kopje të shkrimeve në gazeta ku flitej për lidhjet e kontratave me sport-klube vendase e të huaja.

Gjithashtu, ai kërkoi që t’u jepej kohë për gjetjen e provave të reja për të ardhurat e siguruara pas kthimit prapa të stokut të barnave kundrejt vlerës së tyre në vitin 2002, kur bashkëshortja e Faqollit kishte mbyllur aktivitetin si edhe për kontratën e shitjes së makinës në vitin 2006.

Në fund, mbrojtja kërkoi çeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin Faqolli.

Megjithatë, kërkesa për më shumë kohë në dispozicion nuk u prit mirë nga vëzhguesja e ONM-së, Mia Roessingh.

“Ju kërkoni kohë, ndërkohë që thoni se e keni bërë kërkesën një muaj më parë edhe pse jeni njohur me ankimin e komisionerit në gusht të vitit 2018. Pse nuk keni pyetur më parë për këto informacione?”, pyeti vëzhguesja ndërkombëtare Mia Roessingh. Si mbrojtësi ligjor, ashtu edhe gjyqtari Faqolli u shprehën se kishte qenë e vështirë që t’i siguronin provat.

Trupa e Kolegjit u tërhoq për dy orë dhe më pas vendosi që t’i japë dy javë kohë gjyqtarit Faqolli që të siguronte dokumentet. Seanca e radhës u caktua të zhvillohej më 20 mars 2019.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *