KPA njihet me konkluzionet përfundimtare për Besim Hajdarmatajn

Lajme
Komisioneri Publik Darjel Sina kërkoi shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Besim Hajdarmataj për cënim të besimit të publikut tek drejtësia, ndërkohë subjekti i rivlerësimit pretendoi se e ka përmbushur barrën e provës dhe se qëndrimi i Komisionerit është i pabazuar dhe paragjykues. 

Besim Hajdarmataj dhe avoaktaj Romina Zano pas seancës dëgjimore KPA | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioneri Publik, Darjel Sina u qëndroi të premten gjatë konkluzioneve përfundimtare të gjitha shkaqeve të ngritura në ankimin ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Besim Hajdarmataj.

Pasi paraqiti në mënyrë të përmbledhur konkluzionet e tij, Sina kërkoi shkarkimin e Hajdarmatajt duke vlerësuar se subjekti i rivlerësimit nuk e kaloi dot testin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Prokurori Hajdarmataj dhe përfaqësuesja e tij ligjore, Romina Zano i kundërshtuan konkluzionet e Komisionerit si të pabazuara dhe paragjykuese.

Trupi gjykues i kryesuar Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon, pasi u njoh me konkluzionet përfiundimtare të palëve shtyu seancën për shpalljen e vendimit për më datë 29 korrik, ora 09:00.

Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë më 16 tetor nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilia dhe u referua për procedim disiplinor për një hetim të mbyllur të vitit 2010. Me rekomandim të Operacionit Ndërkomëbar të Monitorimit, ONM, vendimi u ankimua në Kolegj.

Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.

Me ardhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Hajdarmataj u largua fillimisht nga posti i drejtuesit të Krimeve të Rënda dhe në shtator 2018 u komandua në Prokurorinë e Pogradecit. Ai e konsideroi transferimin të paligjshëm dhe me vendim të Gjykatës Administrative dhe më pas të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u rikthye sërish si prokuror i Krimeve të Rënda.

Qëndrimet për pasurinë

Komisioneri Sina deklaroi se prokurori Hajdarmataj nuk arriti të dorëzojë prova për të mbuluar me burime të ligjshme kursimet ndër vite dhe se ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë.

Avokatja Zano evidentoi se në analizën financiare të kryer në Kolegj për periudhën 2010-2012 nuk ishin konsideruar provat e dorëzuara prej tyre dhe se në këto kushte kishte rezultuar balancë negative në shumën 980 mijë lekë. Ajo kërkoi që të konsiderohen të ardhurat nga bonusi për transportin, ose në të kundërt shpenzimet e jetesës të vlerësohen sipas referancave të INSTAT-it dhe jo sipas deklarimeve të subjektit.

Zano këmbënguli se ishte provuar barra e provës për pretendimet e Komisionerit për balancat negative për likujditetet. Ajo e quajti jo të drejtë dhe antikushtetues qëndrimin e Komisionerit që nuk ka konsideruar provat, si dhe në mos respektimin e parimit të proporcionalitetit. Zano shtoi se balanca negative totale përbëhet nga shuma të vogla në vite që janë të papërfillshme.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit kërkoi që të merren në konsideratë edhe provat e dorëzuara për të vërtetuar mbulimin e shpenzimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lidhur me apartamentin e vëllait në përdorim, Zano pohoi se subjekti nuk ka qenë në përbërjen e certifikatës familjare në vitin 2007, kohë kur është krijuar kjo pasuri dhe kur është shlyer e gjithë vlera. Ajo vijoi se Hajdramataj nuk ka pasur interes pasuror në shtëpinë e vëllait, por qëndron aty për shkak të lidhjes familjare.

Për tre dhurime të vëllait për llogari të subjektit të rivlerësimit, Zano solli në vëmendje vendime të Kolegjit ku sipas saj thuhet se duhet të provohet burimi vetëm për pasurinë në fjalë, pa u përfshirë në pasuritë e tjera të personave të lidhur.

“Kemi provuar plotësisht burimet. Këto shuma të dhuruara nuk kanë krijuar pasuri”, tha Zano. Lidhur me gjendjen cash ajo tha se u qëndronin parashtrimeve.

Profesionalizmi dhe vlerësimi tërësor

Sina theksoi se në pesë çështje të verifikuara, ku në disa raste Hajdarmataj ka qenë në rolin e prokurorit dhe në raste të tjera është vlerësuar në cilësinë e drejtuesit, paraqitën mangësi profesionale.

“Si drejtues ka dështuar të përdorë instrumentet ligjorë, në mënyrë të përsëritur”, pohoi Komisioneri Sina dhe shtoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur që të provojë të kundërtën e barrës së provës gjatë procesit në KPA.

Sipas Sinës, mangësitë e konstatuara janë të tilla që nuk mund të justifikojnë konfirmimin në detyrë të Hajdarmatajt.

Gjatë parashtrimeve më 21 qershor, Sina ngriti dyshime se Hajdarmataj ishte gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në hetimin e një çështje në vitin 2010 në prokurorinë e Kurbinit, pasi kishte miqësi me një prej të kallëzuarve, si dhe se kishte cilësuar gabim veprën penale duke disponuar më pas me pushimin e procedimit penal. Po ashtu ai evidentoi se Hajdarmataj, nuk e ka ushtruar detyrën e tij edhe në disa çështje të tjera, kur ai drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Durrësit, pasi nuk ishin kryer hetimet e nevojshme.

Konstatimet e Komisionerit u mbështetën edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs gjatë seancës së 8 korrikut, i cili e konsideroi të turpshme moskryerjen e hetimeve për toenlata drogë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur drejtohej nga Besim Hajdarmataj.

Prokurori Hajdarmataj zgjodhi të mbrohej vetë për kriterin e profesionalizmit gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare. Ai tha se në të gjitha rastet, si për çështjet e hetuara prej tij, ashtu edhe për ato të hetuara nga prokurorët vartës, hetimet kishin qenë të plota dhe në përputhje me ligjin.

“Këndvështrimi i Komisionerit Publik shpreh më shumë këndvështrimin e denoncuesit”, vërejti Hajdarmataj.

Ai analizoi me radhë të procedimet për të cilat Sina ka konstatuar probleme. Hajdarmataj tha se Komisioneri nuk ka kryer asnjë analizë të fakteve lidhur me pretendimin për gjendjen në kushtet e konliktit të interesit në çështjen e hetuar në vitin 2010 në Kurbin. “Nuk ka as indicie”, tha Hajdarmataj dhe deklaroi se edhe vetë Komisioneri nuk është i bindur dhe tenton ta orientojë situatën drejt konfliktit të interesit.

Hajdarmataj pretendoi se Sina nuk ka verifikuar dhe analizuar të dhënat e sistemit TIMS dhe tabulatet telefonike, që sipas tij vërtetonin se ai nuk kishte miqësi dhe se nuk kishte udhëtuar së bashku me personin që pretendohet.

Lidhur me caktimin e tij për hetimin e kësaj çështje, Hajdarmataj u mbrojt me faktin se kishte qenë prokuror i gatshëm. Ai vijoi se hetimi ishte pushuar pasi nuk egzistonte vepra penale për të cilën pretendohej, pasi nuk ishte provuar që të ishin kryer veprime ndaj punonjësve të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, NJMLF dhe se në kallëzimin e kryer nuk pasqyroheshin të dhënat e personave që u ishin sekuestruar pajisjet. Hajdramtaj tha se, edhe urdhëri i punës është dorëzuar nga punonjësit e Njësisë disa orë pas kryerjes së kallëzimit, që sipas tij tregonte se sekuestrimet nuk ishin kryer në funksion të detyrës.

Subjekti i cilësoi të pavërteta dhe paragjykuese konstatimet Sinës për këtë rast.

Lidhur me një procedim të vitit 2017 të regjistruar në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas delegimit të një çështje nga Prokuroria e Përmetit për rreth 12 tonë cannabis sativa, Hajdramataj shpjegoi se bazuar në ndryshimet ligjore, si drejtues nuk kishte kompetencë të ndërhynte në vendimarrjen e prokurorit. Ai tha se kishte pasur kontakte të përditshme me prokurorët për çështjet që ata hetonin dhe këmbënguli se ishin kryer hetime të plota dhe të gjithanshme.

Sipas Hajdrmatajt, personat e proceduar në këtë rast nuk kishin lidhje të drejtëpërdrejtë me sasinë e lëndës narkotike, por ishin marrë nën hetim pasi kishin pasur si detyrë të raportonin çdo paligjshmëri në këtë fushë.

Edhe për dy raste të tjera të verifikuara kur Hajdramtaj kishte qenë në cilësinë e drejtuesit, një procedim i vitit 2013 dhe një i vitit 2015, subjekti pretendoi se ai kishte ushtruar kompetencat e tij sipas ligjit dhe se ishin kryer të gjitha veprimet hetimore të mundshme që kishin mundësuar dërgimin e personave të proceduar për gjykim.

Lidhur me konstatimin për dërgimin e një çështje për drogë për kompetencë nga ish-Krimet e Rënda në Prokurorinë e Durrësit, Hajdramaaj tha se nuk kishte pasur qëllim lehtësimin e pozitës së të proceduarve, por se ishte konkluduar se nuk ishin të përfshirë në trafikim.

Për dërgimin për kompetencë në Prokurorinë e ELbasanit të një çështje në ngarkim të një gjyqtari të Tiranës, kur Hajdramataj drejtonte Prokurorinë e Durrësit, subjekti argumentoi se çështja duhej të hetohej nga prokuroria më e afërt. Ai shtoi se Prokuoria e Elbasanit nuk e kishte dërguar për mosmarrëveshje kompetence në Prokurorinë e Përgjithshme këtë çështje.

Në vijimim, avokatja Romina Zano shtoi se Komisioneri Publik, i cili sipas saj ka për detyrë të mbrojë interesin e publikut, shfaq standarde të ndryshme lidhur me qëndrimin që mban ndaj subjektit të rivlerësimit në cilësinë e drejtuesit dhe ndaj prokurorëve që kanë hetuar çështjet.

“Komisioni Publik për subjektin në cilësinë e drejtuesit thotë se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia, ndërsa për prokurorët e çështjes që vazhdojnë karrierën, Komisioneri nuk e ka parë cënimin e besimit të publikut në këto raste”, pohoi Zano.

Për çështjet e tjera të evidentuara gjatë procesit në KPA, që kanë të bëjnë me mosdeklarimin e një policie sigurimi dhe me denoncime për kontakte të subjektit të rivlerësimit me persona me precedentë penalë, Komisioneri Sina kërkoi që të konsiderohen në vlerësimin tërësor të çështjes.

Ai tha se bazuar në konstatimet gjatë shqyrtimit në Kolegj, nga vlerësimi në tërësi i çështjes bëhet i zbatueshëm neni 61, pika 5 e ligji të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas të cilit subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit.

Duke iu referuar edhe rekomandimit të Operacionit ndërkombëtar të Monitorimit, Sina kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK për Hajdarmatajn dhe shkarkimin e tij nga detyra.

Avokatja Zano e kundërshtoi qëndrimin e Sinës lidhur me konsiderimin e gjetjeve të tjera në vlerësimin tërësor të çështjes. Ajo këmbënguli se ishte e provuar se Hajdarmataj nuk kishte pasur dijeni lidhur me policën e sigurimit ne emër të tij dhe prandaj nuk e kishte deklaruar.

Ajo shtoi se nuk qëndronin edhe pretendimet se subjekti kishte pasur persona me precentë penalë. Sipas Zanos, nuk rezultonte që ata të kenë qenë të hetuar për krim të organizuar dhe se subjekti ka udhëtuar me këta prsona para se ata të procedoheshin. Zano shtoi se çështjet në ngarkim të këtyre personave ishin pushuar dhe kërkoi që këto pretendime të Komisionerit mos të konsiderohen në vlerësimin tërësor të çështjes.

Në fund të fjalës së tij, prokurori Besim Hajdarmataj kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit që e konfirmoi në detyrë.