Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 23 shtator me parashtrimet në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, Elidon Hysenaj. Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, u shpreh se u qëndronte shkaqeve të ankimit dhe vërejti se aktet e gjendura në fashikull lidhur me rrethanat e disa çështjeve të hetuara nga Hysenaj, e bëjnë të pamundur që të arrihet në një përfundim, nëse subjekti i rivlerësimit arrin një nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Ai kërkoi mundësimin e verifikimit në burim të disa informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror për subjektin. Prokurori Hysenaj theksoi se shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa dhe ato të parashtruara nga prokurori Braho nuk qëndronin dhe paraqiti qëndrimin e tij për çdo çështje të trajtuar në ankim.
Prokurori Braho vërejti se gjatë procesit në shkallën e parë të vetingut, ish-Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK e ka ndryshuar raportin pozitiv të dorëzuar për figurën, bazuar në informacione të marra nga institucionet ligjzbatuese për dyshime të ngritura ndaj Hysenajt, për favorizim të disa personave
Pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK i verifikoi këto informacione të DSIK-së, nuk gjeti probleme penalizuese dhe vendosi më 9 tetor të vitit 2023 të konfirmojë prokurorin Elidon Hysenaj. Kjo vendimarrje u ankimua nga Komiioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi që të verifikohen të dhënat e klasifikuara dhe të vendoset në mënyrë alternative, ndryshimi ose lënia në fuqi e konfirmimit të Hysenajt.
Prokurori Braho paraqiti të martën gjetjet për disa çështje të hetuara nga Hysenaj. Sipas tij, pranimi nga subjekti i nevojës së ndryshimit të masave të sugurimit personal ndaj të hetuarve gjatë seancave gjyqësore, sipas kërkesave të palëve, duket i paargumentuar. Në vijim u konstatua mungesë e ecurisë së veprimeve hetimore në një çështje. Po ashtu, u parashtrua se në mungesë të informacioneve të organeve ligjzbatuese për një vendim pushimi, është e pamundur të vlerësohet nëse rasti ngre dyshime për përfshirje të subjektit në episode të papërshtatshme.
Ashtu si Ballhysa, edhe Braho evidentoi nevojën për verifikimin në burim të këtyre informacioneve, që të mund të arrihet të konkludohet lidhur me dyshimet e ngritura për disa çështje.
Subjekti i cilësoi të pabazuara shkaqet e ankimit dhe parashtroi argumentet e tij për gjetjet në çështjet penale që ka hetuar.
Lidhur me zëvendësimin e një mase sigurimi për të cilët Hysenaj kishte deklaruar gatishmërinë, ai solli në vëmendje të Kolegjit faktin se është marrë nga gjykata bazuar në kërkesën e të hetuarit. Subjekti shpjegoi se bëhej fjalë për ndalimin nga policia të dy të rinjve, njërit prej të cilëve i ishte gjetur me vete 0.12 gr kokainë dhe në makinë 0.23 gr cannabis sattiva, ndërsa tjetrit i ishin gjetur shuma parash. Sipas prokurorit Hysenaj, atij të hetuari që i ishte ndryshuar masa i ishte gjetur vetëm para dhe jo lëndë narkotike, ndërsa ishte provuar se aktiviteti që zotëronte familja e tij kishte mundësi. Hysenaj theksoi se zëvendësimi i masës ishte kërkuar dhe ishte bërë në përfundim të hetimeve dhe nuk mund t’i dëmtonte ato. Ai shtoi se qëndrimi i prokurorit në këto raste nuk ka ndikim të vendimarrjen e gjykatës.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe për një çështje tjetër të ngjashme për ndryshim mase, duke nënvizuar se vendimarrja e gjykatës nuk varet nga mendimi i prokurorit. Sipas subjektit, qëndrimi i tij kishte qenë procedural.
Për konstatimin e mungesës së veprimeve hetimore në një çështje, Hysenaj tha se kur e drejtonte ai hetimin veprimet kanë qenë dinamike dhe brenda afatit. Ai sqaroi se më vonë çështja ishte hetuar nga një tjetër prokuror, pasi ishte transferuar në tjetër prokurori.
Lidhur me një vendim pezullimi të një procedimi për korrupsion aktiv, Hysenaj tha se kjo çështje është hetuar dhe prej SPAK e nuk kanë dalë të dhëna. Ai solli në vëmendje se vendimi i pezullimit është i ndryshueshëm në çdo kohë.
Për pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku, Hysenaj deklaroi se ndryshe nga sa parashtrohet, ai i ka kryer gjithë veprimet hetimore në mënyrë dinamike. Po ashtu, evidentoi dhe faktin se ndaj tij janë depozituar vetëm dy denoncime.
Për tre denoncime të mbërritura në Kolegj, përfaqësuesi i SPAK u shpreh se nuk përmbajnë rrethana që mund të ndikojnë në vetingun e subjektit.
Pasi u tërhoq, Kolegji vendosi të mos kryejë hetim të mërejtshëm për denoncimet e reja, ndërkohë u çel hetimi gjyqësor dhe u vendos që trupa të njihet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionet e klasifikuara, në të cilat është bazuar dhe ndryshimi i qëndrimit të DSIK-së.
Seanca e radhës u shty për më datë 6 tetor në orën 13:00, kur palët do të paraqesin dhe konkluzionet përfundimtare.




