Prokurori Naim Tota dhe avokati i tij, Julian Mërtiri në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA njihet me pretendimet në çështjen e prokurorit Naim Tota

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 30 nëntor me parashtrimet në çështjen për prokurorin e Tiranës, Naim Tota dhe pasi pranoi tre akte të dorëzuara nga ky i fundit, mbylli hetimin gjyqësor dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare pas një jave. Komisionerja Publike, Irena Nino parashtroi shkaqet e ankimit duke i qëndruar kërkimit për shkarkimin e Totës për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe probleme në kriterin profesional. Prokurori Tota i cilësoi si presion denoncimet e kryera ndaj tij për çështje për të cilat tha se janë nën hetim. Së bashku me përfaqësuesin e tij ligjor, avokatin Julian Mërtiri ata kundërshtuan shkaqet e Ninos si të pabazuara dhe kërkuan lënien në fuqi të konfirmimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë ankimoi më 12 maj vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Tota, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkobëtar të Monitorimit, ONM.

Tota u konfirmua në detyrë prej KPK me shumicë votash më 10 mars 2023, pasi shpjegimet e tij për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin, u konsideruan bindëse nga shumica e përbërë nga komisioneret Brunilda Bekteshi dhe Pamela Qirko.

Anëtari në pakicë, Roland Ilia kërkoi shkarkimin, duke çmuar se ai nuk kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë. Sipas Ilias, subjekti nuk dha shpjegime bindëse për një apartament të blerë nga kunati në vitin 2016 nëpërmjet një kontrate cedimi, pasuri për të cilën u ngritën fillimisht dyshime se ishte fshehur për 12 vjet, pasi ishte përdorur vetëm nga prokurorit Tota prej vitit 2004.

Komisionerja Publike, Irena Nino, u shpreh ndër të tjera gjatë parashtrimeve të enjten se subjekti i vlerësimit ka qenë poseduesi de facto i apartamentit në Tiranë. Nino tha se faktet çojnë në tjetër vlerësim nga ai i Komisionit që duket se ka vlerësuar në bindjen e brenshme. Sipas Komisioneres, nga rethanat e konstatuara duket se ka situatë të dyshuar për fshehje pasurie. Ajo vërejti se kunati i subjektit nuk e ka përdorur asnjëherë këtë banesë, ku subjekti me familjen e tij kanë jetuar për 12 vjet me radhë, pa kundërshpërblim.

Nino ngriti dyshime edhe për blerjen e apartamentit nga subjekti për të njëjtin çmim që kunati e kishte porositur 12 vjet më parë. Sipas saj, vlera e tregut ishte tre herë më e lartë. Po ashtu, Nino kundërshtoi analizën e KPK lidhur me mundësinë e kunatit të subjektit për blerjen e apartamentit, që sipas saj nuk ka pasur burime të mjaftueshme.

Avokati Julian Mërtiri theksoi se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI është shprehur se subjekti nuk ka kryer fshehje, se nuk është gjendur në konflikt interesi dhe se ka kryer deklarim të rremë. Ai vërjti se ky konstatim është bërë nga institucioni specific që verifikon pasurinë dhe pretendoi se nuk qëndron vlerësimi Komisioneres Publike se Komisioni ka vlerësuar mbi bindjen e brendshme.

Sipas Mërtirit, subjekti nuk e ka shmangur asnjëherë deklarimin e përdorimit të apartamentit që prej vitit 2004. Ai i cilësoi të pambështetura në prova shkaqet e Komisioneres, duke theksuar se nuk mund të vijohej vetëm me dyshime.

Lidhur me përdorimin e kësaj pasurie, Mërtiri sqaroi se fillimisht ishte ofruar pa kundërshpërblim për shkak të marrëdhënieve të posaçme derisa subjekti të sistemohej në një banesë tjetër. Për shkak të rrethanave familjare, siç ishte fatkeqësia familjare në vitin 2006 kur bashkëshortja e Totës ka ndërruar jetë, si edhe vënia në dijeni për investimin tek shoqëria ku punonte e ndjera, vlerë që pas kthimit i është dhënë hua kunatit, përdorimi i apartamentit ka vazhduar në heshtje pa kundërshpërblim, përveç përfitimit të disa interesave nga huaja për të cilat subjekti ka bërë deklarime në ILDKPKI.

Mërtiri e kundërshtoi pretendimin e Ninos në lidhje me çmimin e apartamentit dhe vlerën e tregut aktual. Ai argumentoi se ky pretendim nuk mund të qëndrojë për shkak të marrëdhënieve të ngushta familjare, traditave dhe zakoneve të përbashkëta, si dhe për shkak të lirisë kontraktore, marrëveshjes dhe vullnetit të lirë e të pavesuar të palëve.

Në vijim, Mërtiri këmbënguli se kunati i subjektit nuk mund të konsiderohet si person i lidhur në këtë marrdhënie, megjithatë ai pretendoi se rezultonte se ai kishte pasur mundësi për blerjen e apartamentit që më pas e ka blerë subjekti.

Sipas Ninos, prokurori Tota nuk arriti të përmbysë barrën e provës lidhur me vërtetimin e burimit të ligjshëm të një huaje 400 mijë lekë të marrë prej bashkëshortes së ndjerë nga motra e saj, me qëllim investimin në shoqërinë ku punonte, prej nga më vonë subjekti ka përfituar një vlerë prej 40 mijë eurosh.

Komisionerja u shpreh se bilancet negative të konstatuara në analizën financiare nuk justifikojnë në mënyrë objektive masën e proporcionalitetit të zbatuar deri tani nga KPA në raste të tjera.

Sipas avokatit Mërtiri, motra e subjektit kishte pasur mundësi për t’i dhënë bashkëshortes së këtij të fundit huanë në shumën 400 mijë lekë. Si argumentoi se ishte provuar se motra e subjektit kishte një ekonomi të shoëndosh pasi zotëronte një aktivitet bar-kafe, ndërsa bashkëshorti i saj ka kryer aktivitet në sektorin e bujqësisë, prej nga ka siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Për bilancet negative në vite, Mërtiri deklaroi se ka pasur pasaktësi në deklarimin e likujditeteve cash për shkak të orientimit të gabuar nga vetë ILDKPKI në fillimet e dorëzimit të deklarave. Ai kërkoi që të konsiderohet analiza sipas ekspertes bazuar në deklarimet e subjektit. Avokati Mërtiri renditi mundësinë e kursimeve për gjithë periudhën 2006-2014, që sipas tij rezulton pozitiv për çdo vit.

Mërtiri kundërshtoi edhe shkakun tjetër të Ninos, e cila vlerëson se Tota dhe fëmijët e tij gjenden në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për mospasqyrimin në deklaratën “veting” të pjesëve takuese të fëmijëve në pasuri të trashëguara nga nëna e gjyshërit.

Sipas avokatit të Totës, rezulton e provuar me dokumentacion ligjor se fëmijët kanë hequr dorë nga pjesa takuese në këto pasuri që prej vitit 2009. Ai argumentoi se, nga pikëpamja ligjore, ka qenë detyrim i dajës së fëmijëve që të bënte veprimet përkatëse për pasqyrimin në regjistrat e hipotekës të heqjes dorë të fëmijëve të subjektit bashkëpronësia.

Lidhur me aspektin profesional, Nino vlerëson se mangësitë e vërejtura në denoncimet e paraqitura nga publiku janë të natyrës vazhduese dhe të njëjta. Sipas saj, procedimet e marra në shqyrtim, përmbajnë të meta të dukshme, mungesë arsyetimi, mungesë hetimesh dhe mosrespektim të vendimmarrjes së gjykatave, mangësi këto që duhen vlerësuar në raport me përmbushjen e standardeve të përcaktuara në ligj. Në përfundim, Komisionerja Publike Irena Nino kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të prokurorit Naim Tota.

Prokurori Tota i paraqiti vetë parashtrimet në kriterin profesional. Ai e cilësoi si denoncimet e kryera ndaj tij si presion, duke argumentur se janë çëstje nën hetim. Subjekti deklaroi se pavarësisht kësaj situate, ka vijuar punën sipas ligjit.

Tota tha se në çështjet e trajtuara nga Komisionerja Publike, ai ka vlerësuar me korrektësi dhe objektivitet provat e paraqitura dhe se ka vendosur sipas parashikimeve ligjore. Subjekti i cilësoi denoncimet si qëndrime subjektive që lidhen ngushtë me interesat personale të qytetarëve për zgjidhjen e çështjes në favorin e tyre, e për rjedhojë nuk mund të ndikojnë në vlerësimin e tij profesional.

Në vijim, subjekti Tota vërejti se nuk mund të ketë paragjykim për veprimet e tij në hetimet e çështjeve, por se vlerësimi profesional duhet të bëhet mbi bazën e treguesve sasipor, cilësor dhe shpejtësisë si prokuror për çdo vit.

Kolegji vendosi të administrojë si prova dy vendime që kishin të bënin me dy çështje profesionale, si dhe një akt tjetër lidhur me kriterin e pasurisë. Pasi mbylli hetimin gjyqësor, KPA shtyu seancën për më datë 7 dhjetor, në orën 12:00, kur palët do të pqaraqesin konkluzionet përfundimtare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *