Nga një seancë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. KPA.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

KPA rrëzon ankimin e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit konstaton se ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj nuk e kishte ankimuar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit dhe la në fuqi ndalimin 15 vjeçar për të mbajtur funksione në sistemin e drejtësisë.

Seanca e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për ish-prokurorin Tom Dedaj. Foto arkive nga KPA.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten të rrëzojë ankimin e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që veç ndërprerjes së procesit të rivlerësimit, i ndaloi riemërimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në tetor 2017, Muskaj dhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë, njoftuan largimin nga detyra pas përfundimit të manadatit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ u ofroi pozicione në Gjykatat e Apelit, por për shkak se pesë gjyqtarët i kishin refuzuar pozicionet, u konsiderua si dorëheqje dhe u vendos deklarimi i mbarimit të statusit të magjistratit. Komisioni vlerësoi se ata refuzuan t’i nënshtrohen vetingut dhe vendosi ndërprerje e procesit të rivlerësimit, si dhe sanksionin për ndalimin e rikthimit të tyre në sistemin e drejtësisë.

Ish-gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Arjana Fullani dhe Evelina Qirjako e apeluan vendimin e KPK-së duke pretenduar se sanksionimi është i paligjshëm. Ata këmbëngulën se nuk duhet t’i nënshtrohen vetingut, pasi nuk ishin në detyrë dhe se nuk e gëzonin më statusin e magjistratit prej momentit kur u mbaroi mandati si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Gjatë seancës publike të hënën, Muskaj parashtroi thuajse të njëjtat argumente si ish-kolegia e tij, Arjana Fullani, ankimi i së cilës u u rrëzua nga KPA si i pabazuar më 11 nëntor.

Gjatë shpalljes së vendimit të enjten, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator gjyqtarin Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Scuetz e Ardian Hajdari bënë publike në mënyrë të përmbledhur argumentet ku kanë bazuar vendimarrjen e tyre.

Kryesuesja Mulaj u shpreh se bazuar në shkakun e ankimit për procesin e rregullt ligjor ishte vendosur shqyrtimi i çështjes në seancë publike, për t’i dhënë mundësinë subjektit të rivlerësimit të dëgjohej dhe të mbrohej.

Kolegji solli në vëmendje se KLGj kishte vendosur deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për Muskajn për shkak të heqjes dorë prej tij nga emërimi në një pozicion në një gjykatë Apeli, duke e vlerësuar këtë situatë faktike si dorëheqje. Gjithashtu, u konstatua se Aleksandër Muskaj nuk e kishte ankimuar vendimin e KLGJ.

“Shqyrtimi i pretendimeve të subjektit të lidhura me statusin e magjistratit nuk është kompetencë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, u shpreh kryesuesja Mulaj.

Ajo vijoi se Kolegji e ka konsideruar të drejtë vendimin e KPK dhe ka vendosur lënien në fuqi të tij, duke rrëzuar kërkesën e Muskaj për shfuqizimin e pikës së vendimit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *