Ish-prokurori Sali Hasa pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA tërhiqet për vendim për ish-prokurorin Sali Hasa

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA administroi të hënën katër prova të reja të depozituara nga ish-prokurori i Sarandës, Sali Hasa. Në seancën parardhëse më 24 qershor, Kolegji çeli hetimin administrativ në çështjen e rivlerësimit ndaj ish-prokurorit Sali Hasa, pasi gjeti shkelje proceduriale në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e shkarkoi atë për probleme në kriterin pasuror, ndërkohë që në atë kohë gjendej në burg për korrupsion.

Po ashtu, KPA pranoi një seri provash mbi pasurinë e ish-prokurorit dhe i dha kohë deri në 2 korrik të sillte edhe një grup tjetër dokumentesh që nuk ishin paraqitur në formën e kërkuar nga ligji. Hasa tha se mund të sillte kopjet origjinale të këtyre akteve, që u mësua se i kishte depozituar brenda afatit të kërkuar dhe u administruan si provë.

Ndërkohë, Kolegji rrëzoi një kërkesë të Hasës për kryerjen e verifikimeve nga institucionet e vetingut për depozitat e një mikut të tij, që i kishte dhënë hua 1 milion lekë në vitin 2008. Avokati i Hasës shpjegoi se huadhënësi rezultonte të ketë pasur aktivitet privat dhe ka pasur mundësi financiare për dhënien e huasë. Sipas avokatit, huadhënësi nuk kishte pranuar të vendoste në dispozicion akte për gjithë vlerat që ai kishte depozituar në bankë duke i konsideruar si të dhënat e tij personale. Për këtë arsye, Hasa iu drejtua Kolegjit që të bënte verifikime për depozitat e huadhënësit, kërkesë që u rrëzua me argumentin se subjekti nuk provoi se ka kryer gjithë kërkimet e mundshme.

Në përfundim, ish-prokurori Sali Hasa kërkoi ndryshimin ose prishjen e vendimit të KPK. Kolegji vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq për të marrë vendim, që bëri me dije se do ta shpallë më datë 8 korrik, në orën 15:00.

Sali Hasa u arrestua në qershor të vitit 2021 për akuza të korrupsionit, ndërkohë që ndaj u zhvillua njëkohësisht edhe procesi i rivlerësimit. Prokurori u vlerësua vetëm sa i përket pasurisë dhe KPK e shkarkoi për probleme në këtë kriter. Dy vjet pas këtij vendimi me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi shkarkimin e Hasës. Po ashtu, Hasa u dënua dhe për korrupsion nga Gjykata e Posaçme. Megjithatë, ish-prokurori i Sarandës u paraqit para Kolegjit dhe këmbënguli se çështja duhej të rishqyrtohej, kërkesë që u pranua.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *