Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon nga detyra prokuroren Irma Balli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Irma Balli, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Korçë.

Prokurorja e Prokurorisë së Apelit te Korçës, Irma Balli, duke dalë nga një seancë e Komisionit te Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Trupi gjykues i kryesuar nga z. Lulzim Hamitaj, z. Olsia Komici relator, znj. Suela Zhegu anëtare, shpalli të mërkurën vendim për shkarkimin nga detyra të prokurores Irma Balli.

Irma Balli e ka nisur karrierën si prokurore në shkurt të vitit 1999. Ajo ka punuar si prokurore e Apelit të Korçës për gati 20 vjet dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin e drejtueses së kësaj prokurorie. Balli ka qenë gjithashtu anëtare e Këshillit të Prokurorisë.

Drejtuesja e Prokurorisë së Apelit Korçë u përball me probleme të shumta të pasurisë gjatë seancës dëgjimore në KPK. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka vlerësuar se Balli ka kryer deklarim të rremë dhe të pasaktë si dhe nuk ka burime të ligjshme për pasurinë e saj.

Probleme me pasurinë e saj janë identifikuar edhe nga hetimi administrativ i KPK-së, në mënyrë të veçantë mbi pronësinë familjare të një pike karburanti në qytetin e Korçës.

Përveç problemeve të shumta me karburantin, KPK ka arritur në përfundimin se bashkëshorti i prokurores nuk ka pasur burime të ligjshme edhe për blerjen e dy apartamenteve të bashkuara në një sipërfaqe të vetme prej 179 m2 në vitin 2004, blerë për 6 milionë lekë.

Balli e ka kundërshtuar hetimin e KPK-së duke kërkuar të vlerësohej për të 3 kriteret e vetingut. Vendimi i KPK-së është i ankimueshëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit brenda 15 ditësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *