Prokurorja Marjeta Zaimi e Prokurorisë së Tiranës pas seancës dëgjimore në KPK.
Analiza KPK Vendi

KPK u nda për ligjshmërinë e burimeve të pasurisë së prokurores Marjeta Zaimi

Shumica e trupit gjykues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është bindur nga shpjegimet e prokurores së Tiranës, Marjeta Zaimi për burimet e pasurive, megjithëse një pjesë e tyre kanë rezultuar kontradiktore me deklarimet e mëparshme.

Prokurorja Marjeta Zaimi e Prokurorisë së Tiranës pas seancës dëgjimore në KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 16 shkurt 2021, të konfirmojë në detyrë me shumicë votash prokuroren e Tiranës, Marjeta Zaimi. Ndërkohë që trupi gjykues është dakordësuar se prokurorja Zaimi e meritonte konfirmimin në detyrë për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, është ndarë për kriterin e pasurisë.

Relatori Olsi Komici dhe anëtarja e trupit gjykues Pamela Qirko janë bindur nga shpjegimet e Zaimit për pasaktësitë në deklarime dhe mungesën e burimeve financiare për krijimin e një depozite dhe blerjen e një apartamenti në Tiranë. Ndërsa kryesuesja Firdes Shuli këmbëngul se subjekti nuk e kundërshtoi dot barrën e provës dhe duhet shkarkuar.

Debati në vendimin e arsyetuar të nënshkruar nga Komici dhe Qirko, në shumicë, me mendimin e pakicës të përfaqësuar nga kryesuesja Shuli, zhvillohet mbi ligjshmërinë e burimit të krijimit të një depozite në shumën 1 milion lekë më 25 tetor të vitit 2010 dhe për mundësinë e prokurores Zaimi për pagesën e dy kësteve në qershor të 2011-ës për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Si burime krijimi të depozitës në vitin 2010, Zaimi ka deklaruar një pjesë të depozitave të tërhequra në vitet 2009 – 2010 dhe kursimet nga paga, të pasqyruara në deklarimin e pasurisë në vitin 2010.

Gjatë hetimit administrativ ajo ka ndryshuar qëndrim duke shpjeguar se vlera që kishte shërbyer për çeljen e depozitës në 2010-ën ishte tërhequr më 4 nëntor të 2008-ës dhe se ishte në shumën 1 milion e 662 mijë lekë.

Zaimi ka deklaruar se gjendja cash në vitin 2008 është deklaruar e ndarë, sipas burimit të krijimit 1 milion lekë nga një pjesë e kontratës paraprake të shitjes së një pasurie dhe vlera 1 milion e 662 mijë lekë nga tërheqja e depozitës më 31 tetor të vitit 2008.

Shumica i quan bindëse shpjegimet subjektit duke argumentuar se ajo e ka pasqyruar në vitin 2008 tërheqjen e depozitës edhe pse nuk e ka deklaruar si gjendje cash. Gjithashtu, në vendim argumentohet se nuk ka rezultuar që me shumën e tërhequr të jetë krijuar ndonjë pasuri tjetër deri në fund të vitit.

Ndryshe nga dy kolegët e saj, Shuli vlerëson që shuma 1 milionë e 662 mijë lekë të mos konsiderohet si burim i ligjshëm për krijimin e gjendjes cash në vlerën 3.5 milionë lekë në vitin 2009, për një pjesë të së cilës subjekti pretendon se e ka përdorur për krijimin e depozitës në 2010-ën.

Ajo thekson se Zaimi ka deklaruar në 2010 dhe në deklaratën veting se burime të krijimit të depozitës 1 milionë lekë ka në qenë një pjesë e depozitave të tërhequra në vitet 2009 e 2010 dhe kursimet nga paga.

“Siç vërehet, subjekti nuk ka përmendur si burim tërheqjen e depozitës në vitin 2008, prej 1,662,600 lekësh, të pretenduar të mbajtur cash gjatë këtij viti”, evidenton Shuli.

Kryesuesja Shuli vëren se subjekti e ka pasur të qartë deklarimin e gjendjes cash në vitin 2008, pasi ka deklaruar të ardhura cash në shumën 1,5 milion lekë me burim nga kontrata paraprake e shitjes së shtëpisë, ndërkohë që ka pasqyruar edhe depozitën e tërhequr në shumën 1 milionë e 662 mijë lekë.

Ajo e vlerëson jo bindës arsyetimin e shumicës se nga hetimi nuk rezultoi që Zaimi të ketë krijuar ndonjë pasuri tjetër deri në fund të vitit 2008 dhe konkludon se shuma prej 1 milion e 662 mijë lekë e tërhequr në vitin 2008 nuk duhet të konsiderohet si burim për cash-in 3.5 milionë lekësh të deklaruar në vitin 2009.

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2 në Selitë të Tiranës në prill të vitit 2011  kundrejt çmimit 87 mijë e 750 euro, bashkëshorti i subjektit ka deklaruar si burim krijimi një kredi në BKT në shumën 5 milionë lekë; depozita bankare në shumat 2 milionë e 498 mijë lekë, 646 mijë lekë dhe 845 mijë lekë; si dhe pakësimin i gjendjes cash në shumën 2 milionë e 494 mijë lekë.

Komisioni ka konstatuar deklarime kontradiktore të palëve në lidhje me kohën e kryerjes së pagesave për apartamentin; mosdeklarimin një pagese në shumën 23 mijë euro të kryer në vitin 2011, si dhe të ndihmave nga familjarët në shumat 8 mijë euro dhe 250 mijë lekë, që ka mbetur e paprovuar me dokumentacion.

Zaimi ka dhënë dy versione të ndryshme për përdorimin e ndihmës nga familjarët, pasi njëherë ka deklaruar se ka shërbyr si burim për kryerjen e një pagese në shumën 2.5 milionë lekë më 8 qershor 2011 dhe një herë për pagesën e shumës 23 mijë euro në datën 22 qershor.

Për këtë arsye, ndihma e pretenduar nuk është përfshirë në analizën paraprake të KPK prej nga ka rezultuar mungesë burimesh të ligjshme për pagesën e shumës 2,5 milionë lekë në datën 8 qershor 2011 nga kursimet, pasi gjendja cash e deklaruar në shumën 950 mijë lekë, ka qenë e pamjaftueshme.

Komisioni ka konstatuar mungesë burimesh të ligjshme edhe për pagesën e shumës 23 mijë euro në datën 22 qershor 2011, pasi gjendja cash është përdorur për pagesën e datës 8 qershor 2011.

Pavarësisht këtyre konstatimeve, shumica është bindur më vonë nga shpjegimet e Zaimit. Sipas KPK, Zaimi ka dhënë shpjegime të mjaftueshme në lidhje me mosdeklarimin e ndihmës familjare.

“Duke qenë se veprimet juridike, dhënia e ndihmës prej familjarëve dhe shlyerja e saj nëpërmjet tërheqjes së depozitave bankare, janë kryer dhe përfunduar po brenda vitit 2011, […], nuk ishte detyrim për deklarim në deklaratën periodike të vitit 2011 dhe aq më tepër në deklaratën Vetting”, arsyeton shumica.

Komici dhe Qirko shprehen se familjarët e subjektit rezultojnë rezidentë të përhershëm në Itali e Greqi, ndërkohë që shumat e kontribuara janë në vlera relativisht të vogla. Ata shtojnë se Zaimi ka pasur mundësi t’i kthejë shumat e pretenduara.

Lidhur me mospërputhjen e deklarimeve për destinacionin e përdorimit të ndihmës familjare, Zaimi ka pretenduar se kjo ka ndodhur pasi i është referuar kujtesës dhe jo dokumentacionit.

Sipas shumicës, edhe pse subjekti nuk e ka provuar marrjen e ndihmës nga familjarët, ajo ka dhënë shpjegime të plota se kjo ndihmë ka shërbyer si burim për pagesën e shumës 23 mijë euro.

Pas analizës së rishikuar shumica arrin në konkluzionin se Zaimi dhe bashkëshorti i saj kanë pasur pasaktësi të justifikuara për apartamentin në Tiranë. Balanca negative e mbetur në shumën 199 mijë lekë për pagesën e këstit 23 mijë euro dhe pasaktësitë nuk janë konsideruar me peshë.

Shuli në pakicë vlerëson se Zaimi nuk ka dhënë shpjegime bindëse për mospërputhjet e konstatuara në lidhje me deklarimet për kohën e kryerjes së pagesave të apartamentit. Sipas saj, rezulton se pagesat janë kryer në rrugë bankare dhe në këtë mënyrë ato janë lehtësisht të verifikueshme.

Ajo i qëndron konstatimit fillestar të KPK se subjekti ka mungesë burimesh për pagesën e shumës 2.5 milionë lekë më datë 8 qershor 2011 të prejardhur nga gjendja cash e vitit 2010, pasi gjendja cash e deklaruar ka qenë në shumën 950 mijë lekë.

Shuli evidenton se në të gjitha deklarimet përpara vitit 2011, Zaimi ka deklaruar gjendje cash dhe jo shtesa, megjithëse deklarata periodike e pasurisë kërkon deklarimin e shtesave dhe pakësimeve të pasurive gjatë një viti.

Gjithashtu, Shuli sjell në vëmendje mospasqyrimin në deklaratën e vitit 2011 dhe në atë veting të ndihma financiare nga familjarët, si edhe mosdokumentimin e marrjes së vlerave të pretenduara. Bazuar në këto konstatime, ajo vlerëson se ndihma financiare nuk mund të konsiderohet si burim për pagesën e këstit 23 mijë euro.

“[…]nuk bie dakord me qasjen e shumicës dhe qëndrimin e mbajtur në lidhje me konsiderimin e likujditeteve ne cash, për më tepër, në kushtet kur në disa raste subjekti ka kryer deklarime kontradiktore e janë vërejtur mospërputhje deklarimesh, të cilat e kanë bërë objektivisht të pamundur vërtetimin e pretendimeve të tij në lidhje me likujditetet cash”, vlerëson Shuli dhe  konkludon se Zaimi gjendet në pamundësi financiare ndër vite në shumën 2 milionë e 880 mijë lekë dhe se duhet shkarkuar nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *