Prokurori Albert Murçaj duke dalë nga seanca dëgjimore në KPK | Foto : E. Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

Prokurori Albert Murçaj drejt konfirmimit në detyrë

Gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Prokurori Albert Murçaj duke dalë nga seanca dëgjimore në KPK | Foto : E. Hoxhaj
Prokurori Albert Murçaj duke dalë nga seanca dëgjimore në KPK | Foto : E. Hoxhaj

Prokurori Albert Murçaj i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u përball të mërkurën më 5 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet e hetimit administrativ për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Murçaj kryesohet nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskaj.

Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Albert Murçaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Durrësit, u emërua në Prokurorinë e Tropojës. Ai ka punuar gjithashtu si drejtues i Prokurorisë së Pukës, zv.drejtues dhe drejtues i Prokurorisë së Shkodrës dhe është i emëruar në Prokurorinë e Tiranës.

Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën, nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Relatorja Çiftja sqaroi se nuk janë gjetur pobleme në deklarimin e dy depozitave me vlerë 600 mijë lekë dhe 300 mijë lekë, për krijimin  të cilave ka deklaruar si burime të ardhurat nga pagat, dietat dhe shpërblimet nga puna si prokuror.

Komisioni konstaton se prokurori Murçaj kishte pasur burime edhe për krijimin e gjendjes cash. Por është konstatuar mospërputhje midis vlerës së pasqyruar në deklaratën veting në shumën 750 mijë lekë dhe cash-it në fund të vitit 2016 në vlerën 1 milion e 230 mijë lekë.

Prokurori Murçaj deklaroi se mospërputhja e gjendjes cash kishte ardhur si pasojë e një lapsusi nga ana e tij. Ai shtoi se është evidentuar shtesa, por nuk është shënuar tek gjendja cash. “Nëse shtohet kjo vlerë, atëherë gjendja cash shkon 1 milion e 210 mijë lekë. Pjesa tjetër është shpenzuar”, tha Murçaj.

Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe për shtëpinë e prindërve në Shkodër që përdoret nga subjekti i rivlerësimit.

Ndërkohë, është konstatuar përdorimi i një autoveture tip Benz, pasi emri i subjektit figuronte në policat e sigurimit për vitet 2010, 2011 dhe 2012. Çiftja pohoi se, edhe pse Murçaj ka shpjeguar se mjeti është i babait, nuk ka rezultuar në pronësi të këtij të fundit. “Subjekti nuk e ka deklarur përdorimin e këtij automjeti në deklaratat periodike dhe është e paqartë pronësia”, tha Çiftja.

Prokurori Murçaj deklaroi në seancë se kishte sqaruar se mjeti ishte blerë nga i ati në vitin 2010 dhe se kiste depozituar kontratën e shit-blerjes në KPK. Ai shtoi se babai i’a kishte lënë në përdorim vëllait makinën deri në 2013-ën, kur ishte prishur. “Unë isha me punë në Durrës dhe në Tropojë në atë periudhë dhe nuk mund ta përdorja automjetin. Emri im gjendet në policën e sigurimit pasi lejohet të ketë më shumë se dy emra. Nuk e kam përdorur këtë mjet, prandaj nuk e kam deklaruar”, pohoi Murçaj.

Nga analiza financiare ka rezultuar se prokurori Murcaj rezultonte me balancë pozitive në të gjithë vitet.

Prokurori Murçaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u konstatua se hetimi i një çështje e vitit 2012 kishte zgjatur tej afatit të përcaktuar; në një hetim tjetër kishte rezultuar se nuk ishin pyetur personat e kërcënuar dhe në një rast mungonte vendimi për zgjatje të hetimit. Komisioni nuk ka gjetur pobleme në katër denoncimet e depozituara nga publiku.

Prokurori Murçaj sqaroi se nuk e kishte hetuar ai çështjen e vitit 2012, por vetëm e kishte përfaqësuar gjatë gjykimit. Për dosjen e dytë deklaroi se hetimi nuk kishte të bënte me kërcënimin, por me dyshimin se autori i ngjarjes mund të kishte pasur armë pa leje në banesë. Ai shtoi se pas kryerjes së veprimeve hetimore nuk kishte qenë e nevojshme të jepeshin shpjegimet që kishin të bënin me një moment tjetër, që nuk ishte pjesë e këtij procedimi.

Për dosjen e tretë, Murçaj shpjegoi se procedimi ishte regjistruar pa autor dhe se në këtë rast nuk ikishte afate. “Afati fillon kur regjistrohet emri i të proceduarit”, shpjegoi ai.

Në përfundim, prokurori Albert Murçaj vlerësoi procesin rivlerësimit të kryer nga KPK dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 6 maj, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *