Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kryetari i Gjykatës së Kurbinit ngec në testin e vëzhguesit të ONM

Alfred Gjoni, kryetar i Gjykatës së Kurbinit u përball me probleme të pasurisë dhe profesionalizmit gjatë seancës dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë që gjyqtari dhe avokati i tij kërkuan konfirmimin në detyrë.

Seanca dëgjimore për kreun e Gjykatës së Kurbinit Alfred Gjoni. Foto:BIRN

Alfred Gjoni iu drejtua me një përshëndetje të gjatë KPK-së në fillim të seancës dëgjimore, ndërsa tha se shpresonte që pas hetimit 1 vjeçar për të tre komponentët, problemet që kishin dalë do të ezauroheshin.

Por sapo mbaroi fjalën, kryesuesja e seancës Etleda Çiftja vuri në dukje se çështja ndaj Gjonit ishte mbyllur vetëm  për dy kritere. Ndërkohë, relacioni i lexuar nga Roland Ilia vuri në dukje një sërë problemesh në kriteret e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, përfshi zvarritjen e  një çështjeje për 4 vjet dhe dyshimet për konflikt interesi.

Gjoni, i cili ushtron detyrën e kryetarit të Gjykatës së Kurbinit prej vitit 2010 dhe ka më shumë se 20 vite punë si gjyqtar, u përball edhe me pyetje jo të zakonshme, por elementare të vëzhguesit ndërkombëtar, i cili i kërkoi atij përkufizime të “vrasjes me dashje” dhe “vrasjes me paramendim”.

Përfaqësuesi i ONM-së, Ferdinando Buatier de Mongeot parashtroi disa rrethana dhe e pyeti gjyqtarin nëse për rastin në fjalë kishim të bënim apo jo me “vrasje me dashje”. Gjoni fillimisht nuk iu përgjigj pyetjes që dukej se kishte të bënte me një çështje konkrete dhe pas ndërhyrjes së kryesueses, dha një përgjigje evazive.

Gjoni dhe avokati Ardian Visha kundërshtuan gjetjet e KPK-së për të dy kriteret. Visha shtoi në fund të seancës se kërkonin konfirmimin në detyrë, ndërsa për pyetjet e vëzhguesit ndërkombëtar tha se klienti i tij kishte pasur pengesë përkthimin.

Problemet e profesionalizmit

Relatori Roland Ilia nuk u ndal gjatë në gjetjet e KPK-së rreth aftësive profesionale të gjykatësit, gjatë seancës dëgjimore u duk se problemet në këtë kriter ishin thelbësore. Ilia vuri në dukje fillimisht gjatë shqyrtimit të kriterit të pasurisë se Gjoni kishte përdorur pa deklaruar tre makina. Sipas relatorit, në një rast makina ishte huazuar nga një person me inicialet L.N, ndërkohë që gjyqtari Alfred Gjoni kishte pasur çështje në të cilën ishte përfshirë ky person dhe se në një rast, kishte përfshirë në dispozitivin e një vendimi për ndarje trashëgimie një person me inicialet A.N, i cili ishte i vdekur dhe për të cilin nuk ishin bërë verifikime.

Një makinë e dytë e përdorur nga gjyqtari rezultoi në pronësi të një avokati, i cili po ashtu kishte përfaqësuar klientë në disa çështje me gjyqtarin Gjoni. Gjyqtari nuk dha shpjegime në seancë dëgjimore rreth këtyre rrethanave.

Relatori Ilia theksoi edhe se gjatë shqyrtimit të aftësive profesionali ishin gjetur gjashtë dosje me zvarritje tej afateve normale.

“Një çështje është zvarritur për katër vjet,” tha Ilia, ndërsa shtoi se 3 çështje të tjera ishin gjetur me vendime të paplota.

Gjoni u mbrojt duke thënë se kishte pasur ngarkesë të trefishtë, që sipas tij shpjegonte vonesat. Ai tha se veç drejtimit të gjykatës dhe çështjeve në Gjykatën e Kurbinit, ai ishte deleguar shpesh në gjykata të tjera nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ai tha se ishte ankuar disa herë pranë KLD-së për këto delegime.

Ai po ashtu iu referua një çështjeje në Burrel, për të cilën tha se kishte qenë vetëm anëtar i trupës gjykuese dhe jo kryesues i saj dhe se arsyetimi i çështjes ishte bërë nga kolegu që drejtonte trupën.

Përfaqësuesi i ONM-së, Ferdinando Buatier de Mongeot bëri pyetje shtesë dhe kërkoi nga Gjoni përkufizim për vrasjen me dashje dhe atë me paramendim. Mongeot përshkroi një rrethanë krimi që dukej se përkonte me një çështje konkrete: “Një person me armë automatike, në afërsi, qëllon ndaj dikujt në mënyrë të përsëritur, pasi i thërret në emër, ndërsa mbetet viktimë një kalimtar i rastit”.

Mongeot kërkoi nga Gjoni të thoshte nëse në këtë rast kishim të bënim me vrasje me dashje. Gjoni fillimisht iu rikthye përkufizimeve në Kodin Penal dhe përmendi faktin që po ashtu kishte edhe “vrasje për gjakmarrje”. Pasi kryesuesja e trupës vuri në dukje se nuk i ishte përgjigjur pyetjes rreth rrethanës konkrete, gjyqtari u përgjigj në mënyrë evazive duke lënë të kuptohej se bëhej fjalë për vrasje të paramenduar, por duke bërë lapsus, ndërsa tha gjatë shpjegimit se në këtë rast shenjestra “kishte marrë dijeni”, pasi i ishte thërritur emri.

Avokati Ardian Visha i cili nuk ndërhyri në pjesën e shpjegimeve rreth profesionalizmit, justifikoi ngërçin me pengesën e gjuhës. Visha po ashtu i tha vëzhguesit ndërkombëtar se duhej të merrte në konsideratë faktin se Gjoni ishte gjykatës në një rreth mjaft të vogël, me probleme specifike ekonomike dhe sociale.

Një shtëpi, shumë probleme

Sa i përket pasurisë relatori vuri në dukje se Gjoni kishte vetëm një pasuri të paluajtshme të blerë për 1.9 milionë lekë në vitin 2001. Kësaj pasurie rreth 60 metra katrorë i ishte bërë një shtesë 47 metra.

Relatori Ilia bëri me dije se megjithëse nuk kishte pasur shumë për të deklaruar, Gjoni kishte bërë deklarime kontradiktore sa i përket pasurisë, kishte mospërputhje, deklarim të pamjaftueshëm,  mungesë burimesh dhe kishte bërë deklarim të rremë.

Sipas relatorit, çmimi i blerjes së shtëpisë në vitin 2001 ishte më i ulët se çmimi sipas Entit Kombëtar të Banesave, duke ngritur dyshime për këtë pasuri. Ai po ashtu vuri në dukje se Gjoni nuk kishte provuar me dokumente një ndihmë finaciare të marrë nga babai dhe vëllai, nuk kishte pasur mjaftueshëm pasuri për të blerë shtëpinë.

Në relacion u theksua se edhe për shtesën e lagalizuar në vitin 2013 kishte një sërë paqartësish. Ilia tha se koha e ndërtimit dhe kostoja e saj ishin deklaruar në mënyrë kontradiktore prej gjykatësit. Ndërsa vetëm për kohën e ndërtimit të shtesës kishte patur disa deklarime të ndryshme, shpenzimet për këtë shtesë nuk ishin deklaruar në deklaratat periodike të pasurisë.

KPK po ashtu tha se kishte gjetur probleme sa i përket likujditeteve në para të gjykatësit. Një kredi e marrë në vitin 2005 nuk kishte qenë e mundur të paguhej. Ai po ashtu vuri në dukje se Gjoni kishte dhënë dy hua, të cilat nuk ishin deklaruar në vite dhe që në nuk ishte e qartë nëse ishin kthyer apo jo. Relatori theksoi se nga analiza financiare, Gjoni nuk kishte pasur mundësi të jepte hua 630 mijë lekë në një rast.

Ai theksoi se nuk ishte deklaruar asnjëherë huaja me vlerë 200 mijë lekë te një person me inicialet S.P. Probleme po ashtu u vunë në dukje edhe në lidhje me një apartament në përdorim nga Gjoni në qytetin e Durrësit.

Pas relacionit, avokati Visha paraqiti argumentet e mbrojtjes kryesisht rreth apartamentit 60 plus 47 metra katrorë. Duke vënë në dukje se bëhej fjalë për një pasuri modeste, ai tha se i kishte sjellë KPK-së si prova ekspertizën rreth vlerës dhe kohës së ndërtimit të shtesës dhe një ekspertizë financiare të të ardhurave të Gjonit dhe familjes së tij.

Visha kundërshtoi relatorin sa i përket vlerës së banesës, ndërsa tha se edhe banesat e blera nga fqinjët kishin pasur të njëjtin çmim. Duke iu referuar huasë prej 200 mijë lekë të padeklaruar, Visha tha se trasferimi i parave ishte bërë nga banka pa dijeninë e Gjonit. Visha vuri në dukje se ishte bërë një padi civile ndaj bankës, që të kthente pas shumën e trasferuar padrejtësisht.

Ai po ashtu shpjegoi me lidhjen miqësore e familjare të gjykatësit me pronarin e apartamentit në Durrës, përdorimin e këtij të fundit nga klienti i tij, ndërsa paraqiti edhe deklarata noteriale për këtë rast.

Gjoni që mori fjalën pas avokatit përsëriti argumentet të ngjashme rreth pasurisë. Duke iu drejtuar relatorit,  ai kundërshtoi faktin se kishte blerë apartament me çmim më të lirë. Ai po ashtu tha se nuk kishte dijeni për trasfertën bankare në emër të tij ndaj personi me mbiemrin Peposhi dhe se rreth një javë më parë kishte paditur bankën. Ai tha se kishte sjellë prova për pasurinë e të afërmve të tij dhe gjithashtu edhe një vërtetim të një kryeplaku për të provuar marrjen e tokës me ligjin 7501.

Visha kërkoi që Gjoni të certifikohej në detyrë. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua më 14 janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *