Ndihmësja ligjore Aneta Strakosha në KPK. Foto | BIRN
KPK Lajme Veting

Ndihmësja ligjore Aneta Strakosha konfirmohet në detyrë

Ndihmësja ligjore pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Aneta Strakosha u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur pak kohë pas seancës dëgjimore kur ajo dha shpjegime për dy bilance negative, ajo u njoh me vendimin e konfirmimit në detyrë.

Procesi i vetingut për Strakoshën u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Komisioni konstatoi pamundësi në shumën 1.5 milionë lekë për blerjen në vitin 2012 e pjesëve takuese të nënës dhe vëllezërve të bashkëshortit në një dyqani në Vlorë, kundrejt shumës 2.4 milionë lekë.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga puna si kancelare dhe të bashkëshortit si avokat.

Po ashtu, ka rezultuar pamundësi në shumën 600 mijë lekë për krijimin e gjendjes cash në vlerën 860 mijë lekë në fund të vitit 2016.

Nga analiza financiare përfundimtare të ndarë në dy periudha, është konstatuar se para fillimit të detyrës subjekti dhe familja e saj rezultojnë më bilanc negativ në shumën totale 1.3 milionë lekë, ndërsa gjatë ushtrimit të detyrës në pamundësi në masën 600 mijë lekë.

Subjekti deklaroi se balancat negative kanë ardhur si pasojë e mosdokumentimit të plotë të të ardhurave nga avokatia. Ajo kërkoi që në analizën financiare të konsiderohej edhe gjendja e një depozite të pakësuar për blerjen e dyqanit. Strakosha mori vlerësim pozitiv për figurën si dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.

Në përfundim të seancës ajo kërkoj konfirmimin në detyrë, gjë që u vendos dhe nga Komisioni në mënyrë unanime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *