Trupa e KPK gjatë shqyrtimit të kërkesës së ish-gjyqtarit Besnik Maho. Foto: Vladimir  Karaj.
Analiza KPK

Pas vendimit të Kolegjit, Besnik Maho heq dorë nga procesi i vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 15 nëntor 2023 me shumicë votash përfundimin pa vendim përfundimtar të çështjes në lidhje me kërkesën e ish-gjyqtarit të Pogradecit Besnik Maho, për t’iu nënshtruar vetingut. Sipas shumicës së KPK, Maho nuk i kishte kryer tre vjet punë si gjyqtar, që u konsiderua si afat i nevojshëm për t’u bërë pjesë e procesit të rivlerësimit.

Kjo vendimarrje u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i cili vërejti se Maho kishte shprehur vullnetin për t’iu nënshtruar vetingut si ish-gjyqtar dhe se ka dorëzuar kërkesat për tre kriteret. Ashtu, si në ankim, edhe gjatë parashtrimeve, Ballhysa konstatoi se Maho e plotësonte kushtim për t’u konsideruar subjekt rivlerësimi nga radhët e ish-gjyqtarëve, pasi rezultonte se kishte punuar me atributet e gjyqtarit nga shtatori 2004-ës, deri në maj të 2008-ës, kur është larguar nga detyra.

Të njëjtën gjë kërkoi dhe Maho në ankimin e tij të ushtruar kundër vendimarrjes së Komisonit, duke kërkuar që të kryhej procesi i rivlerësimit kalimtar të tij.

Kërkesat e ankuesve u gjetën të drejta nga Kolegji që urdhëroi Komisionin të vijojë procesin e rivlerësimit kalimtar për këtë subjekt, duke i dhënë mundësinë Mahos të përballet me vetingun. Sipas KPA, përllogaritja e vjetërsisë në detyrë si gjyqtar për Mahon, duhet të fillojë nga shtatori 2004 kur ka filluar stazhin dhe deri në maj të 2008-ës, kur është larguar nga pozicioni në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë, që rezulton një periudhë rreth 3 vjet e 8 muaj.

KPK sqaron në vendimin e dytë për Mahon, se pas rikthimit të çështjes nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, më 21 qershor është vendosur vijimi i vetingut për këtë subjekt sipas kërkesës së tij dhe administrimi i raporteve të institucioneve ndihmëse për pasurinë dhe profesionalizmin. Po ashtu, Maho është vendosur në dijeni për fillimin e hetimit administrativ, si dhe i është dërguar pyetësori standard.

Dy javë më vonë, shërbimi postar ka dorëzuar në protokollin e Komisionit një kërkesë të Mahos, me objekt “dorëheqje nga procesi i rivlerësimit si ish-gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec”.

Maho, ndërmjet të tjerave, pasi ka pasqyruar kundërshtimet lidhur me vendimin e Komisionit të vitit 2023 dhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, është shprehur se shqyrtimi i kërkesës së tij për t’u rivlerësuar si ish-gjyqtar nga i njëjti trup gjykues i KPK nuk mund të vijojë, sepse ekziston si elementi objektiv dhe subjektiv që kanë të bëjnë me një proces administrativ tërësisht të njëanshëm. Në përfundim të kërkesës ai është shprehur se kërkon dorëheqje nga procesi i rivlerësimit si ish-gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Trupa e KPK ka vlerëuar ta trajtojnë kërkesën në kuadër të konfliktit të interesit nga një tjetër trupë.

Pasi është formuar trupa që do të shqyrtonte kërkesën, Mahos i është kërkuar të saktësojë formalisht qëndrimin e tij, objektin dhe bazën ligjore në lidhje me konfliktin e interesit me dy prej anëtareve të trupës që ka përmenduar në arsyetimin e kërkesës për dorëheqje.

Në përgjigje, Maho ka saktësuar se konflikti i interesit me shumicën e anëtarëve të trupës qëndron në mungesën e vullnetit për t’i njohur jo më pak se 3 vite pune si ish-gjyqtar për t’u rivlerësuar; mosriçeljen e hetimit administrativ; mungesën e arsyetimit në vendimarrjen e një viti më parë; si dhe mosdhënien e përgjigjeve lidhur me kërkesat e tij për shkeljen e parimit për një proces të rregullt ligjor në vendimin e Kolegjit.

Trupa e KPK e përbërë nga komisioneret Pamela Qirko, Genta Tafa Bungo dhe Valbona Sanxhaktari e ka rrëzuar kërkesën lidhur me pretendimin për njëanshmërinë e trupës.

Në vijim, Komisioni e ka ftuar Mahon për të shprehur vullnetin e tij të pavesuar për dorëheqje nga procesi i rivlerësimit në seancë dëgjimore dhe nëse nuk dëshironte të paraqitej, ta shprehte edhe një herë vullnetin e tij nëpërmjet postës elektronike.

Maho ka deklaruar se vullneti i tij i lirë ka qenë i plotë dhe shterues në kërkesat që ka dërguar, ndërkohë që është shprehur se nuk pasqyrohet asnjëherë tërësisht në vendimarrjet që janë marrë dhe do të merren. Ai ka shtuar se për arsye objektive nuk do të marrë pjesë në seancësn dëgjimore.

Komisioni vëren se subjekti në kërkesën e tij për dorëheqje nga procesi i rivlerësimit si ish-gjyqtar, ka parashtruar pretendime për shkelje të procesit të rregullt ligjor nga Komisioni gjatë fazës së hetimit administrativ në lidhje me mënyrën e administrimit dhe analizimit të provave, përmbajtjes dhe arsyetimit të vendimit të shumicës të vitit 2023. Sipas KPK, në vijim Maho shprehet se një arsye tjetër që po jep dorëheqjen lidhet me faktin se interesat e tij jetësore, familjare dhe profesionale i realizon jashtë vendit, ndaj nuk ka asnjë interes profesional për momentin që të bëhet pjesë e sistemit gjyqësor. Në përfundim, ka kërkuar dorëheqjen nga procesi.

KPK vëren se subjekti ka shprehur në mënyrë të qartë e të pavesuar vullnetin e tij për t’u dorëhequr nga procesi i rivlerësimit.

Sipas Komisionit, një nga shkaqet kushtetuese për moskalimin me sukses të procesit të rivlerësimit është edhe instituti i “dorëheqjes”, i sanksionuar nga neni G i Aneksit të Kushtetutës, i cili parashikon dhe vendosjen e sanksionit që ndalon emërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Në përfundim, trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Lulzim Hamitajn, çmon se paraqitja e aktit të dorëheqjes i jep fund procedurës administrative të rivlerësimit, duke mos lejuar kryerjen e veprimeve procedurale të mëtejshme. Nga ana tjetër, është vlerësuar se Maho duhet t’i kishte të qarta pasojat dhe ka vendosur të ndërpresë procesin e tij të rivlerësimit kalimtar, si dhe t’i ndalojë emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *