Petrit Fusha largohet me dorëheqje nga Prokuroria

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, aktualisht në Prokurorinë e Përgjithshme dha dorëheqjen në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Fusha është zyrtari i 16 që dorëhiqet gjatë procesit të vetingut.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë mbledhjes së 21 janarit 2019.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi të mërkurën dorëheqjen e prokurorit Petrit Fusha, duke vendosur si datë të mbarimit të mandatit të tij 31 marsin 2019. Sipas njoftimit të KLP-së, Fusha e paraqiti dorëheqjen më 28 shkurt, me motivimin se “prokuroria nuk është më vendi ku mund të shëbejë pas një përvoje 32 vjeçare”.

Petrit Fusha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1987. Ai ka ushtruar funksionin e prokurorit për më shumë se 15 vjet në Prokurorinë e Tiranës dhe prej vitit 2013 u emërua drejtues i kësaj Prokurorie. Në vitin 2017, Fusha u emërua prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Petrit Fusha është zyrtari i 16 i sistemit të drejtësisë që jep dorëheqjen para ose gjatë procesit të vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka shortuar emrin e tij për procesin e rivlerësimit që prej janarit të vitit 2018.

Përveç Petrit Fushës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi të mërkurën mbarimin e statusit të magjistratit edhe për prokurorin Përparim Hasa, për shkak të daljes në pension.