Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Adriatik Cama pas gjetjeve negative për të tria kriteret e vlerësimit.
Problemet me pasurinë dhe një raport negativ i DSIK-së i kushtuan karrierën prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Adriatik Cama. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu vendosi shkarkimin e Camës mëngjesin e së martës, një vendim ky pa supriza dhe i paralajmëruar nga gjetjet e lexuara në seancën e një dite më parë.
Hetimi administrativ për prokurorin Adriatik Cama, i cili kandidonte për një post në institucionin e ri të Këshillit të Lartë të Prokurorisë konstatoi probleme në justifikimin e pasurisë si dhe të pastërtisë së figurës.
Sa i përket pasurisë, relatorja Qirko vlerësoi se subjekti kishte deklarim të pasaktë dhe kontradiktor për apartamentin me sipërfaqe 76 metra katrorë, të shlyer plotësisht në vitin 2003. Në deklaratën e vitit 2003, subjekti e kishte deklaruar këtë pronë me vlerë 2.4 milionë lekë, ndërsa në deklaratën “Veting” 3.4 milionë lekë. Relatorja e çështjes tha se kontrata e blerjes së apartamentit nuk përputhej me asnjërin prej deklarimeve dhe kishte si vlerë rreth 34 900 dollarë, kontradita që sipas saj “cenojnë rëndë figurën e prokurorit”.
Një problem tjetër i evidentuar është blerja e një pasurie të shënuar “ish-parkim garazh” në deklaratë dhe “dyqan” në kontratën e shit-blerjes. Sipas Komisionit, prokurori Cama nuk ka pasur burime të mjaftueshme për blerjen e kësaj pasurie.
Komisioni ka evidentuar gjithashtu burime të pamjaftueshme për blerjen e një makine, mosdeklarimin e një llogarie bankare dhe kreditimin e llogarisë së tij dhe të bashkëshortes në shuma të ndryshme nga persona të afërm përgjatë 10 viteve.
Megjithatë, problemi kryesor ishte klasifikimi i subjektit prej DSIK-së si i papërshtashëm, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tij në korrupsion gjatë një çështjeje të hetuar në kohën që ai drejtonte Prokurorinë e Lushnjes.
Sipas relatores së çështjes, Cama së bashku me një prokuror tjetër “kishin kërkuar dhe marrë mitë nga familjarët e një personi të ndaluar për kontrabandë”.
E njëjta histori preku edhe kriterin e aftësive profesionale të subjektit, pasi relacioni shpjegoi më tej se në cilësinë e Prokurorit të rrethit, Cama zëvendësoi prokuroren që kishte çështjen me një prokuror tjetër. Prokurori zëvendësues e pushoi procedimin penal në vitin 2005, vendim ky që është anuluar më pas nga Prokuroria e Përgjithshme me argumentin se nuk ishte bërë një hetim i plotë.
Gjatë seancës dëgjimore, prokurori Cama i kundërshtoi gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kërkoi të ballafaqohej me dëshmitarin që e kishte denoncuar për çështjen në Lushnje.
“E kundërshtoj me forcë raportin për kontrollin e figurës. Kam kërkuar që personi të vijë dhe të dëshmojë nëse i kam kërkuar para. Unë nuk bëhem pre e personave që më sulmojnë për qëllime të tjera. Kam punuar me ndershmëri dhe profesionalizëm,” pretendoi prokurori.