Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Raporti i DSIK-së dhe problemet me pasurinë rrezikojnë gjyqtarin Admir Belishta

Kryetari i Gjykatës së Korçës Admir Belishta u gjend përpara akuzave për mungesë burimesh të ligjshme pasurie, ndërsa gjatë seancës dëgjimore KPK vuri në dukje se atij i ishin gjetur kontakte të papërshtatshme. Belishta kërkoi konfirmimin, ndërsa përgënjeshtroi gjetjet.

Gjatë seancës dëgjimore ndaj kryetarit të Gjykatës së Korçës Admir Belishta. Foto:Vladimir Karaj

Problemet me pasurinë dhe pastërtinë e figurës që u theksuan në relacionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore, kanë vënë në dyshim karrierën e Kryetarit të Gjykatës së Korçës Admir Belishta.

Gjatë seancës dëgjimorë të së mërkurës përballë treshes së kryesuar nga Olsi Komici, me anëtar Lulzim Hamitaj dhe relatore Genta Tafa, Belishta u përball me akuza kryesisht për burimin e ligjshëm të pasurisë. Relatorja theksoi  po ashtu se ishte vërtetuar një kontakt i papërshtatshëm dhe ishin gjetur tre vendime të cënuara në Apel për interpretim të gabuar të ligjit e provave e të ngjashme.

Belishta u mbrojt duke thënë se burimi i pasurisë së tij ishte i ligjshëm. Ai tha se ajo ishte sigurar nga paga. Ai mohoi kontaktet të papërshtatshme, ndërsa sa i përket profesionalizmit vuri në dukje se megjithëse ai respektonte vendimet e shkallëve më të larta të gjyqësorit të paktën në një rast gjykimi i “padrejtë” kishte ndodhur në Apel.

Belishta u shortua për t’iu nënshtruar rivlerësimit në janar si kryetar i Gjykatës së Korçës, ndërsa u thirr në seancë dëgjimore më 14 dhjetor. Belishta e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003, si gjyqtar në qytetin e Korçës. Në vitin 2007, ai është emëruar kryetar i kësaj gjykate, detyrë të cilën e mban edhe sot. Përveç punës si gjyqtar, Admir Belishta është angazhuar në mësimdhënie, por edhe si ekspert i organizatave ndërkombëtare në Shqipëri për çështjet e së drejtës.

Relatorja vuri në dukje gjatë seancës dëgjimore se problemet për Belishtën kishin filluar me raportimet e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Të dy raportet sipas relatores ishin negative.

ILDKPKI i raportoi KPK-së se Belishta  kishte “bërë deklarim të pasaktë, s’kishte burime të ligjshme financiare, ka kryer fshehje të pasurisë dhe ka bërë deklarim të rremë”. Pozitiv raporti ishte vetëm në konstatimin se ai nuk kishte konflikt interesi.

Relatorja vuri në dukje se KPK kishte hetuar në mënyrë të pavarur gjetjet e Inspektoriatit dhe i kishte kaluar gjyqtarit barrën e provës për disa nga problemet e vërejtura. Sipas relacionit Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm për blerjen dhe mobilimin e një apartamenti 107 metra në Korçë në vitin 2009 me vlerë 6 milion lekë. Po ashtu u vu në dukje se kishte mospërputhje në deklarime në lidhje me shpenzimet mbi këtë pasuri. Sipas relacionit Belishta nuk kishte të ardhura të ligjshme për të justifikuar këtë shpenzim në vitin 2009.

Belishta tha se burimi i krijimit të pasurisë ishte i ligjshëm. “Deklaroj me sinqeritet se burimi i pasurisë është nga të ardhurat e mia, duke filluar nga shkëputja prej trungut familjar në vitin 2004”, tha gjyqtari. Ai i tha KPK-së se kishte qenë beqar dhe për këtë arsye nuk “i është dashur mobilim i plotë” dhe se e kishte deklaruar vit pas viti në ILDKPKI shpenzime shtesë që sipas tij ishin shpenzimet e mobilimit. Ai tha se ishte ndihmuar në fillimet e tij nga dhurimi prej 1.2 milion lekësh nga familja. Belishta tha se kjo ishte pasuria e prindërve të tij e ndarë për dy fëmijët.

Ndëkohë sipas KPK-së probleme të ngjashmë për Belishtën kishin dalë nga hetimi rreth një shtëpie 62 metra katrrorë në një fshat të Maliqit. Sipas relacionit edhe në këtë rast Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm të 2.6 milion lekëve që ishin përdorur për ndërtim e mobilim të shtëpisë. Po ashtu në këtë rast relatorja vuri në dukje se gjyqtari kishte bërë “deklarim të rremë” sa i përket mënyrës së përfitimit të tokës.

Sipas relacionit Belishta pretendonte se pasuria ishte përfituar me ligjin 7501, por KPK kishte gjetur se ajo ishte bërë me një vendim të komunës Libonik. Në relacion u vu në dukje se shpenzimet për këtë pasuri ishin deklaruar 2.6 milion në deklaratën veting dhe 2.2 milion në deklaratën periodike. Probleme në këtë rast kishte edhe me sipërfaqen.  KPK po ashtu ngriti dyshime se kishte edhe ndërtim të paligjshëm, pasi shtëpia ishte lagalizuar në vitin 2014.

Belishta u ndal gjatë në këtë pasuri, ndërsa ishte emocional dhe shpjegoi se ndërtimi ishte bërë për të vënë në vend një amanet të gjyshit. Ai tha para Komisionit se trualli ishte oborri i shtëpisë së familjes ku ishte rritur që prej fundit të viteve 70’ dhe se ai ishte shënuar fillimisht nga Komisionet e Ndarjes së Pronave sipas ligjit 7501 dhe për këtë arsye ishte deklaruar si i përfituar prej këtij ligji. Belishta sqaroi se ai ishte në dijeni të faktit se toka truall ishte ndarë më pas me vendim të qeverisë, por tha se kishte deklaruar ligjin për shkak se aty përmendej për herë të parë.

Ai po ashtu justifikoi shpenzimet për këtë pasuri ishin të ardhurat e tij, ndërsa tha se gurët e përdorur ishin marrë nga një shtëpi e rrënuar e një të afërmi dhe se në të njëjtin truall kishte qenë shtëpia e fëmijërisë së tij. Belishta tha se pasuria nuk ishte një vlerë financiare për të, por ai e kishte ndërtuar atë në kujtim të paraardhësve të tij. Ai tha se nuk kishte pasur konflikt interesi me personat që kishin menaxhuar dokumentet për lejet.

Belishta tha se për të vrifikuar se pasuria që ndodhej në një fshat të thellë malorë nuk kishte vlerë të madhe financiare për të justifikuar fshehje i kishte kërkuar KPK-së verifikim në terren. Anëtari i Komisionit  Lulzim Hamitaj tha se qëllimi i KPK-së në këtë rast nuk ishte vlera e pasurisë, por vërtetësia e deklarimeve.

Relatorja ndërkohë vuri në dukje probleme që kishin rezultuar gjatë analizës finaciare. Belishta sipas saj nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar shpenzimet e bëra. Ai po ashtu u gjet sipas KPK-së me mungesë të ardhurash sa i përket blerjes së një makine për 600 mijë lekë për të cilin kishte dyshime edhe mbi fiktivitet të vlerës dhe për mosdeklarim prej vitit 2013 e në vijim të tokës bujqësore që i takonte bashkëshortes. KPK tha se Belishta e kishte justifikuar mosdeklarimin me harresë, por sipas relatores bashkëshortja kishte hequr dorë nga kjo pronë vetëm 5 ditë para plotësimit të deklaratës.

Belishta u mbrojt duke thënë se kishte probleme në analizën finaciare që kishte bërë KPK. Ai tha se një sërë udhëtimesh që ishin llogaritur në shpenzime ishin zyrtare dhe se ishin paguar nga qeveria. Ai po ashtu vuri në dukje një gabim sipas tij për një hua të marrë në vitin 2009 në vlerë 1 milion lekë. Belishta thotë se nga ajo hua kishte përdorur 600 mijë dhe kishte kthyer pas po atë vit 400 mijë, që sipas tij i janë llogaritur si debi në analizë finaciare edhe pse ishin kthyer menjëherë. Ai tha se udhëtimet disa ditore në SHBA kishin qenë pranë të afërmve dhe se ata kishin mbuluar shpenzimet e tyre.

Ndërkohë DSIK duket se ka përcjellë dy raporte të ndryshme për Belishtën. Relatorja duke iu referuar raportit të rishikuar vuri në dukje se gjyqtari ishte cilësuar “i papërshtatshëm”. Tafa vuri në dukje se ishte bërë një hetim rreth këtij raporti dhe se ishte arritur në përfundimin se “Informcioni ka elementët e kërkuar dhe konsiderohej i plotë” dhe se nga hetimi i komisionit “u krijua bindja se informacioni është i vërtetë”. KPK nuk bëri të ditur se cili ishte kontakti i papërshtatshëm apo çfarë e cënonte në këtë rast figurën e gjyqtarit.

As Belishta nuk u ndal specifikisht të përgënjeshtronte këtë akuzë. Në fjalën e tij ai iu referua një kolegu të cilin nuk donte ta përmende duke theksuar se kishte raporte të mira me të afërmit e tij, ndërsa tha se kishte kryer detyrën me integritet dhe se kishte drejtuar “një gjykatë model”, e cila ishte përfshirë në një sërë projektesh pilot nga partnerë ndërkobëtar.

Ai po ashtu ritheksoi faktin se nuk e njihte personin të cilit i kishte blerë makinën dhe se i vetmi kontakt me të kishte qenë momenti i blerjes. Këmbënguljes së relatores gjatë pyetjeve se si e kishte rigjetur këtë person pas shumë vitesh për t’i marrë një deklaratë noteriale në lidhje me vlerën e mjetit, Belishta iu përgjigj se kishte përdorur ndërmjetësin që i kishte prezantuar për shitjen e makinës.  Ai tha se nuk e kishte takuar personin as në këtë rast dhe kishte marrë deklaratën noteriale te noteri pa pasur kontakt me lëshuesin.

Në relacion u vlerësua pozitivisht profesionalizmi i Belishtës dhe u tha se vendimet e tij ishin të argumentuara dhe me një nivel mbi mesataren. Po ashtu KPK vuri në dukje se në katër ankesat ndaj tij nuk ishin gjetur prova për shkelje. Megjithatë relatorja tha se nga hetimi i Komisionit ishin identifikuar tre dosje të cënuara në apel me argumentet: interpretim i gabuar i ligjit e provave, vendim i pabazuar në ligj e të ngjashme.

Belishta u mbrojt duke thënë se ndërsa respektonte vendimet e një gjykate sipërore në rastet e cituara nuk kishte pasur gabime prej tij dhe se ai kishte “zbatuar ligjin”. Ai tha se vendimet ishin marrë me tre gjyqtarë dhe përgjithësisht ishin unanime. Duke veçuar një rast ai la të kuptohej se vendimi i Apelit kishte probleme. “Të thuash pafajësi doganierëve ndërsa fajëson kontrabandistin, kur kontrabanda ka ndodhur përmes doganës dhe jo në kufirin e gjelbër”, tha Bilishta duke lënë të kuptohej përmes gjesteve se në këtë rast kishte diçka që nuk shkonte.

Gjatë pyetjeve nga relatorja dhe anëtari i treshes Hamitaj Belishtës iu kërkuan sërish shpjegime për pasurinë. Relatorja tha se edhe në pyetësor edhe në deklarimet në sallë disa pika mbeteshin të mjegullta, përfshi faktin se kujt i ishin marrë gurët për ndërtimin e shtëpisë në fshat. Belishta tha se gurët ishin marrë nga një fqinj. Ai po ashtu ritheksoi se nuk kishte kontakte me shitësin e makinës dhe se makina nëse shitej sot nuk kishte gjysmën e vlerës. Ai po ashtu shpjegoi shpenzimet për mobilim duke këmbëngulur se ato ishin të ndara në vite. Vendimi për Belishtën jepet të premten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *