Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Shpenzimet e padeklaruara për shkollim e kurim penalizuan Fatos Qaton

Gjykatësi i Apelit të Tiranës nuk ia doli të justifikonte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shpenzime në vlerë 5.4 milion lekë, ndërsa hetimi zbuloi se një pjesë e tyre nuk ishin deklaruar në vite dhe as në “Deklaratën Veting”.

Gjyqtari Fatos Qato dhe avokati i tij, Julian Mërtiri para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjykatësi i Apelit të Tiranës nuk ia doli të justifikonte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shpenzime në vlerë 5.4 milion lekë. Vendimi i zbardhur i KPK tregon se kjo vlerë që ishte përdorur për të shkolluar dy vajzat në Hollandë, djalin në një shkollë private në Tiranë, operacionet në zemër të gjykatësit dhe arredimin e shtëpisë nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme.

Në vendim rezulton se KPK nuk ka njohur si të ardhura të ligjshme, të ardhurat nga qiraja pasi për to nuk ishin paguar tatimet, por nga ana tjetër për një sërë vitesh nuk i llogariti gjykatësit dhe familjes së tij shpenzime jetese. Si shkelje gjykatësit iu konsiderua edhe mosdeklarimi vjetor dhe në “Deklaratën Veting” i shpenzimeve më shumë se 300 mijë lekë.

Komisioni, i kryesuar në këtë gjykim prej Valbona Sanxhaktarit, me Brunilda Bekteshin relatore dhe Suela Zhegun anëtare, mbylli hetimet për Qaton vetëm për kriterin e pasurisë. Qato i cili kishte filluar punë në sistemin e drejtësisë në vitin 1986 si hetues në Hetuesinë e Tiranës dhe për më shumë se 15 vjet ishte gjykatës i Gjykatës së Apelit të Tiranës, u shkarkua nga Komisioni.

Gjyqtari pretendoi llogaritje të gabura të KPK-së dhe kërkoi njohje të të ardhurave dhe një shpërndarje më të madhe në kohë të shpenzimeve, por argumentet e tij u cilësuan jo bindëse, ndërsa Komisioni arsyetoi se Qato: “Nuk arriti një nivel të besueshëm lidhur me kriterin e pasurisë”.

Paqartësitë mbi apartamentin

Qato si një pjesë gjykatësisht të tjerë të Tiranës kishte në pronësi një apartament në një pallat të ndërtuar për llogari të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Për këtë pasuri dhe të tjera ai kishte marrë një raport pozitiv nga ILDKPKI, që nuk kishte gjetur probleme në pasurinë e tij. Por KPK gjeti pas hetimit të thelluar se ai nuk justifikonte me të ardhura pagimin e kësteve për këtë apartament me vlerë 28 mijë dollarë.

Në një analizë financiare në të cilën Komisioni thotë se nuk mori parasysh shpenzimet e jetesës së familjes së gjykatësit prej 6 anëtarësh, rezultoi se ky i fundit nuk kishte qenë në gjendje të paguante këstet për blerjen e apartamentit.

“Në vijim Komisioni, pas llogaritjeve financiare, duke marrë dhe në konsideratë të ardhurat e vjehrrës e vjehrrit pretenduar nga subjekti dhe pa përfshirë asnjë shpenzim jetik për një familje me 6 anëtarë, vëren se subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të paguar këstet e shtëpisë, apo për të përballuar shpenzimet e punimeve të rifiniturës të kryera nga ai vetë sikurse pretendohet”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Megjithëse diferenca e pambuluar prej Qatos rezultoi vetëm 184 mijë lekë KPK arsyetoi se deklarimet e tij në këtë rast nuk kishin qenë bindëse. Komisioni tha se kishte pranuar një sërë argumentesh të Qatos përfshi edhe pranimin e faktit se në të ardhurat e familjes kishin kontribuar edhe prindërit e bashkëshortes që jetonin me të.

Por KPK refuzoi të pranonte justifikimin e gjykatësit të shkarkuar se nuk kishte paguar këstin e fundit dhe se i kishte bërë vetë punimet e rifiniturës. Madje në llogaritë finaciare të bëra prej Komisionit u vu në dukje se Qato nuk kishte para për të mbuluar shpenzimet nëse ato i bënte vetë edhe pasi atij nuk iu llogaritën shpenzime jetese.

Komisioni arsyetoi se edhe duke marrë parasysh pretendimet e Qatos, ai nuk kishte qenë në gjendje të paguante këstet dhe të përballonte shpenzimet e jetesës sipas kohës.

Shpenzime për makina, shkollim e kurim

Ndërsa KPK hoqi dyshimet mbi çmimin e një toke arë e blerë në Pogradec nga bashkëshortja e subjektit, analiza finaciare e nisur prej kësaj zbuloi se Qatos i mungonin të ardhurat për të justifikuar këtë blerje dhe shpenzimet e tjera në të njëtën kohë përfshi dy makina të blera me leasing.

Komisioni kreu një sërë analizash finaciare në rastin e Qatos duke konsideruar pjesërisht edhe pretendimet e tij sa i përket shpenzimeve për blerjen e tokës, makinave, pagesave për shkollimin e dy vajzave në Hollandë, ato për djalin në një shkollë private në Tiranë dhe ato për ndërhyrje kirurgjikale për vetë gjykatësin.

Po ashtu këtu u përfshin shpenzimet e arredimit të shtëpisë të llogaritura 25 mijë euro dhe një kënd kolltuqesh 5 mijë euro i blerë nga vjehrri e vjehrra.

Ndërsa përfshiu në të ardhurat e familjare të gjykatësit pensionet e vjehrrit e vjehrrës, KPK refuzoi të cilësonte të ligjshme rreth 2.5 milion lekë të përfituara nga qiraja. Treshja që gjykoi këtë rast i konsideroi ato të paligjshme për sa kohë për to nuk ishin paguar tatimet.

Qëndrimi i KPK-së rreth njohjes ose jo të të ardhurave nga qiraja kur për to nuk janë paguar tatimet nuk është unifikuar ende. Trupa të ndryshme gjykuese kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. Në rastin kreut të Gjykatës së Lartë të  apeluar prej Komisionerit Publik, trupa e cilësoi mospagimin e tatimeve si “evazion fiskal të ligjshëm”.

Por në këtë rast KPK vendosi të mos i njihte të ardhurat nga qiraja, megjithatë një sërë pretendimesh të Qatos për të shpërndarë shpenzimet e arredimit në vite u pranuan nga KPK. Duke i ndarë ato prej mesit të viteve 90’ sipas llogarive të pretenduara fillimisht nga gjykatësi.

Megjithatë kur kjo llogari rezultoi me një diferencë negative 5.4 milion lekë gjykatësi kërkoi që t’i shpërndante këto shpenzime në më shumë vite që u refuzua prej KPK-së. Në fund Komisioni vlerësoi se Qato përveç se nuk justifikonte dot shpenzimet, një pjesë të këtyre, si ato për shkollimin e fëmijëve dhe ato për kurim, nuk i kishte deklaruar në deklarimet vjetore dhe as në deklaratën Veting.

Justifikimi i gjykatësit se formulari nuk e kishte të qartë nëse këto shpenzime duhej të deklaroheshin dhe fakti që ai i deklaroi ato pasi u pyet për to specifikisht nga KPK, nuk u pranua prej Komisionit. KPK arsyetoi se ligji kërkonte deklarim të këtyre shpenzimeve kur ato ishin mbi 300 mijë lekë dhe se askujt nuk i ofrohej mbrojtje për shkak të mosnjohjes së ligjit “aq më tepër një gjykatësi”.

KPK i cilësoi këto si shkelje shkarkuese, duke e cilësuar deklarimin në kriterin e pasurisë të pamjaftueshëm. Në përfundim të analizës KPK arsyeton se “Subjekti ka mungesë të burimeve financiare, ndër vite, në vlerën -5.414.393 lekë, për të justifikuar blerjen pasurisë, tokë arë, për blerjen e automjetit, tip “Volsëagen Polo”, blerjen e automjetit, tip “Renault”, si dhe për të përballuar shpenzime mjekësore, arredimit, shkollimit të fëmijëve, të udhëtimit, si dhe shpenzimet jetike të familjes së tij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *