Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Çlirim Shahini-Prokuroria e Lushnjes

Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i rivlerësimit për Shahinin po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Suela Zhegu, Brunlida Bekteshi dhe Xhensila Pine.

Çlirim Shahini e ka nisur karrierën në sistemin e Prokurorisë fillimisht si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në Sarandë në vitin 2004 dhe e ka ushtruar funksionin atje deri në vitin 2016, ku me dekret të Presidentit të Republikës u transferua si drejtues i Prokurorisë së Lushnjes.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Çlirim Shahini nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Çlirim Shahini nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, kur u bë subjekt i deklarimit të pasurisë. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare kap vlerën e 13.3 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme përbëjnë zërin kryesor të aseteve me vlerë 10.5 milionë lekë. Prokurori deklaron gjithashtu 2.3 milionë lekë kursime bankare, 150 mijë lekë kursime në cash dhe automjet me vlerë rreth 390 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 22.1 milionë lekë. Rreth 90% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni dhe pagën e bashkëshortes, ndërkohë që familja e prokurorit ka përfituar edhe 1.2 milionë lekë nga ekzekutimi i një vendimi të Gjykatës së Sarandës për anulimin e shitjes së një trualli.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për drejtuesin e Prokurorisë së Lushnjes rezulton 13 vite pa probleme dhe një vit me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve.

Më konkretisht, prokurori Shahini nuk arrin të justifikojë shtesën e pasurisë për vitin 2015, me një diferencë negative prej rreth 945 mijë lekësh. Ai deklaron një llogari bankare në emër të së bijës me vlerë 1.8 milionë lekë këtë vit, me shpjegimin se kursimet datojnë nga viti 2012, por që nuk rezultojnë në deklaratat e mëparshme.

BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq” në këtë analizë, që lidhen me deklarimin e vonë të një banese, mungesën e burimit për disa troje të deklaruara si dhe një hua prej 35 mijë eurosh, që ka shërbyer si burim i pjesshëm për ndërtimin e një shtëpie.

Në vitin 2011, prokurori Çlirim Shahini deklaroi se zotëronte ¼ e një objekti 5-katësh në Virua të Gjirokastrës, i përfituar nga babai dhe xhaxhallarët e tij nga privatizimet në vitin 1995. Subjekti e shpjegon deklarimin e vonë të kësaj pasurie me faktin se “dokumentacionin e zotëronte njëri nga vëllezërit e babait dhe unë tani jam vënë në dijeni”.

Gjithashtu në vitin 2013, ai deklaron pronësinë mbi 7289 m2 troje dhe arë, por në deklaratën përkatëse mungojnë të dhënat e burimit të kësaj pasurie.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar është marrja e një huaje prej 35 mijë eurosh në vitin 2014 me afat shlyerje prej 10 vitesh. E konvertuar në lekë, huaja ka shërbyer si burim për ndërtimin e një shtëpie 2-katëshe +papafingo në Sarandë, e deklaruar në vlerën e 10.5 milionë lekëve.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *