Komisionerja e KPK-së, Etleda Çiftja.
Lajme

SPAK kërkon shpalljen fajtore të komisioneres Etleda Çiftja

Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK kërkoi të hënën më 12 shtator në gjykatë shpalljen fajtore të anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja për veprat penale të “falsifikimit” dhe “deklarimit të rremë të pasurisë”.

Sipas koordinatores për marrëdhënien me median në SPAK, Xhulieta Krasta, prokurorja Enkeleda Milonai që ka kërkuar dënimin e Çiftjes me një vit e gjashtë muaj për të dyja veprat penale dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, uljen e një të tretës së dënimit, me masë përfundimtare 1 vit burgim. Në vijim, Milonai ka kërkuar lehtësimin e situatës së Çiftjes, duke kërkuar pezullimin e dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për dy vjet.

SPAK njoftoi më 30 qershor përfundimin e hetimeve në ngarkim të Çiftjas dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Sipas prokurorisë, ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën vitit 2017 ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë së dy pasurive të fundit, si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie.

Të hënën kur pritej që gjykata të shprehej lidhur me kërkesën e prokurorisë për kalimin në gjykim të çështjes, është trajtuar një kërkesë e Çiftjes për gjykim të shkurtuar, e cila ka sjellë për rrjedhojë pranimin e kësaj kërkese dhe gjykimin e drejtëpërdrejtë, ku gjyqtari paraprak ka marrë atributin e atij të themelit.

Palët kanë paraqitur konkluzionet përfundimtare, ku SPAK kërkoi shpalljen fajtore të Çiftjes, ndërsa kjo e fundit kërkoi pafajësi. Gjykata do të shpallë vendimin e arsyetuar të premten më 16 shtator.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.

Hajdari u kallëzua penalisht për të njëjtin fakt Daci, si dhe për fshehje të ardhurash. Gjykata e Posaçme pranoi në muajin korrik kërkesën e SPAK për gjykimin e tij për fshehje të të ardhurave nga avokatia si dhe të refuzimit të deklarimit të tyre në ILDKPKI, përpara se të emërohej anëtar i KPA-së dhe të kryente vetingun për magjistratët e tjerë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *