Prokurorja Suela Beluli pas vendimit të konfirmimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Suela Beluli konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 1 shkurt 2023 vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurores së Fierit, Suela Beluli. Vendimi për konfirmimin e Belulit u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK, e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungo.

Gjatë seancës dëgjimore më 30 janar, Beluli dha shpjegime më së shumti për barrën e provës në kriterin e pastërtisë së figurës lidhur me dyshimet e ngritura për kontakte të papërshtatshme me një person të dënuar në Itali për krim të organizuar. Prokurorja Beluli theksoi se nuk kishte pasur asnjë lloj marrëdhënie me shtetasin për të cilin ishin ngritur dyshime. Sipas saj, në blerjen e makinës, ai ka qenë përfaqësues i pronarit të mjetit në pikën e shitjeve te automjeteve.

Në vijim, prokurorja Beluli deklaroi se një apartament të marrë me qira disa vite me vonë që ishte në pronësi të babait të këtij shtetasi, e kishin gjetur nëpërmjet një agjencie imobilare dhe se ishin larguar në 2020-ën, kur u ishte kërkuar rritja e çmimit.

Ajo këmbënguli se është jashtë çdo logjike që gjatë procesit të rivlerësimit, të merrte me qira nje apartament që kishte lidhje me një person të dënuar për krim të organizuar dhe ta deklaronte si adresë banimi.

Beluli mori vlerësim pozitiv për aspektin profesional, ndërkohë që dha shpjegime për gjetjet e Komisionit për një pasuri të krijuar përpara fillimit të detyrës.

Suela Beluli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si oficere e Policisë Gjyqësore. Ajo u emërua prokurore në vitin 2015 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *