Gjyqtari Altin Shkurti në KPK.
KPK Veting

Gjyqtari Altin Shkurti jep shpjegime për burimet e një apartamenti

Gjyqtari Altin Shkurti i Gjykatës së Rrethit Tiranë u përball të mërkurën më 1 shkurt 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës për pasurinë për të cilat deklaroi se i kishte kundërshtuar me dokumente, si dhe për disa gjetje në kriterin profesional. Shkurti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Shkurti po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.

Altin Shkurti i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Barrat e provës për pasurinë

Si burime krijimi për blerjen e një apartamenti 109 m2 në Tiranë kundrejt çmimit 65 mijë euro në vitin 2007, gjyqtari Altin Shkurti ka deklaruar kursimet në vite; shumën 3000 euro të dhëna nga vjehrri dhe 4.8 milionë lekë hua nga xhaxhai i nënës.

Relatorja Zhegu konstatoi mospërputhje të pagesave të kryera me ato të përcaktuara në kontratën e sipërmarrjes. Sipas saj, subjekti ka shpjegaur se këstet janë shlyer ashtu si pasqyrohen në mandatet e pagesave, ku dhe është bazuar analiza financiare.

Për pagesën e këstit të parë në vlerën 23 mijë euro janë deklaruar kursimet, që sipas subjektit përbëheshin nga të ardhurat ndër vite dhe ato të depozituara në ish-firmat piramidale, si dhe interesat e përfituara.

Zhegu pohoi se nuk është arritur të dokumentohen vlerat në ish-firmat piramidale dhe për rrjedhojë këto shuma nuk janë përfshirë në analizën financiare. Për këtë arsye ka rezultuar një balancë negative në shumën 580 mijë lekë për krijimin e kursimeve cash.

Pasi paraqiti një historik të rezultateteve shumë të mira të arritura gjatë studimeve dhe në ushtrimin e funksionit të gjyqtarit, Shkurti parashtroi në mënyrë të detajuar mbrojtjen e tij në kriterin pasuror.

Ai kundërshtoi rezultatin negativ në shumën 580 mijë lekë për gjendjen cash. Shkurti vërejti se në vitin 1996 familja e tij kishte shitur një banesë të përfituar nëpërmjet privatizimit dhe se të ardhurat e përfituara nga ky transaksion nuk ishin përfshirë në analizën financiare. Sipas tij, një pjesë e çmimit të shitjes së apartamentit nuk ishte investuar në ish-firmat piramidale dhe se duhej që ajo pjesë e të ardhurave të ishte reflektuar në analizën e KPK-së.

Sipas tij, tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme ishte përcaktuar me legjislacion të vitit 1998, dy vite më vonë.

Në vijim, Shkurti deklaroi se pindërit kishin ruajtur mandatpagesat për shpërndarjen nga bankat të vlerave të depozituara prej tyre më parë në ish-firmat priamidale, dokumente të cilat tha se i kishte dorëzuar si provë. Sipas subjektit, bankat të cilat kanë kryer shpërndarjen e këtyre shumave, bazuar në një vendim qeverie të kohës, janë shprehur se nuk e disponojnë dokumentacionin përkatës.

Ai deklaroi se gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion prej bankave lidhur me shpërndarjen e fondeve të depozituara në ish-firmat piramidale.

Shkurti kërkoi që të konsiderohen në analizë financiare shumat e deklaruara prej tij si të investuara në ish-firmat priamidale dhe të marra më vonë. “Babai për shkak të humbjes së apartamentit të mëparshëm në ish-skemat piramidale ka marrë kredi për apartamentin që ka sot, që vijon ende ta shlyejë”, shpjegoi subjekti.

Ai kërkoi që të përfshiheshin në analizë dhe të ardhurat nga botimi i një komentari, nga trajtnimet; si dhe të ardhurat e babait nga aktivitetet që ka ushtruar ndërkohë që përfitonte pension si ushtarak.

Në vijim, Shkurti kërkoi që të uleshin shpenzimet e jetesës përpara se të fillonte detyrës, duke shpjeguar se ishte anëtar i thjeshtë i familjes dhe jo zyrtar.

“Analiza del me 1 milione 24 mijë lekë me balancë pozitive. Kemi pasur mundësi kursimi, provoj bindshëm mundësinë e kursimit”, këmbënguli Shkurti.

Subjekti kërkoi që kursimet cash të përllogariten në mënyrë progresive, duke mbledhur të gjitha gjendjet e deklaruara në vite. Sipas Shkurtit, çdo vit ai ka deklaruar shtesat e likujditeteve cash dhe atyre të depozituara në sistemin bankar.

Po ashtu, ai kërkoi rishikim të shpenzimeve, duke vërejtur se ishin përllogaritur shpenzime udhëtimi të bashkëshortes ndërkohë që nuk kishin qenë të martuar. Në pjesëmarrjen në aktivite në dy shkolla jashtë vendit, Shkurti tha se kishte qenë i thirrur në cilësinë e ekspertit dhe për rrjedhojë të gjitha shpenzimet kishin qenë të mbuluara. Ai kërkoi zbritjen e këtyre shpenzimeve.

Mungesë burimesh është konstatuar edhe për krijimin nga vjehrri të shumës 3000 euro, vlerë e cila dhe kjo nuk është përllogaritur në analizën e pagesës së këstit të parë, prej nga ka reuzltuar balancë negative në shumën 1.1 milionë lekë.

Shkurti e kundërshtoi këtë konstatim duke vërejtur se nuk ishin përfshirë në analizë të ardhurat e vjehrrës dhe të bashkëshortes në kohën kur ajo jetonte me familjen e origjinës, të përfituara nga punësimi në institucione shtetërore. Subjekti sqaroi se shpenzimet për shlyerjen e një kredie të vjehrrit nuk qëndronin, pasi kishte provuar me dokumentacion se kjo kredi ishte shlyer prej shoqërisë ku ai punonte. Po ashtu, ai kërkoi uljen e shpenzimeve. “E përmbysin analizën financiare të Komisionit”, tha ai dhe pretendoi se dhe në këtë rast rezultonte balancë pozitive në shumën 785 mijë lekë.

Prej analizës paraprake të Komisionit, është konstatuar pamundësi financiare edhe e huadhënësit të vlerës 4.8 milionë lekë. Sipas Zhegut, të ardhurat e pretenduara nga një aktivitet privat i huadhënësve, si dhe të ardhurat e tjera, duket se kanë shërbyer për blerjen e një prone nga ana e tyre dhe jo për huanë në 2008-ën.

Për rrjedhojë, nga analiza financiare e përgjithshme paraprake, për blerjen e apartamentit ka rezultuar balancë negative në shumën 6.3 milionë lekë.

Shkurti deklaroi në seancë se bashkëshortja e xhaxhait të nënës kishte pasur të regjistruar aktivitet që prej vitit 1993. Sipas tij, kishte siguruar dokumemntacion se për periudhën 1994-1999, rezultonte me pagesë të kontributeve në cilësinë e subjektit tregtar. Ai pohoi se për shkak të ndryshimeve ligjore në vitin 2005, ajo e kishte riregjistruar aktivitetin duke u pajisur me NIPT.

Subjekti vërejti se tatimet nuk kanë të dhëna të tjera dhe se gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion të plotë për të ardhurat. “Vërtetohet se ka pasur aktivitet”, pohoi Shkurti dhe solli në vëmendje të Komisionit një vendimarrje të KPA për një rast sipas tij, të ngjashëm.

Në vijim, subjekti e përqëndroi analizën e tij në provat e tjera për të cilat pretendoi se ishin të mjaftueshme për të përllogaritur të ardhurat dhe fitimet e familjes së xhaxhait të nënës. Ai deklaroi se pas vitit 2005 gjendeshin xhirot e aktivitetit të hadhënëses. Sipas Shkurtit, në pushtetin vendor ishin paguar taksat për biznes të vogël.

Sipas përllogaritjeve bazuar në xhirot vjetore të pretenduara, subjekti deklaroi se deri në vitin 2005 rezultonte se nga aktiviteti huadhënësve ishin krijuar të ardhura deri në vitin 2005 në shumën 12.3 milionë lekë dhe në vitet e mëvonshme 3.5 milionë lekë fitim.

Shkurti deklaroi se dy fëmijët e huadhënësve kishin emigruar jashtë shtetit prej vitesh dhe se kishin pasur të ardhura të ligjshme të konsiderueshme, një pjesë të të cilave i kishin sjellë në Shqipëri. Subjekti vërejti se hadhënësit kishin pasur edhe pensione të larta për atë periduhe dhe sipas tij, ata dalin bindshëm me bilanc pozitiv.

Sipas gjyqtarit Shkurti, po të ribëhen përllogaritjet bazuar në provat dhe shpjegimet e tij, në vitin 2008 do të rezultojë balancë pozitive, ndërsa do të konstatohet pamundësi vetëm në 2009-ën në shumën 353 mijë lekë.

Komisioni ka konstatuar se gjyqtari Shkurti dhe bashkëshortja e tij kanë përdorur një automjet të blerë nga babai i subjektit. Për rrjedhojë, është kryer verifikimi mundësive të familjarëve të subjektit për blerjen e kësaj pasurie të luajtshme, prej nga është konstatuar balancë negative në shumën 1.2 milionë lekë.

Lidhur me këtë balancë negative, subjekti kërkoi që të përfshihen në analizën financiare të prindërve edhe të ardhurat e tjera dhe ato të vëllait, përfshi dhe cash-in progresiv. Sipas tij, nëse do të konsideroheshin të ardhurat e tjera, babai do të rezultonte me bilanc pozitiv për blerjen e automjetit.

Zhegu evidentoi pamundësi financiare edhe për një shumë 15 mijë euro, të deklaruar si të kursyer nga bashkëshortja përpara martese.

Gjyqtari Shkurti pretendoi se në analizën e KPK-së kishte gabime logjike pasi nuk ishin konsideruar të ardhurat e plota. Ai vërejti se bashkëshortja kishte punuar si avokate shteti. Me të njëjtën logjikë të analizës si për kursimet e tij, subjekti kërkoi që dhe për familjen e bashkëshortes të konsiderohej mundësia e kursimeve në mënyrë progresive, duke u përfshirë balanca pozitive e konstatuar në përllogaritjet e tij për vitin 2007 dhe mundësia e kursimit për vitet në vijim. “Vlera 15 mijë euro është e provuar. Kjo balancë tregon drejtësinë e deklaratës së bashkëshortes time”, pohoi Shkurti dhe pranoi se vetëm në vitin 2009 gjendej një balancë negative në shumën 353 mijë lekë.

Profesionalizmi

Zhegu sqaroi se, nga verifikimi i pesë dosjeve të përzgjedhura me short, në një rast ka rezultuar se subjekti nuk ka disponuar lidhur me kërkimet e padisë për masën e sigurisë së padisë.

Ndër të tjera u evidentuan gjetjet për dy denoncime nga publiku. Një prej denoncuesve ka pretenduar se subjekti ka zvarritur procesin duke sjellë përfitim të palës tjetër në proces. Ndërsa denoncuesi tjetër pretendon se trupi gjykues duhej të ishte me tre anëtarë dhe se gjykata ka caktuar ekspertime të tjera nga ato çfarë ai kishte kërkuar.

Po ashtu, nga verifikimi i të dhënave arkivore janë konstatuar 14 ankesa të kryera gjatë periudhës 2013-2016, ku në katër raste janë ngritur pretendime për zvarritje.

Gjyqtari Shkurti i kundërshtoi konstatimet për çështjet e gjykuara prej tij. Lidhur me çështjen e parë, ai sqaroi se duhej që paditësi të kërkonte masën e sigurisë, pasi nuk mundej që gjykata të vendoste kryesisht. Sipas tij, kjo është arsyesja edhe pse nuk është pjesë e arsyetimit të vendimit. “Jam shprehur për gjithçka ka kërkuar paditësi”, pohoi Shkurti.

Denoncimin ku ngrihej pretendim për favorizim të palës tjetër, subjekti e kundërshtoi me argumentin se ai e kishte pranuar padinë e denoncuesit, që ishte lënë në fuqi edhe nga Apeli. Lidhur me një gabim material, subjekti shpjegoi se për pesë vite padiësi nuk e kishte kërkuar ndreqjen. Sipas tij, ky gabim material nuk ka lidhje me mosekzekutimin e vendimit, ashtu si pretendohet.

Për denoncimin tjetër, Shkurti sqaroi se palëve u ishte dhënë kohë të njiheshin me ekspertimin dhe se ishin shtyrë disa seanca me qëllim që të jepnin pretendimet e tyre për t’u përfshirë në vendim. Ai deklaroi se trupa gjykuese do të plotësohej me tre anëtarë vetëm nëse do të kërkohej nga pala paditëse, por sipas tij nuk ishte kërkuar një gjë të tillë.

Në përfundim Shkurti deklaroi se ka pasur burime të ligjshme për pasurinë e vetme që disponon dhe se ka ushtruar funksionin e gjyqtarit me integritet. Ai kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 3 shk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *