Gjyqtarja Irena Gjoka dhe përfaqësuesja e saj ligjore pas seanës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA

Vendimi i KPA: Roli i tërheqjes së ankimit në çështjen e Irena Gjokës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i vlerësoi bindëse provat dhe shpjegimet e gjyqtares Irena Gjoka për burimet e pasurive që zotëron, duke i rrëzuar si të pabazuara shkaqet e ngritura në ankimin e ish-Komisionerit Publik, Darjel Sina, i cili kërkoi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi. Zëvendësuesja e Sinës, komisionerja Irena Nino ndryshoi qëndrim gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj dhe e konsideroi hetimin shterues e të gjithanshëm, si dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit për konfirmimin e Gjokës.

Megjithëse të gjithë anëtarët e trupit gjykues të KPA u bashkuan në konkluzionin se konfirmimi i Gjokës duhej të lihej në fuqi, ata u ndanë në aspektin e natyrës procedurale dhe zbatimin e legjislacionit procedural, si pasojë e qëndrimit përfundimtar të ndryshëm të komisoneres Nino nga ai i Sinës në ankim.

Relatorja Natasha Mulaj dhe anëtaret Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz analizuan shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik duke paraqitur vlerësimin dhe arsyetimin e tyre, ndërsa kryesuesi Sokol Çomo dhe anëtarja Albana Shtylla çmojnë se pas ndryshimit të qëndrimit të Ninos, nuk duhej të ishte gjykuar mbi themelin e çështjes.

Gjoka, e cila mban edhe funksionin e kryetares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, u konfirmua në detyrë nga Komisioni më 22 shkurt 2020, por çështja e saj kaloi në Kolegj përmes ankimit të Sinës.

Përmbysja e shkaqeve të ankimit

Për një apartament me sipërfaqe 71 m2 në Tiranë, Komisioneri Publik ngriti fillimisht pretendime për deklarime kontradiktore që subjekti i rivlerësimit ka bërë lidhur me burimin e krijimit të kësaj pasurie, me mundësinë financiare për krijimin e kursimeve dhe depozitave që kanë shërbyer për blerjen e këtij apartamenti si dhe lidhur me mundësinë financiare të vëllait të Gjokës për dhënien një huaje në shumën 2 milionë lekë në shtator të 2005-ës.

Sina ka ngritur edhe pretendimin se kursimet e subjektit në sistemin bankar në vlerën 4.3 milionë lekë, janë më të larta se të ardhurat e saj deri në prill të vitit 2002, në shumën 2.4 milionë lekë.

Gjoka pretendoi se depozita është krijuar edhe me të ardhura të familjes së origjinës. Ajo deklaroi se prindërit zotërojnë ullishte me 125 rrënjë ullinj, nga të cilët 25 shekullorë. Sipas subjektit, babai ka pasur çdo vit prodhim nga ullishtja dhe se e ka përpunuar në vaj ulliri pranë një punishteje të modelit të vjetër që shtypej me gurë. Si prova për të vërtetuar të adhurat nga ullishtja gjatë periudhës 1994-2002, subjekti dorëzoi akte vlerësimi, deklarata noteriale, fletë nga blloqet e shënimeve, etj.

Në përfundim, Kolegji ka vendosi të përfshijë në analizë financiare të ardhurat e përfituara nga ullishtat, duke argumentuar se dokumentet  dhe shpjegimet e paraqitura nga subjekti, provojnë bindshëm se familja e saj ka përfituar në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë të ardhura nga shfrytëzimi i ullishtave.

Megjithëse është konstatuar se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë në deklaratën “veting’ lidhur me burimet e apartamentit, pasi ka shënuar të ardhurat nga pagat ndërkohë që kanë shërbyer edhe të ardhurat e familjarëve të tjerë, Kolegji vlerëson se pasaktësitë e pa shoqëruara me mungesë burimesh, nuk mund të sjellin penalizim.

Kolegji i rrëzon pretendimet e ankimit të kryer nga Sina edhe lidhur me pamundësinë e vëllait të subjektit për t’i dhënë asj një hua 2 milionë lekë që ka shërbyer si burim për apartamentin. Sipas Sinës, Gjoka nuk provoi mundësinë e vëllait nga të ardhurat e siguruara nga puna në emigracion, në Greqi.

Por, sipas KPA, komisioneri ka gabuar në përllogaritjen e të ardhurave, duke konsideruar në analizë një vlerë më të vogël. Po ashtu, janë konsideruar pretendimet e Gjokës se edhe vëllai ka krijuar të ardhura nga ullishtat.

Situatë e ngjashme është konstatuar edhe për burimet e një automjeti tip “Benz” në vitin 2014, kundrejt shumës 6557 euro. Gjoka ka deklaruar se kjo makinë është blerë me kursimet nga të ardhurat nga pagat dhe me një hua 5000 euro të marrë nga babai.

Bazuar në dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti për të ardhurat e babait nga ullishtja si dhe nga shitja e disa pronave disa vite më parë, Kolegji ka vendosur dhe në këtë rast ti konsiderojë duke lënë në fuqi bilancin pozitiv.

Sina pretendoi se Gjoka nuk rezulton të ketë pasur burime financiare të ligjshme edhe për blerjen e dy garazheve me sipërfaqe 14 m2 secili. Ai argumentoi se subjekti nuk ka deklaruar në përputhje me ligjin kthimin e një huaje 1 milion lekë në vitin 2011 dhe posedimin e cash-it në këtë vit, nga për rrjedhojë nuk justifikohej me të ardhura nga burime të ligjshme shuma e depozituar në bankë për blerjen e dy garazheve.

Por Kolegji vlerëson ndryshe duke mos i dhënë peshë mosdeklarimit të disponimit të gjendjes cash dhe duke u bazuar në deklarimet e bashkëshortit për burimet e garazheve, ka përfshirë në analizë edhe shumën 1 milion lekë.

Kolegji vlerëson si të pabazuara pretendimet e tjera të ngritura në ankim që lidhen kryesisht me të ardhurat apo interesat e bashkëshortit të subjektit.

Për një transaksion 12 mijë euro në vitin 2007 në llogarinë e bashkëshortit të subjektit, Sina ka vërejtur se nuk janë deklaruar kursime cash në vitet 2005 dhe 2006.

Duke ju referuar hetimit në Komision, Kolegji konstaton se subjekti ka sqaruar se kjo shumë e ka burimin nga të ardhurat e krijuara e të kursyera ndër vite, nga qiraja dhe shitja e pasurive të paluajtshme e të luajtshme të bashkëshortit. Ajo ka pretenduar se kursimet janë mbajtur cash nga bashkëshorti, por nuk janë deklaruar prej tij për shkak të pakujdesisë dhe moskuptimit të drejtë të ligjit, duke shpjeguar se ishte viti i parë i deklarimit të personit të lidhur për shkak të lidhjes së martesës.

Kolegji ka mbajtur në konsideratë faktin se likuiditetet në vlerën 12 mijë euro janë krijuar nga bashkëshorti para regjimit martesor dhe nuk mund të përfshihen në procesin e rivlerësimit të Gjokës.

Të njëjtin qëndrim Kolegji ka mbajtur edhe për një shumë 10 mijë euro, që nga hetimi në KPK ka rezultuar se subjekti e ka depozituar në një llogari bankare të bashkëshortit në vitin 2002.

Gjoka ka shpjeguar se nuk ka lidhje me këtë veprim bankar, pasi shuma ka qenë e bashkëshortit dhe ka kaluar për llogari të tij.  Ajo është mbrojtur duke pretenduar se i vetmi hamendësim se përse rezulton si depozituese e shumës 10 mijë euro, “mund të jetë se veprimet janë kryer në Degën Fier, njiheshin në komunitet dhe ndoshta mund të ketë shoqëruar z. Gj. pranë sportelit të bankës”.

Subjekti ka deklaruar në Kolegj se komisioneri nuk ka dhënë asnjë argument apo pretendim në lidhje me këtë transaksion, që të ketë lidhje me deklarimet e saj në deklaratën “veting”. Sipas saj, objekti i procesit të rivlerësimit janë vetëm pasuritë e deklaruara në deklaratën e pasurisë “veting”, së bashku me burimin e tyre dhe se ky transaksion nuk mund të ndikojë në analizën financiare.

KPA i ka gjetur bindëse këto shpjegime, si dhe nisur nga fakti se ky transaksion i kryer në emër të subjektit për llogari të bashkëshortit është kryer para regjimit martesor, ka çmuar se nuk mund të ketë ndikim.

Sina ka ngritur dyshime edhe për dy hua të dhëna nga bashkëshorti i subjektit në vitet 2008 dhe 2012, përkatësisht në vlerat 16 mijë USD dhe 34 mijë e 500 USD, transaksione që nuk janë deklaruar. Lidhur me burimet e këtyre shumave, Gjoka ka deklaruar se i kanë marrë nga babai i saj dhe një mik i bashkëshortit. Lidhur me mosdeklarimin, ajo ka pretenduar se janë marrë dhe kthyer për periudha të shkurtra kohore, brenda të njëjtit vit dhe për këtë arsye nuk kishte pse t’i deklaronte.

Por, Sina ka pretenduar se Gjoka nuk ka provuar as mënyrat e marrjes së shumave te huadhënësit dhe as kthimin e këtyre shumave huamarrësve, duke vlerësuar se bëhet i pamundur kontrollin financiar dhe ligjor të këtyre marrëdhënieve.

Kolegji vlerëson se babai i subjektit dhe miku i bashkëshortit kanë pasur mundësinë për dhënien e vlerave që më pas janë huazuar tek persona të tretë. Sipas KPA, nisur nga fakti se këto hua nuk kanë shërbyer për krijimin e ndonjë pasurie në emër të subjektit apo të bashkëshortit, nuk ndikojnë në vlerësimin tërësor të pasurisë.

Për rrjedhojë, është çmuar se gjyqtarja Gjoka arrin nivel të besueshëm për pasurinë dhe se duhet të lihet në fuqi konfirmimi i saj në detyrë.

Mendimet paralele

Dy anëtarët në pakicë, gjyqtarët Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, megjithëse shprehen dakord për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të Gjokës, vlerësojnë se pas qëndrimit përfundimtar të Komisioneres Nino se ishte dakord me vendimarjen e Komisionit, çështja nuk duhej të ishte shqyrtuar në themel.

“…Konstatoj se ankuesi, gjatë gjykimit të çështjes, ndryshoi kërkimin e parashtruar fillimisht në ankim, duke kërkuar përfundimisht nga Kolegji që vendimi i kundërshtuar nëpërmjet ankimit, të lihej në fuqi”, vëren Çomo dhe arsyeton se ashtu si komisioneri ka të drejtë të kryejë ankim, “gëzon në mënyrë ekskluzive edhe të drejtën e disponimit mbi ankimin e ushtruar prej tij, nëpërmjet institutit të ‘heqjes dorë nga ankimi’, në çdo fazë të gjykimit të çështjes në Kolegj”.

Ai sjell në vëmendje se komisionerja Nino ka pranuar në mënyrë të qartë se shkaqet mbi të cilat është ushtruar ankimi, pas shqyrtimit të tyre nga Kolegji në seancë gjyqësore publike, nuk mund ta cënojnë vendimin e KPK-së.

Çomo vlerëson se ky kërkim i Ninos, pavarësisht formës së paraqitjes dhe terminologjisë së përdorur, përbën në thelb veprimin procedural të heqjes dorë nga ankimi.

Sipas tij, pas kërkimit përfundimtar të Komisioneres Publike, Kolegji nuk kishte më lëndë procedurale për të vijuar kontrollin gjyqësor të vendimit objekt ankim. Për rrjedhojë, ndryshe nga shumica e trupit gjykues, Çomo çmon të mos analizojë shkaqet e ngritura filimisht në ankim.

Edhe gjyqtarja Shtylla, ndryshe nga shumica vlerëson se ndryshimi tërësisht i kërkimit të Ninos, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të KPK-së, passillte mosshqyrtimin dhe moskryerjen e një vlerësimi nga Kolegji të fakteve juridike të natyrës materiale dhe mënyrës së zbatimit të ligjit material lidhur me to.

Por ndryshe dhe nga Çomo, ajo çmon se kërkimi i Ninos për lënien në fuqi të konfirmimit të Gjokës nuk mund të konsiderohet si heqje dorë nga ankimi.

Ajo sjell në vëmendje se heqja dorë paraqitet e nënshkruar nga të dy komisionerët dhe se duet të ketë të referuar bazën ligjore për heqjen dorë, të bazuar në Kodin e procedurës Civile.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *