Prokurori Bajram Breçani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

KPK e shkarkoi Bajram Breçanin për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli më 6 shtator 2022 vendimin për shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Bajram Breçani për probleme në kriterin pasuror, që kishin të bënin më së shumti me pasaktësitë në deklarimin e investimeve të kryera gjatë periudhës 1996-1998 në një banesë trekatëshe në bashkëpronësi me një prej vëllezërve, si dhe me mungesë burimesh financiare.

Ndërkohë, gjetjet për pushimin e hetimit ndaj Gjergj Cukalit, i proceduar për vrasjen e një ish-efektivit të policisë, Arben Bilali, nuk u vlerësuan penalizuese. Breçani u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Breçani u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan.

Breçani e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në vitin 2000 pasi u shkarkua nga Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm. Ai fitoi me vendim gjyqësor të formës së prerë rikthimin në sistemin e drejtësisë dhe në vitin 2013 u caktua në Prokurorinë e Krujës. Një vit më vonë u transferua në Prokurorinë e Elbasanit ku shërbeu deri në vitin 2016, kur u caktua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Problemet për pasurinë

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Breçani ka shënuar në deklaratën “veting” se disponon një shtëpi banimi me sipërfaqe ndërtimi 145 m2 dhe truall me sipërfaqe m 460 m2, si dhe një pjesë shpati rreth 300 m2 në pjesën lindore të objektit. Ai ka sqaruar se trualli është blerë në vitin 1995 për shumën 368 mijë lekë së bashku me dy vëllezërit dhe se është formalizuar në vitin 1998.

Si burim krijimi për pagesën e kryer janë deklaruar të ardhurat e tij dhe dy vëllezërve, secili nga 123 mijë lekë. Për ndërtimin e banesës ka deklaruar se janë shpenzuar gjithsej 8 milionë lekë, që sipas tij rrjedhin nga kontributet e të tre vëllezërve, njëri prej të cilëve ka qenë në emigrim prej vitit 1993. Sipas subjektit, objekti trekatësh është i ndarë me pjesë të barabarta për secilin prej vëllezërve.

Breçani ka deklaruar se ai vetë ka shpenzuar 3 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë dhe 2.5 milionë lekë për rregullimin dhe arredimin. Subjekti ka pretenduar se ndërtimi banesës ka filluar në fundin e vitit 1996, fillimviti i ’97-ës.

Si burime për të ardhurat e investuara prej tij në pjesën takuese, Breçani ka deklaruar ato të përfituara nga shitja e një banese në vitin 1997 në shumën 2 milionë lekë, pasuri që e ka pasur në bashkëpronësi me një prej vëllezërve. Sipas subjektit, ai ka përfituar 1 milion lekë nga shitja e banesës që i ka përdorur për ndërtimin e pjesës së tij takuese në shtëpisë trekatëshe.

Në vijim, Breçani ka sqaruar se banesën e shitur në ’97-ën e ka blerë së bashku me vëllanë në vitin 1996 për çmimin 1 milion e 650 mijë lekë. Për pjesën e tij takuese 825 mijë lekë në këtë investim, subjekti ka deklaruar se buronte nga të ardhurat e siguruara nga depozita në ish-fondacionin “Xhaferri” në shumë 675 mijë lekë dhe se pjesën tjetër 149 mijë lekë e kishte paguar një prej vëllezërve. Breçani ka deklaruar se këtë shumë ia ka kthyer vëllait pas shitjes së apartamentit, ku kishin rezultuar me fitim në vlerën 350 mijë lekë.

Breçani ka deklaruar si pjesë të burimeve për investimin e pjesës takuese edhe të ardhurat nga shitja e një banese në Lushnjë në vitin 2001; rreth 500 mijë lekë nga i njëjti fondacion dhe një hua nga vëllai në shumën 600 mijë lekë, që shpjegon se e ka kthyer në vitin 2003.

Komisioni vëren se kjo pasuri rezulton të jetë krijuar në periudhën kur Breçani ushtronte detyrën e prokurorit dhe për këtë arsye hetimit i është nënshtuar edhe saktësia e deklarimeve dhe ligjshmëria e burimeve të krijimit.

Nga verifikimi i deklaratës para fillimit të detyrës në vitin 2013, subjekti ka pasqyruar shtëpinë trekatëshe me vlerë totale 8 milionë lekë, të ndërtuar në bashkëpronësi me vëllain në vitin 1996, me të ardhura nga shitja e apartamenteve të mëparshëm në Bajram Curri dhe Lushnjë, si dhe të ardhurat e vëllait emigrant në Itali. Breçani ka deklaruar se pjesa e tij takuese ishte 50%.

KPK vëren se trualli i blerë në vitin 1998 është regjistruar vetëm në emrin e subjektit dhe të një prej vëllezërve dhe jo në emrin e të tre vëllezërve, ashtu si ka deklaruar Breçani.

“Subjekti, deri më sot, nuk ka kryer ndonjë veprim për të provuar pretendimet e tij se pasuria në fjalë është ndërtuar me kontributin e tre vëllezërve dhe as nuk janë kryer veprime për ndarjen e pasurisë në emër të tyre respektiv”, konstaton KPK dhe e ka kryer analizën financiare bazuar në dokumentacionin sipas të cilit subjekti rezulton bashkëpronar vetëm me një prej vëllezërve.

Po ashtu, Komisioni ka konstatuar se nuk është arritur të vërtetohet periudha e ndërtimit të objektit dhe kostot e tij.

Bazuar në këto gjetje, KPK vlerëson se kontributi i subjektit është për gjysmën e investimit të kryer në këtë pasuri. Nisur nga fakti se ka qenë e pamundur që të konstatohen kostot e investimeve sipas periudhave, në analizën financiare paraprake Komisioni është bazuar në referncat e Entit Kombëtar të Banesave, EKB të viteve 1996-1998, kur është kryer ndërtimi objektit – ku pjesa e subjektit është vlerësuar në shumën 4.9 milionë lekë. Po ashtu, në analizë është konsideruar edhe shuma 2.5 milionë lekë e deklaruar nga subjekti se ka shërbyer për rregullimet dhe mobilimin.

Duke iu referuar burimeve të deklaruara nga subjekti se kanë shërbyer për kryerjen e këtij investimi, ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 4.6 milionë lekë.

Trupa e KPK sjell në vëmendje edhe faktin se zënia e truallit në vitin 1995 dhe ndërtimi i shtëpisë pa leje në vitet në vijim është bërë gjatë periudhës kur subjekti ushtronte detyrën e prokurorit.

Subjektit i është kaluar barrë prove për të gjitha këto konstatime, konkretisht për mospërputhje në deklarime lidhur me personat që kanë kontribuar në blerjen e truallit dhe ndërtimin e pasurisë; se nuk arrinte të provonte me dokumentacion vlerën e investimit dhe kontributin e secilit nga vëllezërit sipas pretendimeve të tij; se këto pasuri janë regjistruar në emër të subjektit dhe në emër të një prej vëllezërve; për faktin se ka bërë ndërtim pa leje dhe zënie trualli në periudhën kur ushtronte detyrën si prokuror; si dhe për balancën negative në shumën 4.6 milionë lekë.

Megjithëse subjekti ka këmbëngulur në qëndrimet e tij lidhur me pjesën dhe mënyrën e investimit, Komisioni vlerëson se ai nuk arriti të provojë dhe të kundërshtojë plotësisht barrën e provës, duke i konsideruar prapësimet në nivel deklarativ.

Sipas KPK, subjekti nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor përfshirjen e vëllait tjetër A.B. dhe kontributin e tij si bashkëpronar në pasurinë truall dhe objekt, si dhe nuk paraqiti asnjë dokument për të vërtetuar se ishte ndërmarrë ndonjë veprim ligjor për përfshirjen e atij vëllai në procesin e legalizimit dhe regjistrimit më pas të kësaj prone.

“Deklarata se shtetasi A.B ka qenë posedues i katit të tretë të pasurisë bie në kundërshtim me deklarimet e subjektit. Sipas përgjigjes së subjektit në pyetësorin nr. 2 është deklaruar se z. A.B ka banuar dhe banon në qytetin e Bajram Currit dhe kati i tretë i objektit, për të cilin ai mund të këtë kontribuuar, është i pabanueshëm”, konstaton KPK dhe ka konkluduar përfundimisht se vlera e investimit të subjektit për këtë pasuri do të konsiderohet 50% e shumës totale të shënuar prej tij në deklaratën “veting” dhe para fillimit të detyrës, në shumën 8 milionë lekë ku pjesa takuese përllogaritet 4 milionë lekë,

Në vijim KPK konkludon se Breçani nuk arriti të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit lidhur me kostot e ndërtimit. “Raporti i ekspertit i kontraktuar (aktekspertimi i njëanshëm) nga subjekti nuk paraqet situatën reale të ndërtimit në ato vite për vetë faktin se ky raport është hartuar në vitin 2022 dhe ekspertja nuk ka qenë në gjendje të konstatojë situatën ndërtimore reale në ato vite”, vlerëson KPK dhe shton se ekspertja e kontraktuar nga subjekti shkon përtej misionit të saj duke bërë edhe vlerësim juridik në përcaktimin e ndarjes së pasurisë në fjalë për tre bashkëpronarë dhe jo për dy, ashtu si përcaktohet në dokumentacionin ligjor.

Komisioni ka konsideruar në analizë edhe shpenzimin 2.5 milinë lekë për regullimt dhe arredimin.

Në analizën përfundimtare janë konsideruar të ardhurat e subjektit të përfituara nga fondacioni “Xhaferri” në shumat 500 mijë lekë dhe 825 mijë lekë, ndërkohë që nuk janë konsideruar kursimet ndër vite të pretenduara gjatë hetimit administrativ, pasi nuk janë pasqyruar në deklaratën “veting” – si dhe për arsye se nga verifikimi i kryer për periudhën 1995-1998, Breçani ka rezultuar në pamundësi për realizimin e kursimeve.

Për rrjedhojë, Breçani nuk ka mundur ta përmbysë një pjesë të balancës negative dhe bazuar në këto konkluzione, KPK vlerëson se ai kryer deklarim të pasaktë në deklaratën “veting” dhe se është munduar të pasqyrojë fakte të pavërteta lidhur me koston e ndërtimit dhe personat e përfshirë në blerjen e pasurisë truall dhe ndërtimin e objektit.

Në përfundim, KPK vlerëson se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar blerjen e truallit dhe kryerjen e investimeve për ndërtimin e objektit.

KPK ka hetuar edhe për periudhën kur Breçani nuk ka ushtruar detyrën e prokurorit, nga ku janë konstatuar pamundësi për blerjen e dy automjeteve.

Megjithatë, analiza financiare përfundimtare është shtrirë në periudhat 1995 – 2000 dhe 2013-2016, kur subjekti e ka mbajtur funksionin e prokurorit. Gjatë viteve 2013-2016, Breçani ka rezultuar me bilanc pozitiv, ndërsa është penalizuar për periudhën 1995-2000, kohë kur është kryer investimi në banesën trekatëshe, kur ka rezultuar me balancë negative në vlerën totale 2.4 milionë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *