KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA
KPK Veting

KPK e përfundon vetingun për Tom Dedajn pa një vendim përfundimtar

Tom Dedaj ka qenë subjekt rivlerësimi për shkak të funksionit të tij si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe për këtë arsye i është nënshtruar procesit të vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Gjatë hetimit administrativ për prokurorin Dedaj, Komisioni ka konstatuar se në ngarkim të këtij subjekti, ish-Prokuroria për Krime të Rënda nisur nga një denoncim publik në emisionin “Fiks fare”, ka regjistruar në tetor të vitit 2016 procedim për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Po në atë periudhë, është vendosur pezullimi i Dedajt nga detyra deri në përfundimin e hetimeve në ngarkim të tij.

Në vitin 2018, me kërkesë të prokurorisë, Dedaj është deklaruar fajtor për korrupsion nga ish-Gjykata për Krime të Rënda dhe është dënuar me 3 vjet burgim. Po ashtu i është dhënë dënim plotësues me heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet. Megjithatë, gjykata e ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burgim duke e vendosur në provë për një periudhë 5 vjeçare.

Pozita e Dedajt është lehtësuar nga ish-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda që e ka deklaruar fajtor për “moskallëzim krimi”, duke e dënuar me 1 vit burgim, si dhe e ka pezulluar ekzekutimin e vuajtjes së dënimi duke e vendosur në provë për 2 vjet. Apeli ka zbritur edhe masën e dënimit plotësues, duke vendosur që ti heqi të drejtën për të ushtruar funksione publike vetëm për një vit.

Duke iu referuar këtyre vendimeve penale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka vendosur më 28 janar 2019 të shkarkojë nga detyra prokurorin Tom Dedaj. Ky i fundit e ka ankimuar vendimin e KLP në Gjykatën Administrative të Apelit duke kërkuar mes të tjerash rikthimin në detyrën e prokurorit; dhënien e pagës dhe të një shpërblimi në shumë 30 milionë lekë; si dhe konstatimin e diskriminimit të tij.

Apeli Administrativ ka shpallur moskompetencën në dhjetor të 2019-ës dhe ka vendosur dërgimin e akteve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA që vendosi fillimisht kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike.

Dedaj nuk është paraqitur në seancën publike të zhvilluar më 20 korrik të vitit 2020, megjithëse është konfirmuar marrja njoftimit nga ana e tij. Gjithashtu nuk ka paraqitur parashtrime apo pretendime për çështjen, si dhe nuk ka depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës në Kolegj. Për rrjedhojë, KPA ka vlerësuar ta trajtojë këtë situatë si heqje dorë nga kërkesa e tij kundër vendimit të KLP-së.

Sipas KPK-së, Kolegji ka arritur në përfundimin se gjykimi i kësaj çështjeje pranë KPA-së duhet të pushohet.

Por nga hetimi ka rezultuar se Dedaj ka dorëzuar në korrik të vitit 2021 në KPA kërkesë për rifillimin e çështjes. Kjo kërkesë nuk është pranuar, pasi Kolegji ka vendosur të mos e kalojë çështjen në seancë plenare.

Pasi ka analizuar gjithë ecurinë e proceseve që kishin të bënin me arsyet e shkarkimit nga detyra të Dedajt dhe humbjes së statusit të magjistratit, Komisioni vlerëson se është bërë i pamundur objekti për të cilin ka filluar procesin e vetingut për këtë subjekt rivlerësimi.

Në këto kushte trupa e KPK e përbërë nga komisioneret Firdes Shuli, Suela Zhegu dhe Alma Faskaj ka vendosur të deklarojë përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar për Tom Dedajn, pa një vendim përfundimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *