Prokurori Artur Ismajlukaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Artur Ismajlukaj jep shpjegime për udhëtimet me persona të dënuar

Prokurori i Elbasanit, Artur Ismajlukaj u përball të enjten më 25 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime për disa udhëtime me automjete të personave të dënuar penalisht, në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Për pasurinë dhe profesionalizmin nuk u evidentuan probleme domethënëse.

Megjithëse Ismajlukaj u shpreh dakord me gjithë gjetjet e hetimit administrativ, ai këmbënguli se udhëtimet kishin qenë të rastësishme, me qëllim që të mbërrinte pranë familjes ose në vendin e punës. Ai mohoi të kishte pasur njohje me shtetasin e dënuar në Itali, duke shpjeguar se mjeti i tij përdorej nga një funksionar policie në momentin kur kishte udhëtuar.

Procesi i vetingut për prokurorin Artur Ismajlukaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Artur Ismajlukaj e nisi karrierën si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tropojës në vitin 2005. Ai u emërua prokuror në vitin 2014 dhe e ushtroi funksionin fillimisht pranë Prokurorisë së Tropojës dhe më pas në Prokurorinë e Elbasanit.

Komisioni nuk e ka konsideruar një prej burimeve të një vlere të dhuruar nga prindërit e bashkëshortes së subjektit, që është deklaruar se ka shërbyer për blerjen e një apartamenti në ish-komunën Dajt të Tiranës në vitin 2011 kundrejt çmimit 36 mijë euro, megjithatë, sipas relatores Zhegu, ai ka rezultuar me bilanc pozitiv në çdo vit.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2014, subjekti ka deklaruar pagat e tij si oficer i policisë gjyqësore nga viti 2005 dhe të bashkëshortes si mësuese prej vitit 2006. Ndërsa në deklaratën “veting”, ka shtuar dhe një dhurim nga vjehrri në shumën 1 milion lekë.

Komisioni ka konstatuar se vjehrri i subjektit e ka transferuar shumën 1 milion në llogarinë e këtij të fundit, por nga hetimi ka rezultuar se prokurori Ismajlukaj e ka transferuar në llogarinë e shtetasit G.M. I Pyetur nga trupa e KPK lidhur me transferimin e kësaj shume në llogarinë e G.M., subjekti ka shpjeguar se e ka bërë me qëllim që ta këmbente në euro, pasi i duhej për ta përdorur për shlyerjen e çmimit të apartamentit.

Për të vërtetuar mundësinë e vjehrrit për krijimin e shumës 1 milion lekë, subjekti ka depozituar dokumentacion mbi të ardhurat e familjarëve të bashkëshortes, si dhe për transaksionet e dërgesave nga vëllai i saj prej Mbretërisë së Bashkuar, në shumën totale rreth 114 mijë paund.

Zhegu vërejti se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion ligjor për të ardhurat e kunatit nga puna në Mbretërinë e Bashkuar dhe për rrjedhojë ato nuk janë përfshirë në analizën financiare për mundësinë e vjehrrit për dhënien e shumës 1 milion lekë.

Megjithatë, relatorja Zhegu pohoi se subjekti rezulton me balanca pozitive për çdo vit.

Komisioni konstaton se Ismajlukaj nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” përdorimin e një automjeti, por e ka shënuar atë në pyetësorin standard. Zhegu vërejti se subjekti e ka përdorur këtë automjet për 26 udhëtime drejt Kosovës gjatë viteve 2016-2017, ndërsa pronari i makinës nuk ka lëvizur asnjëherë jashtë vendit.

Udhëtimet me persona me precedentë penalë

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK nuk ka gjetur probleme për prokurorin Ismajlukaj. Por një gjetje e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM e ka ndryshuar rrjedhën e hetimit të Komisionit.

Sipas gjetjes së ONM-së, në janar të vitit 2017, subjekti ka udhëtuar jashtë vendit me mjetin në pronësi të shtetasit K.J., i dënuar në Rimini të Italisë për vepër penale në fushën e narkotikëve, që sipas legjislacionit shqiptar bën pjesë në ato krimit të organizuar. ONM i ka kërkuar Komisionit që të verifikojë marrëdhënien e subjektit me këtë person dhe se përse nuk e ka deklaruar këtë kontakt. Po ashtu, është kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet në kuadër të vlerësimit tërësor.

Zhegu vërejti se në burimet publike të informacionit, ka shkrime sipas të cilave shtetasi K.J. është ekstraduar në vitin 2015 drejt Italisë.

I pyetur nga Komisioni, Ismajlukaj ka sqaruar se nuk ka asnjë njohje me shtetasin K.J. Sipas tij, makinën e kishte në përdorim shtetasi Y.V., që në atë kohë mbante funksionin e shefit të krimeve në Komisariatin e Tropojës. Sipas tij, udhëtimi kishte qenë drejt Hasit për një rast vdekjeje dhe për shkak të dëborës dhe motit të keq, kishin udhëtuar me automjetin e llojit fouristradë, në përdorim të funksionarit të policisë Y.V.

Pasi KPK ka konkluduar se mjeti në fjalë nuk ka qenë i konfiskuar nga shteti, subjektit i është kaluar barrë prove lidhur me konstatimin se, nisur nga fakti se ka udhëtuar me mjetin e shtetasit K.J., mund të ketë pasur kontakte me atë person.

Kryesuesja Etleda Çiftja e pyeti subjektin nëse kishte qenë në dijeni se edhe funksionari i policisë kishte qenë nën hetim në atë periudhë. Ismajlukaj deklaroi se nuk kishte pasur dijeni. Sipas tij hetimi nuk ishte kryer nga Prokuroria e Tropojës, por ishte nisur nga ajo e Laçit dhe hetuar nga Krimet e Rënda.

Në vijim, ai këmbënguli se nuk e kishte njohur shtetasin K.J, pronarin e mjetit që kishte pasur në përdorim funksionari i policisë. “Kam qenë pasagjer me shtetasi Y.V. Unë s’e kam menduar të arsyeshme për ta pyetur lidhur me mjetin, pasi ai ishte funksionar policie dhe nuk mund ta paragjykoja se makina mund të ishte e një personi të përfshirë në krimin e organizuar,” deklaroi subjekti.

ONM i ka paraqitur Komisionit edhe gjetje të tjera lidhur me personat me të cilët subjekti ka kryer udhëtime, një pjesë e të cilëve me precedentë penalë.

“Duket se shoqërimi i subjektit me persona të dënuar për veprime të kundërligjshme cënon pozitën dhe etikën e tij si prokuror,” vërejti relatorja Zhegu.

Ajo shtoi se dy prej këtyre personave subjekti i ka hetuar dhe ka pohuar se kishte pasur njohje. Një prej tyre ka rezultuar se Ismajlukaj e ka hetuar në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, për veprat penale ‘plagosje e rëndë nga pakujdesia’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’, por çështja është pushuar në gjykatë për shkak të amnistisë. Sipas Zhegut, subjekti ka shpjeguar se njihej me vëllanë e këtij shtetasi, pasi kishin qenë në shkollë së bashku. Ai ka shtuar se kishte vënë në dijeni drejtuesin e prokurorisë lidhur me këtë njohje, por për shkak se ishte i vetmi oficer i policisë gjyqësore, ia kishin deleguar atij hetimin e çështjes, që ka pretenduar se e ka kryer sipas ligjit.

Personi tjetër me të cilin subjekti ka udhëtuar dhe e ka hetuar, ka qenë i akuzuar për veprën penale të ‘kontrabandës’. Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se Ismajlukaj në cilësinë e oficerit të poliicisë gjyqësore, ka sygjeruar kalimin për gjykim të çështjes ndaj këtij shtetasi.

Po ashtu, ka rezultuar se edhe shtetasi të cilit subjekti i ka transferuar shumën 1 milion lekë, ka qenë i dënuar për ‘vjedhje të pasurisë shtetërore’.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurori Artur Ismajlukaj u shpreh dakord me të gjitha gjetjet e Komisionit në të tre kriteret e rivlerësimit. Ai deklaroi se udhëtimet e tij drejt Kosovës me persona të dënuar kanë qenë të rastësishme, me qëllim për të arritur vendin e punës ose familjen. Subjekti sqaroi se për periudhën 2005-2021 ka punuar në Tropojë, ndërsa prindërit jetonin në Tiranë dhe bashkëshortja punonte në Burrel.

Ai tha se kishte qenë i detyruar të lëvizte përmes Kosovës, pasi nuk ka linja të tjera, përveçse në mëngjes. “Kam qenë i detyruar të udhëtoj me automjete të rastit,” pohoi subjekti dhe theksoi se nëse do t’i jepej mundësia të vijonte detyrën, do të ishte më i kujdesshëm.

I pyetur nga relatorja Zhegu nëse mendonte se kishte cënuar standartin e sjelljes së magjistratit me këto udhëtime, prokurori Ismajlukaj u shpreh se nisur nga veprat penale për të cilat janë dënuar personat me të cilët ka udhëtuar, qytetarët e Tropojës nuk do të shpreheshin keq ndaj tij.

Ai tha se kishte një familje të madhe në një komunitet të vogël si ai i Tropojës, ku kishin njohje me shumë persona, por jo lidhje me ata të përfshirë në krimin e organizuar.

“Mendoj se duhej të kisha qenë më i kujdesshëm. Nuk ka qenë dëshira ime të punoj në Tropojë, pasi aty njihem me njerëzit dhe kam lidhje familjare e shoqërore, por nuk më është dhënë mundësia të punoj në tjetër vend,” theksoi subjekti dhe në përgjigje të pyetjes së Sprenger sqaroi se kishte depozituar disa kërkesa në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u transferuar, por nuk i ishin marrë parasysh.

Në përfundim, subjekti shpjegoi se gjatë periudhës që e ushtron funksionin në Prokurorinë e Elbasanit është kujdesur të udhëtojë gjithmonë me automjetet e kolegëve që punojnë në atë prokurori. Ai kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 29 maj, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *