Gjyqtari Hektor Sinanaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK

Vendimi i KPK: Gjyqtari Hektor Sinanaj cënoi besimin e publikut

Gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Hektor Sinanaj u shkarkua nga detyra më 13 mars, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai nuk arriti nivel të besueshëm për pasurinë dhe nivel kualifikues për profesionalzimin. Në vlerësimin tërësor të problemeve të konstatuara në këto dy kritere, u çmua se Sinanaj kishte cënuar me sjelljen e tij besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Hektor Sinanaj e filloi karrierën si avokat në vitin 1992 dhe u emërua gjyqtar në vitin 2000. Ai punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës. Në tetor 2021, Sinanaj mori “vërejtje publike” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas një hetimi disiplinor të ILD-së për vendimet e tij lidhur me urdhrat e ekzekutimit të disa institucioneve financiare, për të cilat Sinanaj tha se kishte mbrojtur qytetarët.

Problemet për pasurinë

Sinanaj ka deklaruar zotërimin e një godine 3-katëshe të ndërtuar nga fundi i vitit 1992 dhe të rikonstruktuar me leje ndërtimi të vitit 2001, si dhe se ka vazhduar punimet deri në mars të vitit 2006. Po ashtu, ka deklaruar se në atë periudhë nuk është përfunduar çatia sipas projektit.

Ai ka shpjeguar se nga viti 1993 ambientet e katit të parë të godinës i ka përshtatur si zyra avokatie e bar-bilardo, që i ka dhënë me qira. Më pas, kati përdhe është përshtatur si kopsht fëmijësh që është administruar po nga bashkëshortja.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Sinanaj ka deklaruar kursimet familjare, të ardhurat nga puna si avokat, përmbarues, sekretar e gjyqtar, të ardhurat nga kopshti privat, dhënia me qira e zyrave, nga bar-bilardo, të ardhurat nga depozita bankare, kthimin e një huaje në shumën 1 milion lekë në vitin 1996 dhe kredi 20 mijë USD në 2005-ën. Po ashtu, ka shpjeguar se ka bërë dhe shkëmbim valute nga ka nxjerrë përfitime.

Subjekti është pyetur nga Komisioni dhe ka dhënë shpjegime mbi mënyrën e përfitimit të truallit mbi të cilin është bërë ndërtimi i objektit. Ai ka shpjeguar se në vitin 1992 kur ka dalë ligji për privatizimin e shërbimit të avokatisë, kishte rënë dakord me pronarin e truallit që të ndërtonte zyrën në një pjesë të sipërfaqes së tokës. Edhe pas kalimit të barrës së provës për këtë gjetje, KPK vlerëson se ka mbetur e paqartë mënyra e përfitimit të truallit.

Komisioni konstaton ndryshe nga sa ka deklaruar subjekti lidhur me rikonstruksionin e objektit. KPK vëren se në asnjë pikë të vendimit të KRRT-së për miratimin dhe as në aktin e lejes së ndërtimit të vitit 2001 nuk flitet për rikonstruksion, por për ndërtim të ri mbi një shesh me sipërfaqe 206 m2.

Në analizën financiare nuk janë përfshirë të ardhurat nga paga si përmbarues, sekretar etj., që i përkasin periudhës përpara vitit 1990, pasi sipas jurispudencës së institucioneve të vetingut, është çmuar se në atë kohë nuk ka qenë e mundur aftësia për kursime.

Gjithashtu, është vlerësuar se nuk është provuar ligjshmëria e të ardhurave nga aktiviteti privat bilardo, si dhe të ardhurat nga kopështi privat, pasi regjistrimi këtij aktiviteti është kryer në vitin 2008, ndërkohë që ndërtimi ishte përfunduar në 2006-ën. Nga hetimi ka rezultuar se nuk janë shlyer detyrimet tatimore për të ardhurat nga dhënia e zyrave me qira dhe as nuk është mbajtur tatimi në burim nga njëra prej palëve. Për rrjedhojë këto të ardhura nuk janë përfshirë në analizën financiare. Sipas KPK, nuk janë provuar as të ardhurat nga depozitat bankare.

Komisioni ka konsideruar në analizën financiare kredinë dhe vlerën e huasë të kthyer në vitin 1996.

Ndërkohë, është çmuar se rezulton e provuar se subjekti ka ushtruar profesionin e avokatit për periudhën 1992 – 1999, duke u regjistruar me vendim gjykate si person fizik dhe në organet tatimore është pajisur me kod fiskal. Po ashtu, është kryer pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore për pagën minimale, mandatpagesat pranë Bankës së Shtetit dhe Bankës së Kursimeve, mandatpagesat për kryerjen e pagesës pranë zyrës së tatimeve etj..

Nisur nga deklarimi i detajuar në deklaratën e parë të vitit 2003 për të ardhurat e realizuara për çdo vit nga avokatia dhe konfirmimi prej institucioneve i pagesave për shlyerjen e detyrimeve tatimore në vitet 1998 – 1999, si dhe nga koha e gjatë e arkivimit të të dhënave, është vlerësuar se subjekti ka provuar shuma konkrete të përfituara prej kësaj veprimtarie dhe detyrimet tatimore që ka shlyer.

Bazuar në këto konstatime, KPK ka vlerësuar të konsiderojë qarkullimin minimal prej 2 milionë lekësh në vit dhe me marzh fitimi 90%, prej nga janë përllogaritur të ardhura nga avokatia në masën 13.5 milionë lekë. Megjithatë, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 9.8 milion lekë për kryerjen e investimeve në objektin trekatësh dhe mbulimin e shpenzimeve gjatë periudhës 1992-2006.

Tjetër konstatim i Komisionit për këtë pasuri, ka qenë dhe fakti se subjekti ka dhënë zyrat me qira për avokatë që kanë qenë përfaqësues të palëve në proceset gjyqësore të gjykuara nga subjekti ndër vite.

Lidhur me një magazinë 60 m2, Komisioni ka çmuar se qëndrimet kontradiktore të subjektit lidhur me kohën dhe vlerën e investimit, e kanë bërë të pamundur analizën financiare dhe kontrollin e ligjshmërisë së krijimit të kësaj pasurie. “Komisioni, në lidhje me analizën financiare, në mungesë të deklarimit në mënyrë të qartë dhe të pambështetur në prova të vlerës së këtij ndërtimi, ka vlerësuar se subjekti nuk shpjegoi në mënyrë shteruese pamundësinë financiare të rezultuar gjatë hetimit administrativ prej – 2,318,540 lekësh”, citohet në vendim.

KPK vlerëson se Sinanaj nuk arriti të provojë se burimet financiare të një shtëpie banimi në Vlorë janë krijuar në mënyrë të ligjshme. Sipas Komisionit, pavarësisht deklarimeve të pasakta e kontradiktore lidhur me vlerën e investimit në këtë pasuri, është kryer analiza financiare prej nga ka rezultuar pamundësi në shumën 1.6 milion lekë.

Vlerësim të ngjashëm ka Komisioni dhe për një automjet të llojit “Toyota” të blerë për 23 mijë euro në 2008-ën. Sipas KPK, subjekti ka bërë një deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e blerjes së automjetit, si dhe nuk ka arritur të provojë se burimet për krijimin e kësaj pasurie janë krijuar në mënyrë të ligjshme.

Pamundësi ka rezultuar dhe për blerjen e një automjeti tjetër, për krijimin e disa depozitave, si dhe për krijimin e gjendjeve cash të kursimeve të deklaruara në periudhën 2003 – 2016.

Nga analiza financiare e përgjithshme është konstatuar pamundësi totale në vlerën 28.9 milionë lekë.

Profesionalizmi dhe cënimi i besimit

Nga shqyrtimi i të dhënave në dosjen personale për subjektin të hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me aftësitë profesionale, KPK vëren se janë evidentuar njohuri të pakta në drejtim të interpretimit dhe analizimit të dispozitave ligjore të rasteve të trajtuara, si në vendime, ashtu edhe në dosje. Po ashtu, janë konstatuae probleme edhe përsa i përket arsyetimit ligjor.

Komisioni i ka vlerësuar tetë dosjet e shqyrtuara nga KLGJ, prej nga ka gjetur se Sinanaj dhe dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues, në një rast kanë cënuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për gjykimin e shkurtuar, pasi është pranuar pretendimi i të pandehurit për pavlefshmërinë e një akti duke vijuar më gjykimin e zakonshëm, pa revokuar më parë vendimarrjen për gjykimin e shkurtuar.

Për pesë vendime konstatohet se nuk janë të arsyetuar qartë e në mënyrë të kuptueshme, pasi mungon analiza e provave dhe argumentimi logjik. Në një rast prej tyre konstatohet gjykimi në kushtet e konfliktit të interesit.

Në vendimin e KPK trajtohen edhe të dhënat nga burimet arkivore të KLGJ-së, prej nga ka rezultuar se Sinanaj në vitin 2004 ka marrë masën disiplinore “vërejtje me paralajmërim”, të dhënë nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD. Po ashtu, trajtohet dhe masa dispilinore “vërejtje publike” e dhënë nga KLGJ në tetor të vitit 2021, për disa vendime të subjektit kundër disa urdhërave të ekzekutimit të lëshuar nga disa institucione financiare.

Ndaj gjyqtarit Sinanaj janë depozituar në Komision 31 denoncime nga publiku. Për një prej çështjeve të denoncuara konstatohet se ai ka cënuar të drejtat e palëve në proces, duke dhënë një vendim në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit procedural civil, si dhe të vlerësimit jo të drejtë të provave të marra në shqyrtim gjatë gjykimit në shkallë të parë. Po ashtu, është konstatuar konflikt interesi me ekspertin që ka marë me qira një zyrë të Sinanajt.

Në disa gjykime, është konstatuar se Sinanaj nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë ligjin procedural, duke cenuar elementet e procesit të rregullt ligjor.

Subjekti rezulton se ka gjykuar në kushtet e konfliktit të interesit një çështje ku përfaqësues i një pale ndërgjyqëse ka qenë një avokat të cilit i ka dhënë zyrën me qira.

Bazuar në rastet e gjykimit në kushtet e konfliktit të interesit, KPK ka thelluar hetimin duke i kërkuar Gjykatës së Vlorës informacion për çështjet e gjykuara nga Sinanaj me palë apo përfaqësues ligjorë të palëve në proces, personat që kanë marrë me qira zyrat e tij. Në vendim thuhet se gjykata ka përcjellë 78 kopje të vendimeve gjyqësore, ku avokatë të ndryshëm, qiramarrës në objektin e subjektit, kishin mbrojtur palët në process.

“…Rezultoi e provuar se subjekti i rivlerësimit Hektor Sinanaj përgjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës së gjyqtarit rezulton se ka gjykuar përafërsisht mbi 180 çështje të natyrave të ndryshme gjyqësore (civile/penale etj…), ku përfaqësues të palëve ndërgjyqëse të kenë qenë kryesisht avokatë dhe ekspertë, të cilët kanë marrë ambiente me qira në godinën 3- katëshe (regjistruar karabina), në pronësi të subjektit…”, citohet në vendim.

Sipas KPK, kontratat e qirasë deri në vitin 2006 rezultojnë të jenë lidhur ndërmjet avokatëve dhe gjyqtarit Sinanaj dhe më vonë, pas vitit 2007 e në vijim, nga bashkëshortja e tij. Trupa e Komisionit ka çmuar se Sinanaj ka ushtruar detyrën gjatë këtyre gjykimeve në kushtet e konfliktit të interesit.

Në vlerësimin tërësor të profesionalizmit, Komisioni vlerëson se subjekti nuk është “i aftë”, pasi ka treguar cilësi të papranueshme në punë, gjykim jo të drejtë, nuk ka respektuar të drejtat e palëve, nuk është eficient, si dhe ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit.

KPK ka gjykuar çështjen dhe në vlerësimin tërësor, ku bazuar në problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë dhe për profesionalizmin, çmohet se Sinanaj ka cenuar me sjelljen e tij besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *