Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Vendimi i zbardhur, kryegjyqtari i Korçës Admir Belishta u rrëzua në të 3 kriteret e vetingut

Ndërtimi pa leje në një kohë kur kishte dhënë dënime me burg për “ndërtim të paligjshëm”, mosdorëzimi në afat një Apelimi në një çështje për vrasje, akuzat për korrupsion dhe problemet me pasurinë çuan në shkarkimin nga KPK të Admir Belishtës. Gjyqtari kundërshtoi gjetjet e Komisionit.

Gjatë seancës dëgjimore ndaj kryetarit të Gjykatës së Korçës Admir Belishta. Foto:Vladimir Karaj

Vrasja e një 17-vjeçari në Korçë në vitin 2015 dhe dënimi i autorit 15-vjeçarë në atë kohë me 6 vjet burg, pavarësisht pretendimeve të familjes së viktimës, u rikthye për të përndjekur kreun e shkarkuar të Gjykatës së Korçës Admir Belishta.

Çështja ishte përfshirë në raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) sipas të cilës Belishta ishte i papërshtatshëm. Në vendimin e zbardhur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit citohet se dyshohej  “se subjekti i rivlerësimit mund të ketë favorizuar një shtetas të mitur, i gjykuar për veprën penale të vrasjes”.

Hetimet e KPK-së në kriterin e aftësive profesionale në lidhje me këtë çështje zbuluan se apelimi i prokurorisë dhe një të afërmi të viktimës kundër vendimit të Gjykatës së Faktit Korçë, ishin “harruar” në kancelarinë e kësaj gjykate dhe u refuzuan më pas nga Gjykata e Apelit përshkak të tejkalimit të afateve me disa muaj.  “Komisioni konstatoi se duket sikur gjenden veprime fiktive në dosjen penale nr. (***), të vitit 2015 në ngarkim të të pandehurit A.F.”, thuhet në vendimin e zbardhur [Vendimi].

Belishta i cili kryesoi trupin gjykues në këtë rast dhe ishte njëkohësisht kryetar i gjykatës që duhej sipas komisionit të kujdesej për mbarëvajtjen e punës aty, u mbrojt duke thënë se bëhej fjalë për “gabim njerëzor”. Sipas tij kryesekretarja kishte bërë një ngatërresë dhe ndaj saj ishte ndërmarrë një vërejtje.

Por Komisioni nuk u bind prej këtij arsyetimi, duke u shprehur se ndërhyrja në rregjistrin e gjykatës duhej të ishte hetuar dhe se vendimi nëse ishte gabim njerëzor nuk i takonte Belishtës, por hetimit. KPK thotë se gabimi ishte i rëndë aq sa pengoi prokurorinë të bënte apelim duke e shkelur “të drejtën kushtetuese të ankimit” dhe nuk mund të kalohej me një vërejtje.

Treshja e KPK që gjykoi Belishtën e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Genta Tafa (Bungo) e anëtar Lulzim Hamitaj, pretendon në vendimin e arsyetuar se kishte gjetur probleme në kriterin e pasurisë, profesionalizmit, ndërsa edhe pse nuk ka shpjegime të detajuara raporti i DSIK-së për papërshtatshmëri është konfirmuar edhe nga Komisioni.

Belishta ka kundërshtuar gjetjet siç rezulton edhe në vendim e zbardhur duke dhënë argumente të ndryshme nga ato të shtruara prej Komisionit, por në shumicën e rasteve treshja gjykuese ka arritur në përfundimin se argumentet e tij nuk ishin bindëse.

Mosdeklarime dhe mungesë të ardhurash

Analiza financiare e bërë prej KPK-së gjeti në fund se Belishtës i mungonin burimet e ligjshme për rreth 2.8 milion lekë për pesë vite (2009, 2011, 2012, 2013, 2014). Komisioni thotë në arsyetim se gjykatësi i shkarkuar ishte gjetur me mungesë burimesh financiare sa i përket blerjes së një apartamenti në vitin 2009.

KPK arsyeton se kishte pranuar disa nga prapësimet e Belishtës duke pranuar trashëgimin e 1.4 milion lekëve nga prindërit megjithëse për këtë gjykatësi i shkarkuar nuk kishte sjellë dokument, po ashtu janë marrë në konsideratë edhe një sërë pretendimesh të tjera dhe ka pjesëtuar në disa vite koston e mobilimit, por sërish ai ka rezultuar me mungesë burimesh të ligjshme në rreth 800 mijë lekë.

Probleme jo të vogla gjykatësit i dolën me një ndërtesë në fshatin e lindjes. Komisioni gjeti një sërë parregullsish sa i përket ndërtimit të saj dhe po ashtu ngriti dyshime mbi mënyrën e përfitimit të pronës, koston e ndërtimit e një sërë çështjesh të tjera.

Pretendimi i Belishtës se “Të gjitha veprimet e kryera për regjistrimin janë ligjore dhe se këtë fakt e kanë konfirmuar dhe organet përkatëse në shkresat dërguar jush, të cilat janë cituar në relacion”, nuk u gjet bindës prej Komisionit.

Në vendimin e zbardhur thuhet se Belishta “ka kryer deklarim të rremë në lidhje me mënyrën e përfitimit të truallit prej 470 m², ku ka ndërtuar shtëpinë”. Po ashtu sipas Komisionit kreu i Gjykatës së Korçës kishte bërë ndërtim të paligjshëm.

KPK i gjeti jo bindëse pretendimet e Belishtës se ndërtimi ishte bërë në një truall që i përkiste familjes së tij dhe ai kishte kërkuar leje ndërtimi me gojë nga organet kopetente, por lejet në vitin 2013 ishin bllokuar.

Komisioni tha se në kohën që kishte kryer një ndërtim pa leje në fshatin e lindjes, Belishta kishte dhënë disa vendime dënimi me gjobë e burgim për persona të akuzuar për ndërtim të paligjshëm.

“Në të gjithë vendimet e tij si gjyqtar (2014-2016), subjekti Admir Belishta ka vendosur dënimin me gjobë/ burgim ndaj shtetasve, që kanë konsumuar elementët e veprës penale të ndërtimit pa leje, sipas vendimeve respektive”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Komisioni më pas citon arsyetimin e Belishtës në një vendim të tillë. “Konsumi i kësaj vepre penale nga të pandehurit, ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura në territorin e shtetit shqiptar… Nga ana objektive kjo vepër është konsumuar me veprime aktive kriminale”, citohet një pjesë e arsyetimit të Belishtës në një vendim dënimi për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm”.

“Pas hetimit dhe shqyrtimit, Komisioni konstaton se subjekti ka demonstruar qëndrime të ndryshme në veprimtarinë e tij si magjistrat dhe në veprimtarinë e tij jashtë këtij funksioni”, thuhet në vendimin e zbardhur, ndërsa vihet në dukje se Belishta nuk dha shpjegime për këtë pikë as në seancë dëgjimore.

Ndër të tjera KPK shtoi se pretendimet e gjyqtarit të shkarkuar u rrëzuan pas shqyrtimit të dokumentacionit. Përndryshe nga pretendimi i tij për përfitim të tokës ku ishte bërë ndërtimi në vitin 1990, rezultoi se ajo ishte përfituar vetëm në vitin 2014, me vendim të komunës.

“Pra, duket mjaft qartë që subjekti qëllimisht nuk e ka deklarur ndërtimin pa leje në vitin 2013, pasi në atë kohë ai ende nuk kishte titullin e pronësisë për truallin ku kishte bërë ndërtimin pa leje, dhe në këtë mënyrë nuk mund ta legalizonte ndërtesën e tij”, thuhet në vendimin e KPK. Megjithatë dyshimet për ndikim të paligjshëm në këtë procedurë nuk u vërtetuan.

Probleme Belishtës po ashtu iu gjetën edhe në lidhje me blerjen e një makine për 500 mijë lekë në vitin 2013. KPK tha se gjeti që makina ishte blerë në vitin 2010 për 15 mijë euro dhe ishte shitur vetëm tre vjet më vonë për një shumë mjaft më të ulët. Makina, sipas KPK-së, ishte rregjistruar me të dhëna të ndryshme nga ato që kishte në kontratën e shit-blerjes, duke krijuar dyshime për një çmim fiktiv.

KPK u shpreh se Belishta nuk e kalonte kriterin e deklarimit të pasurive. Ai u gjet me mungesë burimesh, deklarim të pasaktë, mosdeklarim burimi dhe po ashtu u konkludua se kishte cënuar figurën e magjistratit “duke mos respektuar legjislacionin në fuqi në fushën e ndërtimeve”.

Papërshtatshmëria dhe mangësitë profesionale

Admir Belishta mori një vlerësim pozitiv prej Këshillit të Lartë të Drejtësisë sa i përket profesionalizmit. Vendimet e tij rezultonin të arsyetuara mirë sipas këtij raporti. “Vendimet gjyqësore të hartuara prej subjektit të rivlerësimit Admir Belishta janë të qarta, të plota dhe të kuptueshme”, thuhet në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Por raporti i DSIK-së që ngriti një sërë dyshimesh rreth figurës së gjykatësit të shkarkuar e shtyu KPK-në të hetojë në dosjet për të cilat ai dyshohej. Nga vendimi i zbardhur kuptohet se KPK pasi kishte gjetur si të “plotë dhe të besueshëm” raportin për papërshtatshmëri të lëshuar nga DSIK, kërkoi dosjet për të cilat gjykatësi akuzohej.

Vendimi i zbardhur nuk ka shumë të dhëna rreth raportit të DSIK-së, por rezulton se ai u lidh me kriterin e profesionalizmit nga Komisioni.

Kështu KPK citon se Belishta akuzohej se mund të kishte “kërcënuar dhe fyer” një koleg gjyqtar. Nga shpjegimet e Belishtës rezulton se personi në fjalë ishte ndarë nga jeta. Belishta pretendoi se ngjarja nuk kishte ndodhur.

Por në raport po ashtu pretendohet se ai kishte kërkuar dhe marrë rryshfet për disa nga çështjet që kishte gjykuar. “A.B mund t’i ketë kërkuar një shumë të konsiderueshme parash një shtetasi”, thuhet në vendimin e zbardhur në lidhje me një çështje ndaj disa personave të akuzuar për kontrabandë.

Vendimi i gjyqtarit të shkarkuar në këtë rast ishte rrëzuar në Apel, por Belishta argumentoi se ishte vendimi i Apelit ai me probleme. “I qëndroj bindjes së krijuar, tej çdo lloj dyshimi të arsyeshëm, se vendimi bazohej në prova të pakundërshtueshme për fajësinë dhe se vlerësimi ndryshe nga Gjykata e Apelit i provave, përveç se më jep të drejtën ta respektoj vendimmarrjen e një shkalle më të lartë si jurist, nuk më jep të drejtën ta pranoj në drejtësinë e kësaj vendimmarrje”, argumentoi Belishta.

Sipas tij në këtë rast gjetja fajtorë e personit që bënte kontrabandën bënte me faj edhe doganierët, pasi i njëjti person kishte kaluar pa bërë zhdoganim mbi 12 herë në kohën kur në turn ishte i njëjti punonjës i doganës. Megjithatë KPK thotë se qëndrimet e tij edhe në këtë rast  nuk u gjetën bindëse.

KPK po ashtu gjeti probleme në vendimin e rrëzuar në Apel për lirimin para kohe të një të dënuari për “prodhim e shitje narkotikësh”. Komisioni arsyetoi se Belishta në këtë rast kishte favorizuar të dënuarin.

“Mosmarrja parasysh e provave, keqinterpretimi i kritereve të përcaktuar qartësisht në dispozitat ligjore penale e kanë çuar gjykatën në marrjen e një vendimi, që është rrëzuar nga gjykata e shkallës më të lartë. Komisioni vlerëson se subjekti e ka favorizuar të dënuarin, duke interpretuar faktet dhe rrethanat me qëllim lehtësimin e pozitës së tij”, thuhet në vendimin e arsyetuar.

Megjithatë në këtë pikë problemi kryesor për Belishtën rezultoi nga dënimi me 6 vjet, pas zbritjes së 1/3 nga gjykimi i shkurtuar, i një 15 vjeçari të gjetur fajtorë për vrasjen e një bashkëmoshatari.  Belishta argumentoi se vendimi ishte marrë në unison nga treshja që gjykoi rastin të cilën ai e kishte kryesuar, por KPK u fokusua te mosregjistrimi në kohë i Apelit nga prokurororia.

Vendimi i zbardhur tregon se Belishta u mbrojt duke pretenduar se bëhej fjalë për një gabim njerëzor të kryesekretares ndaj të cilës kishte dhënë vërejtje. “Pra, gjykata e në këtë rast unë si titullar, kemi qënë të impenjuar maksimalisht që kjo çështje të shqyrtohej, duke iu shpjeguar arsyet e këtij gabimi”, citohet Belishta në vendim.

Por Komisioni doli në përfundimin se pavarësisht pretendimit të tij për një gabim njerëzor, të bërë nga kryesekretarja, me cilësinë e kryetarit të kësaj gjykate,  Belishta ka patur detyrimin ligjor të kujdeset për respektimin e afateve. “Subjekti ka pretenduar për impenjim maksimal, pa dokumentuar asnjë element të këtij impenjimi. Tërheqja e vërejtjes ndaj kryesekretares nuk mund të konsiderohet e mjaftueshme për të zbuluar të vërtetën dhe riparuar gjendjen e krijuar pa sjellë pasoja”, thuhet në vendim.

KPK thotë se Belishta duhej të kishte referuar çështjen që të hetohej nëse vërtet bëhej fjalë për gabim njerëzor apo nëse ishim para “falsifikimit të fletës së regjistrit”.  Më tej aty thuhet se në këtë rast si kryetar gjykate “subjekti ka treguar mungesë aftësish në administrimin e institucionit që ka drejtuar”.

Komisioni del në përfundimin se veprimet e Belishtës në këtë rast kishin “cënuar të drejtën kushtetuese të ankimit”. “Arsyetimi i tij për një gabim njerëzor nuk ka arritur të bindë as Gjykatën e Apelit Korçë, e cila ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë, si të paraqitur jashtë afatit ligjor”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Në fund KPK vendosi shkarkimin e Belishtës. “Subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë; subjekti rezulton i papërshtatshëm në lidhje me kriterin e kontrollit të figurës; Duke kryer një vlerësim tërësor të të tri kritereve, mbi të cilat mbështetet procesi i rivlerësimit të gjyqtarit, Komisioni konkludon, gjithashtu, se subjekti Admir Belishta, me veprimet/mosveprimet e tij, ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *