Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Altin Binaj

Pavarësisht dyshimeve për pamjaftueshmëri të pasurisë të ngritura gjatë seancës dëgjimore me 21 janar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, vendosi konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Vlorë, Altin Binaj.

Kreu i Prokurorisë së Apelit tëVlorës, Altin Binaj, | Foto : LSA

Të mërkurën, kryesuesja e trupës së KPK-së Genta Tafa shpalli vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit Altin Binaj. Ky vendim erdhi pas hetimit administrativ të KPK-së të drejtuar nga relatorja Xhensila Pine dhe seancës dëgjimore të mbajtur dy ditë më parë.

Në seancën dëgjimore, relatorja Xhensila Pine pohoi se subjekti zotëronte një apartament në Vlorë dhe një në Orikum. Ajo nuk vuri në dukje probleme sa i përket apartamentit të parë të subjektit, ndërsa lidhur me apartamentin e dytë të blerë në vitin 2013 u theksua se kishte pamjaftueshmëri burimesh për mobilimin e tij.

Gjithashtu ajo theksoi se nga analiza financiare e bërë prej KPK-së kishte rezultuar se Binaj kishte mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e bëra në vitet 2008, 2011 dhe 2013, por pa dhënë detaje për vlerën e pamjaftueshmërisë si edhe nuk përmendi shpenzimet që ishin bërë në këto vite.

Ndërkohë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) kishte dorëzuar raport pozitiv për Binajn duke cilësuar përshtatshmërinë e tij për të vazhduar detyrën. Edhe përsa i përket aftësive profesionale të Binajt, Prokuroria e Përgjithshme kishte dhënë vlerësim pozitiv.

Vetë prokurori Altin Binaj, deklaroi gjatë seancës dëgjimore se për tre vitet e konstatuara me probleme, të ardhurat e familjes së tij kishin qenë të mjaftueshme. Ai pohoi se për vitin 2008 pamjaftueshmëria kishte të bënte me shpenzimin 15 mijë euro për zyrën e avokatisë së bashkëshortes.

Për shpenzimet e vitit 2011 Binaj tha se ato ishin bërë me para të tërhequra më herët prej tij nga llogaria bankare e pagës. Ndërsa për sa i përket vitit 2013 për pamjaftueshmëri në shumën prej 600 mijë lekësh për mobilimin e shtëpisë në Orikum, pohoi se kishte një lapsus ose keqkuptim prej Komisionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *