Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Bashkim Dedja konfirmohet në krye të Gjykatës Kushtetuese

KPK vendosi me shumicë votash që të konfirmojë në detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashim Dedja, megjithëse relacioni gjatë seancës dëgjimore pati gjetur probleme në pasurinë e tij.

Kryetari i Gjykates Kushtetuese Bashkim Dedja, duke hyre ne nje seance te jashtezakonshme parlamentare,| Foto nga : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, megjithëse në seancën dëgjimore u relatua se ai kishte probleme me justifikimin e pasurisë. Vendimi i KPK-së u shpall mëngjesin e të mërkurës dhe megjithëse ai ishte pozitiv avokati i Dedjas Maks Haxhia u ankua në një prononcim për mediat se relatimi i çështjes kishte qenë i njëanshëm dhe me komente. Haxhia tha po ashtu se relacioni  kishte gabime faktike, ndërsa u gjet se një kredi që i atribuohej në relacion vëllait të gjykatësit, në të vërtetë kishte qenë vetëm vendosje kolateral e shtëpisë në dobi të nipit të tij.

Seanca e njoftimit zgjati vetëm pak minuta, për të njoftuar se trupa gjykuese e drejtuar nga Valbona Sanxhaktari me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Roland Ilia, kishte vendosur me shumicë rikonfirmimin e Dedjas në gjykatë.  Dedja është gjykatësi i dytë kushtetues që kalon procesin e vetingut. Deri tani tre gjykatës të Kushtetueses janë rëzuar nga procesi, ndërsa më herët ishte  konfirmuar gjykatësja Vitore Tusha. Bashkim Dedja drejton prej vitit 2012  Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi për Dedjan “surprizoi” sallën, pasi javën që shkoi gjatë seancës dëgjimore relatorja e çështjes vuri në dukje një sërë problemesh në pasurinë e gjykatësit, përfshi edhe ndryshimin e deklarimeve të tij mbi pronësinë e një apartamenti në Tiranë dhe personin prej të cilit kishte marrë hua 10 mijë euro. Relatorja Pine pati vënë theksin që Dedja kishte paraqitur dy deklarata noteriale për huanë duke thënë njëherë se e kishte marrë atë nga kunati dhe më pas nga  babai i kunatit.

Edhe avokati i Dedjas Maks Haxhia u duk se nuk e kishte pritur vendimin, ndërsa u tha mediave pas seancës se relatorja “nuk duhej të kishte bërë komente” gjatë relacionit dhe se trupa gjykuese, duhej të ishte më e “ftohtë” në qëndrimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *