Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e shoqeruar nga policia në KPA.
KPA Lajme

KPA lë në fuqi shkarkimin e ish-gjyqtares Enkeleida Hoxha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten më 30 qershor vendimin për mospranimin e ankimit të ish-gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha kundër masës disiplinore të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, për shkarkimin e saj nga detyra.

Në njoftimin e KPA-së thuhet se trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Somo, në mënyrë unanime vendosi të mos e pranojë ankimin e Enkeleida Hoxhës. Sipas Kolegjit, ky vendim që i përket juridiksionit disiplinor, është përfundimtar dhe hyn në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Hetimi disiplinor ndaj ish-gjyqtares Enkeleida Hoxha filloi pas raportimeve në medie të vendimeve për lirimin e të dënuarave për vepra të rënda penale, Hekuran Billën, i dënuar me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për një vrasje të kryer në 2006-ën, i cili pas lirimit u ekzekutua dhe Ilir Pajën, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 17 vjet burg.

Më 11 shkurt 2021 ajo u arrestua së bashku me disa zyrtarë të Gjykatës së Krujës, një avokat dhe disa qytetarë, të dyshuar si pjesë të një strukture kriminale që synonin të lironin disa të dënuar që e vuajnë dënimin e burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, kundrejt përfitimeve monetare.

Kur Hoxha gjendej e arrestuar, më 17 mars 202, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj vendosi të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për shkarkimin e saj nga detyra duke i vlerësuar veprimet dhe mosveprimet e ndërmarra nga ana e ish-magjistrates në cënim të besimit të publikut tek drejtësia, si dhe se kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit.

Gjatë shqyrtimit të çështjes në KPA në seanca publike, përfaqësuesi ligjor i Hoxhës, avokati Ardian Visha e quajti një sulm politik procedimin disiplinor ndaj Hoxhës dhe  pretendoi se Kolegji nuk është gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes. Ndërkohë, përfaqësuesit e KLGJ-së dhe ILD-së të cilët deklaruan se KPA kishte krijuar praktikë në shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit disiplinor.

Enkeleida Hoxha u lirua nga burgu më 12 qershor 2022, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit konstatoi se kohëzgjatja e masës së sigurimit personal “arrest në burg” e caktuar ndaj saj kishte tejkaluar masën e dënimit të dhënë në shkallën e parë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *