Komisionerja e KPK-së, Etleda Çiftja.
KPK Lajme

SPAK kërkon gjykimin e Etleda Çiftjes për falsifikim dhe deklarim të rremë të pasurisë

Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK njoftoi të enjten se ka vendosur të dërgojë për gjykim procedimin penal në ngarkim të anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, e cila akuzohet për veprat penale të falsifikimit dhe deklarimit të rremë të pasurisë.

Në njoftim thuhet se nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Çiftja, në deklaratën vitit 2017 ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë së dy pasurive të fundit, si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie.

“E pandehura Etleda Çiftja ka dorëzuar pranë ILDKPKI një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, pasi kjo kontratë  nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë. Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë”, citohet në njoftimin e SPAK.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit. Edhe Hajdari u kallëzua penalisht për të njëjtin fakt, si dhe për fshehje të ardhurash dhe po gjykohet kërkesa e SPAK për gjykimin e tij për veprat penale “fshehje e të ardhurave” dhe “deklarim të rremë të pasurisë”..

Në faqen online të KPK-së sqarohet se Etleda Çiftja është diplomuar si juriste në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Aty thuhet se ajo ka punuar më shmë se 16 vite si juriste, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit. Po ashtu, ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *