Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kandidatja për në Gjykatën Kushtetuese përballet me raportin negativ të ILDKPKI

Një shumë prej 14 mijë eurosh përfituar nga biznesi i bashkëshortit dhe raporti negativ i ILDKPKI ishin problemet me të cilat u përball në seancë dëgjimore para KPK-së këshilltarja ligjore e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska. Toska kërkoi konfirmimin në detyrë.

Këshilltarja ligjore e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

Këshilltarja ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska u vlerësua për profesionalizmin gjatë seancës dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por një raport negativ i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) vuri në dyshim karrierën e saj.

KPK e hetoi Toskën, e cila është kandidate për në Gjykatën Kushtetuese në të tre kriteret, por gjatë seancës dëgjimore u vu theksi në transaksionet financiare mes saj dhe kompanisë tashmë të mbyllur të bashkëshortit.

Treshja që hetoi Toskën, kryesohet prej Valbona Sanxhaktarit, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulëzim Hamitaj, u fokusua te mosdeklarimi i një shume prej rreth 14 mijë eurosh që siç doli në seancë ishte përfituar nga bashkëshorti me mbylljen e biznesit, një agjenci udhëtimi.

Elsa Toska ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.

Problemet me pasurinë

Seanca dëgjimore për Elsa Toskën u fokusua kryesisht në kriterin e pasurisë. Relatorja tha se veç raportit negativ nga ILDKPKI sipas të cilit Toska kishte bërë deklarim të pasaktë, deklarim të rremë dhe kishte fshehje pasurie, KPK vetë kishte gjetur një  makinë të padeklaruar dhuratë nga motra e bashkëshortit. Sipas relatores në këtë rast edhe shitja e kësaj makine për shumën e 35 mijë lekëve nuk ishte deklaruar.

Toskës i kishte kaluar po ashtu barra e provës për një sërë transaksionesh dhe huash të tjera kryesisht për llogari të vjehrrës dhe të biznesit të bashkëshortit, për të cilat relatorja u shpreh se ishin marrë dokumente plotësuese nga subjekti dhe që do të vlerësoheshin nga Komisioni.

Po ashtu u tha se Toska kishte dorëzuar pagesën e tatimeve për përfitimet nga projektet. Komisioni gjeti se puna e saj në privat nuk kishte qenë e rregulluar. Po ashtu huatë që Toska i kishte dhënë biznesit të bashkëshortit të saj rreth 9500 euro dhe kthimi i tyre pas u cilësua si problematik. Anëtari i KPK-së Hamitaj pyeti Toskën se pse nuk ishte deklaruar ky kthim ndërsa ishte deklaruar huazimi.

Toska tha se përshkak se kishin të bënin me marrëdhënie familjare nuk ishte parë e arsyeshme të bëheshin dokumente rreth disa transaksioneve brenda familjes. Ajo megjithatë sqaroi se bashkëshorti kishte provuar huadhënien prej saj me dokumente.

Këshilltarja pranë Gjykatës Kushtetuese tha në fjalën e saj se nuk “do të replikonte me ILDKPKI”, pasi e konsideronte thjeshtë një institucion ndihmës, ndërsa vuri në dukje se hetimi nga komisioni kishte qenë “objektiv”. Toska megjithatë theksoi se ILDKPKI kishte kryer më herët dy hetime të thelluara për pasurinë e saj dhe nuk kishte gjetur probleme.

Përndryshe Toska u gjet në rregull në të dy kriteret e tjera. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) solli raport pozitiv për subjektin. Pozitiv ishte edhe vlerësimi profesional dhe u theksua se ndaj saj “Nuk ka pasur asnjë denoncim”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *