Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Xhezair Zaganjori konfirmohet në detyrë

Kryetari i gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori fitoi rikonfirmimin në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ditën e martë, pavarësisht pyetjeve të vështira me të cilat u përball në seancën dëgjimore të 20 korrikut mbi burimet e pasurisë së tij prej 58.7 milionë lekësh.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:LSA

Trupi gjykues i i drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Pamela Qirko dhe anëtar Roland Ilia i dha një goditje karrierës së gjatë prej katër dekadash të Zaganjorit më 20 korrik kur ngriti pikëpyetje për të ardhurat e tij nga qiradhënia e një prone familjare, të ardhura që nuk ishin shoqëruar me dokumente.

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur me 20 korrik Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi një listë të gjatë me 20 probleme të evidentuara në pasurinë e Zaganjorit; që nga deklarimet e pasakta e deri te shmangia e taksave apo mungesa e të ardhurave të ligjshme për t’i justifikuar ato.

Kreu i Gjykatës së Lartë i hodhi poshtë disa nga gjetjet dhe këmbënguli se kishte të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij, ndonëse pranoi se kishte hasur vështirësi për të siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Gjithsesi, vendimi final ishte konfirmimi i Zaganjorit në detyrë.

Zaganjori, 61 vjeç, me një karrierë akademike si profesor i të drejtës ndërkombëtare, u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2003 dhe anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2013, pasi mandati i tij në gjykatë kushtetuese mbaroi.

Në seancën e dhënies së vendimit Zaganjori vendosi të mos ishte i pranishëm.

Xhezair Zaganjori është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1981 dhe që nga ajo kohë ka qenë lektor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Europiane dhe të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe Shkollën e Studimeve Europiane.

Në vitet 1992-1997, Zaganjori ka qenë ambasador në Gjermani. Ndërsa në vitet 1998-1999 ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese në Heidelberg të Gjermanisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) është ekuivalenti i gjykatës së faktit për procesin e vetingut. Një institucion tjetër i quajtur Komisioneri Publik ka të drejtë të apelojë një vendim të KPK në rast se e sheh të arsyeshme te Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *