Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Fatmir Hoxha-anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtari Fatmir Hoxha është anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese që përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në vitin 2017.Fatmir Hoxha, anëtar i Gjykatës Kushtetuese prej vitit 2011 do të përballet të hënën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Hoxha është gjyqtari i pestë i Kushtetueses që përfshihet në procesin e vetingut, pas Besnik Ymerajt, Fatos Lulos, Vitore Tushës dhe Altina Xhoxhajt.

Ymeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Prokurori, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e konfirmuar në detyrë deri më tani.

Fatmir Hoxha është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në vitin 1991 dhe e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1993 si kryetar i Gjykatës së Pukës. Në vitet 1996-1998 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Apelin e Tiranës, ndërsa në vitet 2003-2008 ka mbajtur pozicionin e kryetarit në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Prej qershorit të vitit 2011, Hoxha ushtron detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Fatmir Hoxha nga viti 2003, kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë, deri në vitin 2017. [Kliko këtu për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Hoxha zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare me vlerë 1.7 milionë lekë. Ndërsa në vitin 2017, pasuria e zotit Hoxha është rreth 23.2 milionë lekë ose 13 herë më e lartë.

Rritja e pasurisë familjare të zotit Hoxha vjen kryesisht nga blerja e një apartamenti në Tiranë në vitin 2011 për rreth 140 mijë euro. Sipas të dhënave të deklaruara prej tij në ILDKPKI, Hoxha ka ende borxhe të pashlyera për blerjen e kësaj pasurie.

Të ardhurat familjare të deklaruara nga zoti Hoxha vijnë kryesisht nga paga e tij si gjyqtar në masën 77.4 për qind, nga paga e bashkëshortes 13.7 për qind, nga shitja e një apartamenti në Shkodër dhe e një automjeti 5.9 për qind si dhe të ardhura nga interesa bankare në masën 2.9 për qind.

Të ardhurat totale për 15 vitet e deklarimit kapin vlerën e 29.4 milionë lekëve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit dhe “flamujt e kuq’  që janë identifikuar gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata të zotit Hoxha që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezulton me probleme me një shumë të pambuluar në vlerën e 1.9 milionë lekëve për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2011.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë është edhe huaja ende e pashlyer me vlerë rreth 4.5 milionë lekë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë  para fillimit të detyrës

Deklarata e pasurisë e vitit 2004  

Deklarata e pasurisë  e vitit 2005

Deklarata e pasurisë e vitit 2006

Deklarata e pasurisë e vitit 2007  

Deklarata e pasurisë e vitit 2008  

Deklarata e pasurisë e vitit 2009  

Deklarata e pasurisë e vitit 2010

Deklarata e pasurisë e vitit 2011

Deklarata e pasurisë e vitit 2012  

Deklarata e pasurisë e vitit 2013

Deklarata e pasurisë e vitit 2014  

Deklarata e pasurisë e vitit 2015  

Deklarata e pasurisë e vitit 2016  

Deklarata e pasurisë e vitit 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *