Gjyqtarja e Apelit për Krime të Rënda, Dhurata Haveri do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Dhurata Haveri do të përballet të mërkurën më 24 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Znj. Haveri përbëhet nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Suela Zhegu.
Dhurata Haveri është emëruar gjyqtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në vitin 2004 dhe vazhdon prej 15 vitesh të ushtrojë detyrën në të njëjtin institucion. Haveri ka qenë kandidate për Gjykatën e Lartë si dhe anëtare e Kolegjit Zgjedhor në vitin 2011. Ajo është gjithashtu eksperte në Shkollën e Magjistraturës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Dhurata Haveri nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2004, gjyqtarja Dhurata Haveri zotëronte pasuri me vlerë 3 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare është rritur me 11 herë, duke kapur shifrën e 34.6 milionë lekëve.
Pasuria familjare e znj. Haveri përbëhet nga pasuri të patundshme me vlerë 22.6 milionë lekë, automjete me vlerë të deklaruar 6.1 milionë lekë, likujditete bankare prej 1.6 milionë lekësh si dhe kursime të akumuluara në cash prej 4.3 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 35.1 milionë lekë. Rreth 65% e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit dhe mësimdhënia e gjyqtares Haveri, ndërsa 18% nga aktiviteti privat i bashkëshortit si avokat dhe noter. Të ardhurat nga shitja e pasurive të paluajtshme zënë 7%, ndërsa 6% të tjera burojnë nga paga e bashkëshortit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit nxorri një deklaratë me probleme dhe 13 të tjera pa probleme.
Në vitin 2011, shtimi i pasurisë nuk justifikohet nga burimet e deklaruara me një diferencë negative prej 367 mijë lekësh, pa llogaritur shpenzimet vjetore të konsumit familjar. Në këtë vit, gjyqtarja Haveri deklaron se ka blerë një apartament në Shkodër me burim një hua prej 5 milionë lekësh, gjysmën e së cilës e ka shlyer në të njëjtin vit.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” huamarrjet në vlera të konsiderueshme ndër vite, konkretisht 15 mijë euro në vitin 2004, 1 milion lekë në vitin 2005 dhe 5 milionë lekë në vitin 2011.
Gjithashtu, gjendja e akumuluar e kursimeve në cash të deklaruara ndër vite është 4.3 milionë lekë, vlerë më e lartë kjo se kufiri ligjor i lejuar për qarkullimin e parave jashtë sistemit bankar prej 1.5 milionë lekësh.
Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al