Gjykata e Lartë njoftoi të dielën ndarjen nga jeta të anëtarit të saj, z. Darjel Sina.
“Z. Sina iu bashkua trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në prill të vitit 2022 dhe vinte në këtë detyrë pas një eksperience të gjatë dhe një kontributi të rëndësishëm në fushën e së drejtës,” thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Ndarja e tij nga jeta krijon një boshllëk të madh për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të,” shtoi Gjykata e Lartë.
Para emërimit në Gjykatën e Lartë, Sina ka shërbyer si Komisioner Publik pranë Institucionit të Komisionerit Publik nga marsi 2018 deri në prill 2022.
Më herët, ai ka qenë profesor në University of New York Tirana dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Luarasi.
Gjithashtu, ka punuar si studiues në Universitetin e Zyrihut dhe si asistent profesor në Universitetin Kombëtar të Athinës, nën drejtimin e Profesor Andreas Dimitropoulos.
Pas diplomimit, Sina ka punuar për disa vite si asistent avokat në Athinë, Greqi.



